Ku janë të dashurit e tu të vdekur?
ALEKSI ishte i dëshpëruar. Brenda një jave kishte humbur dy shokë. Njëri prej tyre, Nevili, vdiq nga plagët e një arme zjarri. Tjetri, Toni, u vra në një aksident automobilistik. Pyetje që nuk e kishin ngacmuar më parë, e trazuan tani djaloshin 14-vjeçar nga Afrika e Jugut. Ai pyeste veten: «Përse duhet të vdesin njerëzit? Çfarë ndodh pas vdekjes?»
Duke shkuar për në funeralin e Nevilit, Aleksi shpresonte sinqerisht se do të gjente përgjigje për pyetjet e tij. «Por,—kujton ai,—prifti vetëm sa lexoi prej një libri dhe tha se Nevili kishte shkuar në qiell. Pastaj, pranë varrit, ai tha se ne presim ringjalljen. Isha i çoroditur. Nëse Nevili ishte në qiell, si mund të ishte në pritje të ringjalljes?»
Më vonë, po atë ditë, Aleksi shkoi në funeralin e Tonit. Ritet u mbajtën në një gjuhë të huaj, kështu që ai s’mundi të kuptonte asgjë. Megjithatë, qëndrimi histerik i disa të pikëlluarve e bindi Aleksin se ata nuk kishin të ngushëlluar. «Atë natë,—shpjegon ai,—isha tmerrësisht i shqetësuar. Ndihesha i pashpresë dhe i humbur. Askush nuk kishte mundur t’u jepte përgjigje të kënaqshme pyetjeve të mia. Për herë të parë në jetën time, pyeta me të vërtetë veten se a ekzistonte një Perëndi.»
Çdo vit, miliona njerëzve, ashtu si Aleksit, vdekja u rrëmben njerëzit e dashur. «Në të gjithë botën,—shpjegon një libër,—në vitin 1991 pati 50.418.000 të vdekur.» (1992 Britannica Book of the Year) Dhe sa miliona të tjerë kanë vdekur më parë? Mendo pak për lumenjtë e lotëve që kanë derdhur të mbeturit gjallë! Sikur të mos mjaftonte dhimbja, atyre u shtohet edhe konfuzioni që shkaktojnë pikëpamjet kontradiktore mbi vdekjen.
Prandaj, si edhe Aleksi, shumëkush zhgënjehet dhe dyshon për ekzistencën e ndonjë baze për të shpresuar në një jetë të ardhshme pas vdekjes. Sipas një enciklopedie «në të gjitha kohët, njerëzit me mend kanë qëndruar veç nga shumica, . . . duke dyshuar se si mund të ekzistojë një shpirt individual apo jeta e veçuar nga truri dhe trupi individual».—Encyclopedia of Religions.
Në mënyrë interesante, enciklopedia e mësipërme pranon se teoria fetare e një shpirti të pavdekshëm që ekziston veç trupit, nuk mbështetet nga Bibla. Është e vërtetë se në disa vende Bibla i referohet «shpirtit» të një personi sikur e lë atë dhe që madje kthehet në një trup të vdekur, por në këto vende «shpirti» është përdorur në kuptimin e «jetës» që humb apo që rifitohet. (Zanafilla 35:16-19; 1. Mbretërve 17:17-23) Shumë shpesh, fjala «shpirt» është përdorur në Bibël për të përshkruar krijesa të dukshme prej mishi dhe gjaku, po, krijesa të gjalla. (Zanafilla 1:20; 2:7) Prandaj, vazhdimisht Bibla pohon se shpirtrat vdesin. (Ezekieli 18:4, 20; Veprat 3:23; Zbulesa 16:3) Fjala e Perëndisë thotë se pasi kanë vdekur, shpirtrat «nuk dinë asgjë».—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:5, 10.
Nga ana tjetër, Bibla përmban tregime mbi të vdekur që janë rikthyer në jetë. Në rastin e Lazrit, kjo gjë ndodhi pas katër ditësh që ai kishte vdekur. (Gjoni 11:39, 43, 44) Çfarë do të ndodhë, pra, me njerëzit që kanë vdekur qindra e mijëra vjet më parë? A kërkon vallë perspektiva e tyre për jetën e ardhshme që Perëndia të ringjallë të njëjtin trup që kishin kur vdiqën?
Jo. Një mendim i tillë nuk përputhet me atë çka u ndodh atomeve që përbëjnë një trup të vdekur. Me kohë, disa nga këto atome thithen nga vegjetacioni, i cili nga ana e tij, konsumohet nga krijesa të tjera dhe bëhet pjesë e trupit të tyre.
A do të thotë kjo se nuk ka asnjë shpresë për ata që kanë vdekur prej shumë kohësh? Jo. Krijuesi i universit tonë të madh ka një kujtesë shumë të madhe dhe të pakufizuar. Në kujtesën e tij të përsosur, ai ka aftësinë për të kujtuar personalitetin dhe aspektet gjenetike të çdo të vdekuri, të cilin ai e ka zgjedhur për ta mbajtur mend. Për më tepër, Perëndia Jehova ka fuqinë për të rikrijuar një trup njerëzor me të njëjtin kod gjenetik të njeriut që ka jetuar më parë. Gjithashtu, ai mund të vendosë brenda tij kujtesën dhe personalitetin e atij që mban mend, si për shembull të Abrahamit.
Pothuajse dy mijë vjet pas vdekjes së Abrahamit, Jezu Krishti dha këtë siguri: «Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit. Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të.» (Luka 20:37, 38) Përveç Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, miliona të vdekur të tjerë janë të gjallë në kujtesën e Perëndisë, duke pritur ardhjen e ringjalljes. «Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve»,—pohon Bibla.—Veprat 24:15.
Pak javë pas atij pikëllimi, Aleksi i gjeti përgjigjet e pyetjeve të tij. Një nga Dëshmitarët e Jehovait e thirri në shtëpinë e vet dhe i tregoi se çfarë thotë Fjala e Perëndisë mbi vdekjen dhe ringjalljen. Kjo e ngushëlloi Aleksin dhe i dha një domethënie të re jetës së tij.
A dëshiron edhe ti të mësosh më shumë mbi shpresën e ringjalljes të bazuar në Bibël? Për shembull, shumica e ringjalljeve do të ndodhin në qiell apo mbi tokë? Çfarë duhet të bëjë një njeri për të marrë miratimin e Perëndisë dhe të përjetojë përmbushjen e premtimit të Tij të mrekullueshëm se njerëzit mund të ribashkohen me të dashurit e tyre të vdekur?