Besimi i guximshëm i vëllezërve tanë në Ruanda
NË FILLIM të vitit 1994, bota u trondit nga raportet mbi masakrat e mëdha që filluan në vendin afrikan të Ruandës. Kishte shpërthyer një luftë civile mizore—kulmi i armiqësisë shekullore.
Përballë përmbysjes së plotë të ligjit dhe rregullit, më shumë se 2.000 Dëshmitarë të Jehovait në Ruanda, u detyruan të largoheshin për të shpëtuar jetën. Rreth 1.300 prej tyre gjetën strehë në kampet e refugjatëve në Zairenë dhe Tanzaninë fqinjë, por disa nuk mundën të largohen në kohë. Me pikëllim njoftojmë se rreth 400 prej vëllezërve dhe motrave tona—të rritur dhe fëmijë, natyrisht të gjithë civilë—humbën jetën gjatë kësaj dhune të tërbuar. Në çdo vend të botës, të krishterët e vuajnë humbjen e këtyre mbajtësve të guximshëm të integritetit dhe gjejnë ngushëllim në premtimin e Biblës për një ringjallje.—Gjoni 11:25.
Ç’mund të themi për motrat dhe vëllezërit ruandezë që mbijetuan? Nga vende të ndryshme, u dërguan pleq për të shqyrtuar drejtpërdrejt çështjen. Një raport thoshte se vëllezërit në Ruanda, e përballuan situatën «me shumë dinjitet dhe kurajo». Për shembull, një nga kërkesat e para që bënë vëllezërit ishte për literaturë biblike. ‘Ata duken më të preokupuar për marrjen e ushqimit frymor, sesa për ndihmën materiale, megjithëse kanë një nevojë të jashtëzakonshme për shumë gjëra’,—përfundon raporti. Dhe megjithëse kushtet nëpër kampe janë primitive, ‘pjesa ku banojnë vëllezërit është më e pastra’.
Shoqata Watch Tower bëri investimet e nevojshme për blerjen e ushqimit, batanijeve, veshjeve, këpucëve dhe ilaçeve. Vëllezërit tanë në Francë kontribuan bujarisht dhe nga fillimi i qershorit, këtyre vëllezërve ruandezë që gjendeshin në nevojë iu dërguan gati dy tonë me pajisjet e nevojshme.
S’është për t’u habitur që këto rrethana rezultuan në një dëshmi të shkëlqyer. Vëzhguesit u prekën nga fakti që vëllezërit ruandezë morën një ndihmë dhe mbështetje të tillë nga Dëshmitarët e tjerë dhe që mundën ta ndajnë atë me të tjerët. Disa komentuan se Dëshmitarët janë ndër të parët në kamp që u vizituan nga anëtarët e fesë së tyre!
Gjendja e vështirë e vëllezërve tanë ruandezë, na sjell ndërmend se në këto «ditë të fundit» njerëzit do të jenë «të ashpër» dhe «të dhunshëm». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Megjithëse, Jehovai nuk i ka premtuar popullit të tij një mbrojtje të mrekullueshme nga rreziqet fizike, ka premtuar se do ta mbrojë gjendjen e tij frymore si dhe marrëdhënien e tij me të dhe gjatë sundimit mijëvjeçar të Krishtit, të ringjallë ata që tani vdesin. (Psalmi 91:1-10) Le t’i lutemi Jehovait që t’i mbështesë e t’i ndihmojë vëllezërit ruandezë që mbijetuan gjatë kësaj periudhe të vështirë.—Psalmi 46:1.