Sulm kundër familjes!
«FAMILJA është institucioni më i lashtë njerëzor. Në disa aspekte është më i rëndësishmi. Është elementi themelor i shoqërisë. Qytetërime të tëra kanë mbijetuar apo janë zhdukur, në varësi të fortësisë apo dobësisë së jetës familjare.»
Kështu thoshte World Book Encyclopedia në botimin e 1973. Por, duke parë gjendjen e sotme, këto fjalë marrin një ton kërcënues, gati të kobshëm. Në pak vjet është parë rritja e një sulmi frontal kundër jetës familjare. John Bradshaw, këshilltar i çështjeve familjare, shkruan: «Sot familja është në krizë. . . . Treguesi i lartë i divorceve, abuzimi masiv i drogës, epidemia e rasteve të incestit, shqetësimet e ushqimit dhe keqtrajtimet fizike janë dëshmi se diçka është thellësisht e gabuar.»
Në fakt, «dëshmia se diçka është thellësisht e gabuar» në familje, duket në mbarë botën. The Unesco Courier ka thënë mbi gjendjen në Evropë: «Prej 1965, në gjithë kontinentin, ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të divorceve. . . . [Ka] pasur një rritje të numrit të familjeve me vetëm një prind.» Edhe në vendet në zhvillim duket një rritje e problemeve familjare. Shkrimtarja Hélène Tremblay vëren: «Miliona njerëz që jetojnë brenda shoqërive që kanë njohur një mënyrë jetese normale, të parashikueshme dhe të pandryshueshme, sot po kalojnë një periudhë të turbullt.»
Një alarm të veçantë ngjall ambienti që ekziston sot në shumë familje. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, miliona e miliona fëmijë rriten me një prind të alkoolizuar. Ka pasur edhe një rritje të frikshme të dhunës familjare. Në librin e tyre Intimate Violence (Dhunë intime), kërkuesit Richard Gelles dhe Murray Straus raportojnë: «Në shoqërinë tonë është e mundur të sulmohesh, rrihesh apo të vritesh më tepër në shtëpinë tënde, nga një njeri i dashur, sesa në çfarëdolloj vendi apo nga kushdo tjetër.»
Nëse mbijetesa e qytetërimit varet me të vërtetë nga qëndrueshmëria e familjes, atëherë ka arsye për t’iu trembur të ardhmes së qytetërimit. Megjithatë, fati i qytetërimit mund të ishte preokupimi yt i fundit. Ka më tepër mundësi që shqetësimi yt të lidhet me ndikimin që këto kohë të turbullta mund të kenë mbi familjen tuaj. Si do të përfundojë e gjithë kjo? Përgjigjja, e ardhur prej një burimi autoritar, mund të të habisë me të vërtetë.