Mbishkrime me një kuptim të veçantë
«IEHOVA SIT TIBI CUSTOS»
KËTO fjalë të gdhendura në fasadën e një shtëpie të shekullit të 17-të në Celerina, të Zvicrës lindore, do të thonë «Jehovai të jetë mbrojtësi yt». Në këtë zonë malore, nuk është e pazakontë të gjendet emri i Perëndisë i gdhendur ose i pikturuar nëpër shtëpi, kisha dhe famulli të vjetra shekullore. Si është e mundur që emri i Jehovait u bë kaq i njohur?
Rezia e lashtë (që bënte pjesë në ato që sot quhen Gjermania juglindore, Austria dhe Zvicra lindore) në shekullin e 15-të p.e.s u bë një provincë romake. Banorët filluan të flisnin gjuhën romake, një gjuhë e bazuar tek latinishtja që u zhvillua në shumë dialekte, të cilat fliten akoma sot e kësaj dite në disa lugina alpine të Zvicrës dhe Italisë veriore.
Me kalimin e kohës, pjesë të Biblës u përkthyen në gjuhën romake. Një botim, Biblia Pitschna, përmbante Psalmet dhe Shkrimet e Krishtere Greke. Në këtë Bibël të botuar në vitin 1666, emri Iehova shfaqej shumë herë tek psalmet. Pasi Bibla ishte materiali kryesor që lexohej nëpër shtëpi, lexuesit e Biblia Pitschna u familjarizuan me emrin e Krijuesit.
Megjithatë, brezat që pasuan e humbën interesin për çështjet biblike. Shumë njerëz nuk e vranë shumë mendjen për të zbuluar kuptimin e fjalës «Iehova», madje as edhe kleri nuk bëri ndonjë përpjekje për ta shpjeguar atë. Kështu, këto mbishkrime u bënë zbukurime të thjeshta karakteristike të një epoke të shkuar.
Në dekadat e fundit ndodhi një vepër e jashtëzakonshme mësimi. Dëshmitarët e Jehovait erdhën nga ultësirat për të kaluar pushimet në këto lugina të bukura dhe për t’u mësuar banorëve për Perëndinë, emri i të cilit është Jehova. Madje, disa Dëshmitarë u vendosën në këtë zonë, duke pasur kështu mundësi për të kaluar më tepër kohë duke u treguar njerëzve qëllimet e mrekullueshme të Krijuesit për tokën dhe për njeriun. Kështu, këto mbishkrime të vjetra romake, po marrin një kuptim të ri, ndërsa njerëzit mësojnë për Perëndinë e vërtetë, Jehovain.
[Figurat në faqen 32]
IEHOVA PORTIO MEA: Jehovai është pjesa ime.—Shiko Psalmin 119:57