Duke parashikuar të ardhmen e ekonomisë botërore
PAQËNDRUESHMËRIA e tregjeve ekonomike dhe një farë mungese besimi e analistëve që nuk ditën të parashikojnë rënien e bursës në 1987, i kanë shtyrë disa biznesmenë që t’i drejtohen astrologjisë për të parashikuar të ardhmen e tyre financiare, pohon gazeta londineze Accountancy Age. Gazeta vëren se «astrologët financiarë po gjejnë një numër të konsiderueshëm klientësh me prestigj, për parashikimet e tyre të hollësishme mbi tregun.»
Një konsulent krahason ciklet që has në të dhënat ekonomike që lidhen me çdo ditë të një periudhe prej 30 vjetësh, me lëvizjen e planeteve. Mbi këtë bazë ai jep parashikimet e veta. Ndërsa para 1987 shumë klientë nuk dëshironin të ndiqnin këshillat e tij, tani edhe financierë kokëfortë janë të gatshëm për ta dëgjuar.
Një tjetër astrolog financiar, duke u bazuar në ditën e lindjes, përgatit disa tabela për të përcaktuar karakterin e njerëzve, si dhe për të kërkuar «përcaktimin e periudhave në të cilat mund të ndodhin zhvillime në fushën ekonomike.» Një tjetër beson se luhatjet e tregut të argjendit ndjekin një cikël hënor. Por ky astrolog, ama, ka parë se në krahasim me analistët e zakonshëm financiarë, klientët e tij i lejojnë një «fushë të vogël veprimi për të gabuar.»
Megjithatë, ekziston një parashikim financiar që do të vërtetohet patjetër dhe që s’ka të bëjë fare me astrologjinë. Ky parashikim gjendet në Bibël dhe është i frymëzuar nga Jehovai, Perëndia që kurrë s’i lejon vetes asnjë «fushë të vogël veprimi për të gabuar.» Ai është Perëndia «që s’mund të gënjejë.» (Titit 1:2, NW) Jehovai i deklaroi profetit të vet Ezekielit: «Do ta hedhin në rrugë vetë argjendin e tyre dhe vetë ari i tyre do të bëhet diçka e tmerrshme. As ari dhe as argjendi i tyre nuk do të mund t’i lirojë.»—Ezekieli 7:19.
Kur do të ndodhë kjo? Gjatë «mjerimit të madh» që po vjen, të parathënë nga Jezui dhe që Ezekieli e quajti «dita e zemërimit të Jehovait.» (Mateu 24:21; Ezekieli 7:19) Lulëzimi ekonomik nuk do të garantojë mbijetesën, pavarësisht nga ajo çka mund të parashikojnë astrologët. Vetëm besimi tek Perëndia Jehova, Çlirimtari i Madh, mund të garantojë siguri gjatë këtij pështjellimi botëror, ku do të zhduket gjithë korrupsioni politik, fetar dhe tregtar.—Proverbat 3:5, 6; Sofonia 2:3; 2. Pjetrit 2:9.