Përse shtohen të ligjtë?
«PËRSE të ligjtë vazhdojnë të jetojnë?» Kjo pyetje qe bërë kohë më parë nga Jobi besnik dhe është përsëritur shumë herë që nga koha e tij. Me siguri, ajo gjendet në mendjen e shumë njerëzve në territorin e ish-Jugosllavisë (si gruaja që shihet në kopertinën e kësaj reviste) që vajtojnë mbi viktimat e kësaj lufte tragjike. Përse të ligjtë mbijetojnë dhe madje lulëzojnë? Sikurse shënoi Jobi, shpesh «shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta».—Jobi 21:7, 9.
A do të thotë kjo se është e kotë t’i shërbesh Perëndisë, të duash të afërmin dhe të përmbahesh që të bësh të keqen? Sigurisht që jo! Bibla na lejon që t’i shohim gjërat në një këndvështrim të drejtë kur thotë: «Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira.»—Psalmi 37:1-3.
Po, lulëzimi në dukje i të ligjve është vetëm i përkohshëm. Në fakt jeta e tyre është shumë e shkurtër, ndërsa ata që i shërbejnë Perëndisë kanë një shpresë të lavdishme për të ardhmen. Së shpejti, premtimi i Perëndisë do të përmbushet: «Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Jo të ligjtë, por vetëm të drejtët do ta shohin atë kohë. Çfarë inkurajimi për t’iu afruar Perëndisë e për të mësuar vullnetin e tij, pavarësisht se sa të ligj mund të jenë ata që na rrethojnë!
Në qoftë se dëshiron informacione të mëtejshme ose që të fillosh një studim biblik pa pagesë në shtëpi, shkruaj në: Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri, Kutia Postare 118, Tiranë ose në Watch Tower, duke përdorur adresën e përshtatshme mes atyre të paraqitura në faqen 2.