Festimet e ditëlindjeve kanë lënë një vrazhdë vdekjeje
SHUMICA e njerëzve sot, e konsiderojnë festimin e ditëlindjeve thjesht si një zakon të padëmshëm. Por Bibla nuk e përshkruan në mënyrë pozitive këtë traditë. Për më tepër, Shkrimet nuk përmbajnë ndonjë dëshmi, që tregon se ndonjë shërbëtor besnik i Perëndisë t’i ketë festuar ditëlindjet.
Dy ditëlindjet e vetme që përmend Bibla, janë ato të dy sundimtarëve që kanë qenë armiq të Perëndisë. Në secilën nga këto dy ditëlindje, është bërë një ekzekutim, ku të ftuarit argëtoheshin duke parë vdekjen e dikujt që kishte shkaktuar zemërimin e mbretit. Në rastin e parë, Faraoni, mbreti i Egjiptit, ekzekutoi kryebukëpjekësin e tij. (Zanafilla 40:2, 3, 20, 22) Sundimtari egjiptian e bëri këtë gjatë gostisë, sepse ishte shumë i zemëruar me shërbëtorin e tij. Në rastin e dytë, Herodi, sundimtari imoral i Galilesë, i preu kokën Gjon Pagëzorit për hatër të një vajze, e cila i pëlqeu shumë kur kërceu në gostinë e tij. Sa skena të tmerrshme!—Mateu 14:6-11.
Por, mos vallë Bibla është përqendruar vetëm në dy ditëlindje shumë të veçanta? Në të vërtetë, jo. Historiani i lashtë hebre, Jozefi, zbulon se këto incidente nuk ishin të vetmet. Ai përmend raste të tjera që dëshmojnë përdorimin e ekzekutimit të dikujt gjatë festimit të ditëlindjeve për zbavitje.
Për shembull, disa ndodhën pas shkatërrimit të Jeruzalemit në vitin 70 të e.s., ku 1.000.000 hebrenj vdiqën dhe 97.000 mbijetuan e u morën si robër. Gjatë rrugës për në Romë, gjenerali romak, Titi, i mori robërit e tij hebrenj dhe i çoi në portin fqinj të Çesaresë.
Jozefi shkruan: «Gjatë kohës që Titi qëndroi në Çesare, festoi me madhështi ditëlindjen e vëllait të tij, Domicianit, ku vrau më shumë se 2.500 të burgosur, duke i vënë të ndesheshin me egërsirat dhe flakët. Pas kësaj, ai shkoi në Bejrut, një koloni romake në Fenicia, ku festoi ditëlindjen e të atit, duke vrarë shumë robër në shfaqjet dëfryese.»—The Jewish War, kap. VII, faqja 37, përkthyer në anglisht nga Pol L. Majer në Josephus: The Essential Writings.
Nuk është për t’u çuditur që një fjalor biblik komenton: «Në kohët e mëparshme, hebrenjtë e konsideronin festimin e ditëlindjeve si pjesë të adhurimit idhujtar, një opinion i cili konfirmohej në mënyrë të plotë nga ajo që shihnin në ritet e zakonshme që i shoqëronin këto festime gjatë atyre ditëve.»—The Imperial Bible-Dictionary.
Të krishterët besnikë të shekullit të parë, nuk mund të ndiqnin një zakon të tillë, i cili është paraqitur në një mënyrë kaq të pafavorshme nga Bibla dhe është festuar në një mënyrë aq të tmerrshme nga romakët. Sot, të krishterët e vërtetë e dinë që tregimet e Biblës rreth ditëlindjeve bëjnë pjesë midis atyre gjërave që janë shkruar për mësimin e tyre. (Romakëve 15:4) Ata e shmangin festimin e ditëlindjeve, sepse janë festa ku individit i jepet një rëndësi e tepruar. Ajo që vlen më shumë është se shërbëtorët e Jehovait marrin parasysh paraqitjen e pafavorshme që Bibla u bën ditëlindjeve.
[Figura në faqen 25]
Teatri i Çesaresë