Emri i Perëndisë
«Nëse Jehovai nuk ndërton shtëpinë, ndërtuesit lodhen më kot.» Kështu lexon ky mbishkrim latin. Fjalët janë bazuar në Bibël, në Psalmin 127:1 dhe përmbajnë një të vërtetë të thellë: çdo përpjekje që nuk ka bekimin e Jehovait, në fund të fundit do të jetë e kotë.
Mbishkrimi që daton në 1780-ën, u gjet mbi një ndërtesë në Kolombo, Sri Lanka dhe është i shquar sepse përmban emrin e Perëndisë, Jehova. (Shiko foton.) Në shekujt e mëparshëm, ky emër përdorej gjerësisht. Ai shkruhej shpesh mbi ndërtesa shekullore, kisha, madje edhe monedha. Misionarët e përdornin emrin e Perëndisë kur e dërgonin Biblën në vende të largëta, gjë që pa dyshim shpjegon këtë mbishkrim në Sri Lanka.
Sa të ndryshme janë gjërat sot! Pak nga të ashtuquajturit të krishterë interesohen për emrin e Perëndisë. Disa studiues madje i kritikojnë Dëshmitarët e Jehovait për rëndësinë e madhe që i japin atij. Pse? Sepse sipas disave, shqiptimi i tij në hebraisht nuk është saktësisht i njohur. Por sa veta e dinë shqiptimin origjinal në hebraisht të emrit të Jezuit? Megjithatë, emri i tij është përdorur dhe respektuar botërisht.
Për Jezuin, emri i Perëndisë ishte i një rëndësie jetësore. Ai na mësoi të lutemi: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9, BR) Dhe pak para vdekjes së tij, ai i tha Perëndisë: «Emrin tënd ua zbulova njerëzve që ti m’i dhe nga bota.» (Gjoni 17:6, BR) Të krishterët e vërtetë janë ndjekësit e gjurmëve të Jezuit. A nuk duhet që edhe ata gjithashtu «ta bëjnë të njohur emrin e Perëndisë»? Dëshmitarët e Jehovait e bëjnë këtë dhe Jehovai e bekon plotësisht «shtëpinë» e tyre. Për ta është i vërtetë psalmi: «I lumtur është populli Perëndia i të cilit është Jehovai!»—Psalmi 144:15, BR.