«Si një qytet i fortë»
«ME SHPEJTËSINË e tanishme, para se të arrijnë moshën 18 vjeçare, rreth 40 për qind e fëmijëve në SH.B.A do të dëshmojnë prishjen e martesës së prindërve të tyre.» (Science, 7 korrik 1991) Sa statistikë e frikshme! Përse ndodh kështu?
Në një intervistë me gazetën The Boston Globe, gjykatësi Eduard M. Ginsburg, ekspert në fushën familjare, shprehu pikëpamjen e tij kur tha: «Jemi një shoqëri egoiste. Mendojmë për ‘mua’. Pyesim: ‘Ç’dobi mund të nxjerr unë tani?’ Duam kënaqësi të menjëhershme.»
Një egoizëm i tillë i papjekur çon në hidhërim dhe në konflikt në martesë. Gjykatësi Ginsburg thotë se kur çiftet vijnë në gjykatë për të bërë divorcin, burri dhe gruaja dëshirojnë që dikush t’u thotë që ata kanë të drejtë, ndërsa pala tjetër e ka gabim. Dëshirojnë që dikush t’u thotë: «Ti ke fituar.»
Fjalët e tij na sjellin ndër mend një proverb të frymëzuar: «Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë.» (Proverbat 18:19) Po, kur shpërthen një grindje në martesë, çifti mund të bëhet i paarsyeshëm dhe i ngurtë. Shpesh, ngulin këmbë dhe kundërshtojnë të bëjnë lëshim, si një «qytet i fortë» nën rrethim.
A është e domosdoshme që gjërat të shkojnë kështu? Jo, ka një alternativë. Një martesë do të jetë e fortë kur burri dhe gruaja dëgjojnë këto fjalë të apostullit Pavël qysh në fillim: «Tregohuni mirëdashës e të gatshëm për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe faleni njëri-tjetrin, sepse edhe Perëndia jua fali mëkatet me anë të Mesisë.» (Efesianëve 4:32, ECM) A është e lehtë për të kultivuar këto cilësi? Jo gjithmonë. Por, sa i lehtë është një divorc? Sa të dhimbshme janë ngarkesat emocionale dhe financiare, kur një martesë përfundon në divorc? Dhe ç’mund të themi për fëmijët, që shpesh ndikohen nga pasoja e divorcit të prindërve të tyre derisa rriten?
Është shumë më mirë që bashkëshortët të punojnë për të ruajtur martesën e tyre dhe të mos jenë të papajtueshëm me njëri-tjetrin si një «qytet i fortë». Këshilla e Pavlit duhet zbatuar në mënyrë të veçantë prej çifteve të martuara: «Vishuni me dashuri, sepse është një hallkë e përsosur lidhjeje.»—Kolosianëve 3:14, BR.
[Burimi i figurës në faqen 32]
The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck