«Një shenjë prej qiellit»
NJË rimë e vjetër në anglisht thotë: «E kuqja e qiellit të mbrëmjes, marinarin e gëzon/, e kuqja e qiellit në mëngjes, kujdes atij i lajmëron.» Për të parashikuar motin, sot përdoren satelitë, kompjuter, radarë dhe mjete të tjera shkencore. Shpesh, parashikimet përputhen me rimën e lartpërmendur.
Një herë, armiqtë fetarë të Jezu Krishtit i kërkuan atij «një shenjë prej qiellit», një shfaqje të pazakontë për të provuar se ai ishte Mesia. «Kur bëhet mbrëmje,—u përgjigj ai,—thoni: ‘Do të jetë mot i mirë se u skuq qielli.’ Kurse në agim: ‘Sot kemi stuhi, sepse qielli është i kuq e i vrënët.’ Kështu, ju dini t’i shpjegoni dukuritë e qiellit, por shenjat e kohës nuk jeni të zotët t’ i kuptoni! Breznia e prapët dhe lavire kërkon shenjë! Por s’ do t’ i jepet asnjë shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.»—Mateu 16:1-4.
Armiqtë e Jezuit mund të parashikonin motin, por ishin të paaftë për të kuptuar çështjet frymore. Për shembull, ç’mund të themi për «shenjën e Jonës»? Pasi kaloi gati tri ditë në barkun e një peshku të madh, profeti i Perëndisë, Jonai, predikoi në Ninevi dhe u bë kështu një shenjë për kryeqytetin e Asirisë. Brezi i Jezuit e pati «shenjën e Jonës», kur Krishti kaloi tri ditë në varr dhe u ringjall. Dishepujt e tij shpallën dëshmitë e ngjarjes dhe kështu Jezui u bë një shenjë për atë brez.—Mateu 12:39-41.
Në një rast tjetër, dishepujt e Jezuit e pyetën për «shenjën» e «pranisë» së tij të ardhshme në fuqinë e Mbretërisë. Në përgjigje, ai dha një shenjë të përbërë, e cila formohej nga elemente të ndryshme që përfshinin luftëra pa precedent, tërmete të mëdha, mungesë ushqimesh dhe predikimin botëror mbi Mbretërinë e vendosur qiellore të Perëndisë.—Mateu 24:3-14.
A e dallon dot shenjën e pranisë së Krishtit si Mbret i padukshëm qiellor? Elementet e saj po përmbushen mbi këtë brez. (Mateu 24:34) Dhe ç’mund të themi mbi të ardhmen? Bibla nuk zbulon vetëm që fundi i këtij sistemi gjërash është afër, por parashikon, gjithashtu, ditën e re të premtuar të Perëndisë, e cila së shpejti do të vijë e kthjellët dhe e shndritshme për njerëzimin.—2. Pjetrit 3:13.