Misionarët e Mikronezisë
EDHE PSE të ndarë nga shtrirja e gjerë e Oqeanit Paqësor, misionarët e Mikronezisë arrijnë të mblidhen bashkë një herë në vit për një «mbledhje familjeje». Por, ku takohen gjithë këta ungjilltarë që vijnë nga ishuj kaq të largët midis tyre? Me të drejtë në vendin që autoritetet lokale e kanë quajtur «Jehovah Street», adresa e degës së Guamës, nën të cilën ata shërbejnë.
Në qershor 1992, 56 misionarë u takuan në këtë degë, për të marrë pjesë në kongresin krahinor «Mbajtës të dritës». Ajri ushtonte nga të qeshurat dhe bisedat e gëzuara, ndërsa përtëriheshin miqësi të vjetra dhe lidheshin të reja. Si gjithmonë, pozuan mbi shkallët e Sallës së Mbretërisë për një fotografi në grup dhe pastaj zunë vend përreth tavolinave të gjata për darkën vjetore të misionarëve, që këtë vit e bënte të veçantë vizita e Albert Schroeder, pjesëtar i Trupit Udhëheqës.
Për shumë misionarë, ky grumbullim vjetor në Guama është mundësia e vetme për të lënë vendbanimet e tyre të vogla tropikale. Dhe janë me të vërtetë të vogla. Ebeye, njëri prej ishujve Marshall, përbëhet prej vetëm 78 hektarësh. Shtëpitë misionare të Majuros, në Marshalle dhe të Kiribatit në ishujt Gilbert, janë vendosur që të dyja mbi dy ishuj koralorë të gjatë dhe të ngushtë, vetëm 800 m. të gjerë. Prandaj, misionarët e shfrytëzojnë sa më shumë të jetë e mundur udhëtimin e tyre emocionues në Guama.
Edhe pse ideja e predikimit në një ishull të largët tropikal tingëllon romantike, në të vërtetë është një sfidë që pak veta janë në gjendje ta përballojnë. Është interesante se vetëm 7 prej 56 misionarëve vijnë nga Shkolla e Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead). Shumica vjen prej Havait apo Filipineve, ku ishin tashmë shërbëtorë pionierë, të mësuar me jetën e tropikut dhe prej vendlindjeve të tyre shkuan direkt në caktimet e tyre si misionarë.
Pasi ishujt e Mikronezisë gjenden kaq afër ekuatorit, për t’u çuar lajmin e mirë banorëve, misionarëve u duhet të luftojnë me nxehtësinë dhe lagështirën. Komunikimi mund të përbëjë një tjetër sfidë edhe më të madhe. Çdo ishull apo grup ishujsh, ka gjuhën e vet—disa kaq të panjohur, sa nuk gjendet edhe nëpër fjalorë—dhe mund të duhen vite që një i ardhur ta flasë saktësisht. Për të ndihmuar njerëzit e këtyre kulturave të ndryshme që të kuptojnë Biblën, dega e Guamës shtyp literaturë në 11 gjuhë, 9 prej të cilave fliten vetëm në Mikronezi.
Disa ishuj janë kaq të veçuar, saqë aty mund të shkohet vetëm me varkë. Shtëpia misionare e Tul-it, në Chuuk (Truk), gjendet në një ishull të tillë dhe misionarët e atjeshëm duhet t’u besojnë paneleve diellore për të pasur vetëm pak orë elektricitet në ditë.
Gjithsej, në Mikronezi ka 14 shtëpi misionare, që kapin një zonë pothuajse sa Shtetet e Bashkuara kontinentale. Prej më shumë se 400.000 banorëve që jetojnë në atë zonë, 1.000 janë lajmëtarë të lajmit të mirë, të organizuar në 20 kongregacione dhe 3 grupe të veçuara.
Megjithëse në përgjithësi njerëzit në Mikronezi janë mikpritës, zakonet fetare lokale dhe presionet familjare, shkurajojnë shumë veta për të pranuar të vërtetën e Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, edhe pse vepra e predikimit lulëzon kudo (ata 1.000 lajmëtarë të Mbretërisë udhëheqin më shumë se 2.000 studime biblike), disa kongregacione dhe grupe mbeten të vogla. Në ishullin Tinian, për shembull, ka vetëm 5 lajmëtarë, në ishullin Nauru 7 dhe kongregacionet në Yap, Kosrae dhe Rota kanë më pak se 40 lajmëtarë secila. Megjithatë, disa misionarë gjenden në atë vend qysh prej 20 vjetësh. Duhet shënuar se që të gjashtë misionarët e ishullit Belau janë aty, të paktën që prej 12 vjetësh.
Për ata që durojnë, bekimet janë të mëdha. Çdo ditë ka mundësi për të admiruar mrekullitë e krijimit të Jehovait. Ishujt e harlisur të Mikronezisë janë të shpërndarë si smeralde të vegjël në sfondin blu të Paqësorit. Me kilometra plazhe të vetmuara dhe barriera koralore, të populluara nga peshq shumëngjyrësh, tërheqin të apasionuarit mbas sportit të zhytjes që kanë dëshirë të eksplorojnë disa prej vendeve më të mira në botë për zhytje. Dhe në përfundim të çdo dite, mund të vëresh pamjen magjepsëse të diellit që perëndon mbi oqean.
Megjithatë, shpërblimi më i madh është privilegji për t’i shërbyer Jehovait, duke u folur të tjerëve për premtimet e mrekullueshme për të ardhmen. Duke u përpjekur vazhdimisht për të arritur këto premtime, misionarët e Mikronezisë përmbushin fjalët e Isaisë 42:12: «I japin lavdi Jehovait dhe nëpër ishuj le ta shpallin lavdinë e tij.»
[Harta dhe figura në faqen31]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Barrigada, Guama
Santa Rita, Guama
Koror, Belau
Ishujt Truk
Taraua, Kiribati
Lelu, Kosrae
Ebeye
Ishujt Marshall
Majuro
Kolonia, Pohnpei
Songsong, Rota
Chalan Kanoa, Saipan
Jap
MIKRONEZIA
MELANEZIA
ISHUJT KAROLINE
OQEANI PAQËSOR
FILIPINET
GUINEJA E RE
EKUATORI
[Figura]
Misionarë të mbledhur në Guama, Qershor 1992