Pagëzim «në emër të»
NJË STUDIM i mijëra papirusëve të lashtë jo biblikë të zbuluara në fillim të shekullit në rërat e Egjiptit, shpeshherë na jep mundësi të kuptojmë më mirë Shkrimet e Krishtere Greke. Në çfarë mënyre? Vëzhgimi se si përdoreshin disa fjalë, na ndihmon të kuptojmë më me saktësi përdorimin e po atyre fjalëve në kontekstin shkrimor.
Një shembull është shprehja «në emër të» që Jezui përdori përpara se të ngjitej në qiell, kur u urdhëroi dishepujve: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga personat e të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë.» Ç’donte të thoshte Jezui?—Mateu 28:19, NW.
Dijetarët kanë zbuluar, se në shkrimet jo biblike shprehja «në emër të» është përdorur në lidhje me harxhimet e kryera «mbi llogarinë e ndokujt». Nën dritën e dëshmisë së papirusëve, profesori i teologjisë Dr. G. Adolf Deissmann, mbështet faktin që, «ideja e nënkuptuar . . . në shprehjet pagëzoj në emër të Zotërisë ose besoj në emër të Birit të Perëndisë, është që pagëzimi ose besimi përbëjnë përkatësinë ndaj Perëndisë ose ndaj Birit të Perëndisë.»—Në kursive nga autori.
Fakt interesant, një shprehje e ngjashme përdorej nga hebrenjtë e kohës së Jezuit, ashtu siç shpjegon Theological Dictionary of the New Testament: «Rrethprerja e një prozeliti kryhet . . . ‘në emër të prozelitit’, për ta futur në judaizëm; një rrethprerje e tillë bëhet . . . ‘në emër të besëlidhjes’, për ta futur prozelitin në besëlidhje. Në këtë mënyrë vendoset një marrëdhënie dhe jo izraliti bëhet një prozelit nën autoritetin e besëlidhjes.
Kështu, për të krishterin, pagëzimi që ndjek dedikimin stabilizon një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova, Birin e tij Jezu Krishtin dhe frymën e shenjtë. I kthyeri njeh autoritetin përkatës të tyre në mënyrën e tij të re të jetesës. Konsideroni si mund të thuhet kjo për secilin prej të treve.
Duke njohur autoritetin e Perëndisë i afrohemi atij dhe shtrëngojmë një marrëdhënie me të. (Hebrenjve 12:9; Jakovi 4:7,8) Bëhemi pronë e Perëndisë si skllevër të tij, të blerë me çmimin e sakrificës së shpërblimit të Jezu Krishtit. (1. Korintasve 1:12, 13; 7:23; krahaso Mateu 16:24.) Pagëzimi në emër të Birit tregon se njihet ky fakt, pranimi i Jezuit si «rruga dhe e vërteta dhe jeta».—Gjoni 14:6, NW.
Edhe fryma e shenjtë është esenciale për të pasur një marrëdhënie të drejtë me Jehovain dhe me Jezu Krishtin. Pagëzimi në emër të frymës së shenjtë tregon se njohim rolin e frymës në marrëdhëniet që Perëndia ka me ne. Duam të ndjekim udhëheqjen, duke mos injoruar dhe duke mos vepruar kundër saj, gjë që do ta pengonte atë të vepronte nëpërmjet nesh. (Efesianëve 4:30; 1. Selanikasve 5:19) Natyra e frymës, e cila nuk është një person, nuk krijon asnjë problem në lidhje me përdorimin ose kuptimin, ashtu si në judaizëm përdorimi i shprehjes «në emër të besëlidhjes».
Pra, në kohën e dedikimit dhe të pagëzimit, duhet të mendojmë në lutje mbi atë që sjell marrëdhënia jonë e re. Ajo kërkon t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë, gjë që tregohet nga shembulli dhe nga sigurimi i shpërblimit të Jezu Krishtit, dhe ta bëjmë me anë të frymës së shenjtë që udhëheq të gjithë shërbëtorët e Perëndisë drejt dashurisë dhe bashkimit në të gjithë botën.