A mbivlerësohen transfuzionet e gjakut?
Transfuzionet e gjakut janë bërë të zakonshme në mjekësinë moderne, por a është me të vërtetë i justifikuar reputacioni i tyre? Si mendon?
Dr. Craig S. Kitchens pyeti: «A mbivlerësohen transfuzionet e gjakut?» Ai vuri re se shpesh mjekët mendojnë se duhet të shikojnë nëse dobia e një terapie e tejkalon rrezikun që ajo mund të sjellë. (The American Journal of Medicine, shkurt 1993) Ç’mund të themi për transfuzionet e gjakut?
Kitchens numëroi prova të reja për rreziqet e shumta lidhur me transfuzionet si hepatiti, dëme në lidhje me sistemin imunitar, vënia në rrezik e funksionimit të disa organeve dhe vjellje. Një studim përmblidhte «një numër të madh komplikacionesh» nga transfuzionet e gjakut «që nxjerrin si përfundim se çdo operacion paraqet 20% mundësi për kundërveprime, disa prej të cilave janë të vogla, por të tjerat janë të dëmshme», madje vdekjeprurëse.
Megjithatë, a ia vlen të përballohen rreziqe të tilla për këto dobi të supozuara?
Dr. Kitchens shqyrtoi 16 studime në lidhje me 1.404 operacione tek Dëshmitarët e Jehovait, të cilët nuk e pranojnë transfuzionin e gjakut për t’iu bindur urdhrit biblik që thotë «hiqni dorë nga gjaku»—Veprat 15:28, 29, BR.
Cili qe rezultati? «Vendimi i pacientëve Dëshmitarë të Jehovait për të mos bërë transfuzione në raste ndërhyrjesh kirurgjikale të rënda, duket se shton rrezikshmërinë e vdekjes nga 0.5% në 1.5% nga rreziku i operacioneve të zakonshme. Më pak e qartë është se sa sëmundshmëri dhe vdekshmëri shmangen në këtë mënyrë, por ndoshta e tejkalojnë rrezikun për të mos bërë transfuzion.» (Kursivi është yni.) Arsyeja? Çdo rrezik mjekësor që vjen nga mospranimi i gjakut me sa duket është më i vogël se rreziqet që vijnë nga pranimi i transfuzioneve të gjakut.
Kështu, pyetja e arsyeshme e Kitchens: «Nëse, në të vërtetë mospranimi i transfuzioneve të gjakut nga Dëshmitarët e Jehovait rrit në masë shumë të vogël sëmundjet akute dhe vdekshmërinë dhe eviton një sasi të mjaftueshme sakrificash dhe komplikacionesh kronike, a nuk do të ishte rasti që pacientët t’i nënshtroheshin sa më pak transfuzioneve?»
Ata që nuk pranojnë transfuzione në bazë të këtyre provave, gjithashtu, veprojnë në harmoni me këshillat e Krijuesit tonë.