«Kështu duhet të sillen të krishterët e vërtetë»
NË LIBRIN e tij të vitit 1990, me titull Arbeit macht tot—Eine Jugend in Auschwitz (Puna ju vret—Rinia në Auschwitz), Tibor Wohl, një i mbijetuar nga kampi i Auschwitzit, tregon një bisedë që dëgjoi ndërmjet dy të burgosurve. Njëri prej tyre, një austriak, pohonte se «nuk besonte». Megjithatë, ai lavdëronte të burgosurit që mbanin shenjën me një trekëndësh ngjyrë vjollcë—Studentët Biblikë, siç quheshin në kamp Dëshmitarët e Jehovait.
«Ata nuk shkojnë në luftë,—i tha austriaku shokut të vet.—Do të preferonin më mirë të vriteshin, sesa të vrisnin ndonjë tjetër. Për mua kështu duhet të sillen të krishterët e vërtetë. Dua të të tregoj një përvojë të bukur që kam pasur me ta. Ishim bashkë me hebrenjtë dhe Studentët Biblikë në një ndërtesë të kampit, në Stutthof. Në atë kohë, Studentët Biblikë bënin punë të vështira jashtë në një të ftohtë të hidhur. Nuk arrinin të kuptonin se si ishin akoma gjallë. Ata thoshin se Jehovai u jepte forcë. Kishin nevojë për bukë, pasi po vdisnin nga urija. A e di çfarë bënin? Mblidhnin gjithë bukën që kishin, mbanin gjysmën dhe gjysmën tjetër ua jepnin vëllezërve të tyre, vëllezërve frymorë që vinin të uritur nga kampet e tjera. U jepnin mirëseardhjen dhe i përqafonin. Para se të hanin, bënin një lutje e më pas fytyrat u shndrisnin nga lumturia. Thoshin se askush nuk ishte më i uritur. Mendoja me vete: ‘Këta janë të krishterë të vërtetë.» Kështu i kisha përfytyruar gjithmonë. Sa bukur do të kishte qenë sikur edhe ne t’u jepnim një mirëseardhje të tillë shokëve tanë të uritur këtu në Auschwitz!»