Shkojmë në qiell apo në ferr?
«ÇFARË mundësie keni, për të shkuar në qiell apo në ferr?»
Kjo pyetje iu bë një grupi amerikanësh gjatë një shqyrtimi të kohëve të fundit. Qendra e kërkimeve fetare e Universitetit Princeton i botoi rezultatet në Religion in America 1992-1993.
Si do të përgjigjeshe? Çfarë mundësie kanë bashkëshorti yt apo njerëzit e tjerë të dashur për të shkuar në qiell pas vdekjes? A mendon se është e mundur që ti, apo ata, përfundimisht mund të shkoni në ferr?
Shqyrtimi tregoi se 78 për qind mendonin se kishin mundësi të mira apo të shkëlqyera për të shkuar në qiell dhe ishin më shumë se numri i atyre që u përgjigjën në këtë mënyrë rreth 40 vjet më parë. Po në ferr? Rreth 77 për qind thanë se mundësia për të shkuar atje ishte e vogël.
A ishin përgjigjet e tyre të bazuara në njohurinë e saktë të Biblës? Rreth 4 nga 10 të intervistuarit pohuan se i ndiqnin shërbimet fetare më rrallë sesa pesë vjet më parë. Vetëm 28 për qind pretenduan se merrnin pjesë në studimin në grupe të Biblës dhe 27 përqind në klasat e edukimit fetar.
Në qoftë se studion Biblën me kujdes, do të gjesh disa fakte të habitshme. Për shembull, Bibla në mënyrë specifike thotë se pas vdekjes Jezui shkoi në «ferr», sikurse jepet në disa përkthime të Biblës. (Veprat 2:31, Përkthimi King James; «Hades» Përkthimi Bota e Re) Fjala e Perëndisë gjithashtu tregon se as mbreti David dhe as Gjon Pagëzori nuk shkuan në qiell pas vdekjes. (Mateu 11:11; Veprat 2:29) Këto janë fakte dhe jo mendime të thjeshta nga një shqyrtim fetar.
Fakte të tjera që mund të ndikojnë tek ty: Bibla na mëson se apostujt e Jezuit dhe një numër i caktuar i të tjerëve do të shkojnë në qiell për të mbretëruar me Jezuin. Megjithatë, shumica e njerëzve që kanë vdekur, thjesht kanë shkuar në varrin e përbashkët njerëzor. Perëndia do t’i ringjallë ata, që të jetojnë me perspektivën e një jete të plotë, të lumtur dhe të përhershme mbi një tokë të përtërirë parajsore.
Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të kënaqur të të ndihmojnë për të gjetur në Biblën tënde personale, baza të sigurta për këtë shpresë.