‘Mos u trishtoni si të tjerët’
A KE parë ndonjëherë një lule të përkulur pasi i ka bërë ballë një stuhie? Është një pamje prekëse. Në fund të fundit, shtrëngata ka detyruar kafshë dhe njerëz të panumërt—krijesa shumë më të fuqishme se çfarëdo lule—që të vrapojnë për t’u strehuar. Ndërsa lulja qëndron atje, e mbjellë, duke i bërë ballë zemërimit të kohës. Tani, ja ku është, e paprekshme, e përkulur, por jo e thyer, duke treguar një forcë që bie në kundërshtim me pamjen e saj delikate. Ndërsa je duke e admiruar, ndoshta pyet veten nëse do të rifitojë përsëri fuqinë dhe nëse do ta ngrejë përsëri kokën e saj të bukur drejt qiellit.
E njëjta gjë ndodh me njerëzit. Në këto kohë të turbullta, ne përballojmë të gjitha llojet e stuhive. Vështirësi ekonomike, depresione, shëndet i keqësuar, humbje të një personi të dashur—herët a vonë të gjithë ne goditemi nga stuhi të tilla dhe disa herë nuk mund t’i shmangim ato, ashtu si lulja që nuk mund të vetëshkulet dhe të vrapojë për t’u strehuar. Është prekëse të shohësh individë të cilët duken shumë delikatë, por që tregojnë një forcë të jashtëzakonshme dhe durojnë goditje të tilla. Si e arrijnë këtë? Shpesh, çelësi është besimi. Jakobi, vëllai nga nëna i Jezu Krishtit shkroi: «Ju e dini se kur besimi juaj i bën ballë me sukses sprovave të tilla, rezultati është aftësia për të duruar.»—Jakobi 1:3, Today’s English Version.
Një tjetër çelës është shpresa. Për shembull, kur vdekja rrëmben një person të dashur, shpresa mund të thotë shumë për të gjallët. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të Selanikut: «Nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.» (1. Selanikasve 4:13) Edhe pse të krishterët natyrisht janë të hidhëruar për shkak të vdekjes, ka një ndryshim. Ata kanë njohuri të saktë rreth gjendjes së të vdekurve dhe shpresës së ringjalljes.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.
Kjo njohuri u jep atyre shpresë. Dhe shpresa nga ana e saj, gradualisht e zbut hidhërimin e tyre. Ajo i ndihmon të durojnë, e më tepër se kaq. Me kohë, ashtu si lulja pas stuhisë, ata mund ta ngrejnë kokën dhe gjejnë përsëri gëzim dhe kënaqësi në jetë.