BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Zakaria”
  • Zakaria

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Zakaria
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Barakiahu
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Libri biblik numër 38​—Zakaria
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Elizabeta bëhet me fëmijë
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • «Ishin të drejtë në sytë e Perëndisë»
    Ec me Perëndinë plot guxim
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Zakaria”

ZAKARIA

[Jehovai ka kujtuar].

1. Një nga dhjetë bijtë e Jejelit prej fisit të Beniaminit. (1Kr 9:35-37) Në listën paralele të 1 Kronikave 8:31 quhet Zeker që është shkurtimi i emrit Zakaria.

2. Rubenit që ndoshta luftoi kundër hagritëve në kohën e Saulit.​—1Kr 5:6, 7, 10.

3. Derëtar levit që u lavdërua si «këshilltar i matur». Kishte qenë derëtar në hyrje të tendës së takimit dhe, kur Davidi riorganizoi shërbimin e levitëve për tempullin e ardhshëm, Zakarisë i ra shorti në veri. Ai ishte djali i parëlindur i Meshelemiahut, një korahiti në familjen kehathite të levitëve.​—1Kr 9:21, 22; 26:1, 2, 14.

4. Levit i caktuar t’i binte një vegle me tela bashkë me levitët e tjerë në procesionin që çoi arkën e besëlidhjes në Jerusalem. Më pas, Zakaria luajti muzikë para tendës ku qëndronte Arka.​—1Kr 15:18, 20; 16:1, 4, 5.

5. Prift që i ra trumbetës në procesionin që shoqëroi arkën e besëlidhjes në Jerusalem.​—1Kr 15:24.

6. Levit i familjes së Uzielit që u përmend në lidhje me riorganizimin e shërbimit në shtëpinë e Jehovait.​—1Kr 24:24, 25.

7. Levit merarit, bir i Hosahut që bënte pjesë në ndarjet e derëtarëve gjatë mbretërimit të Davidit.​—1Kr 26:1, 10, 11.

8. Manasit; gjatë mbretërimit të Davidit i biri, Idoja, ishte prijësi i fisit në Galaad.​—1Kr 27:16, 21.

9. Levit; i biri, Jahazieli e siguroi Jehozafatin dhe popullin e Judës se Jehovai do të luftonte për ta.​—2Kr 20:13-17.

10. Një nga princat e popullit, të cilin Jehozafati e caktoi në vitin 934 p.e.s. të mësonte ligjin e Jehovait nëpër qytetet e Judës.​—2Kr 17:7, 9.

11. Bir i mbretit Jehozafat. Jehozafati i dha Zakarisë dhe vëllezërve të tij dhurata të shumta, por mbretërinë ia dha Jehoramit, djalit të parëlindur. Pasi hipi në fron, Jehorami vrau Zakarinë, vëllezërit e tjerë të tij dhe disa princa që të forconte pozitën e tij.​—2Kr 21:1-4.

12. Bir i kryepriftit Jehojada. Pas vdekjes së Jehojadës, mbreti Jehoas u largua nga adhurimi i vërtetë, duke dëgjuar këshillat e këqija në vend të profetëve të Jehovait. Zakaria, kushëriri i Jehoasit (2Kr 22:11), e qortoi ashpër popullin për këtë, por në vend që të pendohej, populli e vrau me gurë në oborrin e tempullit. Fjalët e fundit të Zakarisë ishin: «Jehovai shikoftë dhe shpagoftë!» Kjo kërkesë profetike u plotësua, pasi jo vetëm që Siria i solli dëme të mëdha Judës, por edhe Jehoasin e vranë dy shërbëtorë të tij «për shkak të gjakut të bijve të priftit Jehojada». Septuaginta greke dhe Vulgata latine thonë se Jehoasi u vra për të marrë gjakun e «birit» të Jehojadës. Kurse në tekstin masoretik dhe në Peshitën siriake thuhet «bijve», ndoshta në shumës për të treguar se biri i Jehojadës, Zakaria që ishte edhe prift, edhe profet, kishte qenë një njeri i shkëlqyer dhe me merita.​—2Kr 24:17-22, 25.

Ka të ngjarë që Zakaria, biri i Jehojadës, të ishte ai që kishte në mendje Jezui kur profetizoi se ‘këtij brezi [judenjve që jetuan gjatë kohës kur Jezui shërbeu në tokë] do t’i kërkohej llogari për gjakun e gjithë profetëve, që ishte derdhur që nga themelimi i botës, nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra midis altarit dhe shtëpisë’. (Lu 11:50, 51) Vendet që përmendi Jezui përkojnë me vendin ku u vra Zakaria. Në shekullin e parë të e.s., Kronikat ishin libri i fundit kanonik i Shkrimeve Hebraike. Kështu shprehja e Jezuit ‘nga Abeli te Zakaria’, ishte e ngjashme me shprehjen tonë «nga Zanafilla te Zbulesa». Në tregimin paralel të Mateut 23:35, Zakaria quhet biri i Barakiahut, ndoshta një emër tjetër i Jehojadës, veç nëse do të tregojë një brez mes Jehojadës dhe Zakarisë a emrin e një paraardhësi më të hershëm.​—Shih BARAKIAHU.

13. Këshilltar i mbretit Uziah që mbretëroi nga viti 829 p.e.s. deri në vitin 778 p.e.s. Zakaria përshkruhet si ai që «e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë».​—2Kr 26:5.

14. Mbret i Izraelit. Zakaria ishte i biri i Jeroboamit II dhe mbreti i fundit nga dinastia e Jehut. Mbretërimi i tij që zgjati gjashtë muaj, mori fund kur u vra nga Shalumi. (2Mb 15:8-12) I ati i Zakarisë vdiq rreth vitit 803 p.e.s., vitin e 27-të të mbretërimit të Uziahut (2Mb 14:29), megjithatë kaluan rreth 11 vjet para se Zakaria të fillonte mbretërimin e tij që nisi vitin e 38-të të mbretërimit të Uziahut dhe zgjati gjashtë muaj (rr. 792 p.e.s.). (2Mb 15:8, 13) Ndoshta kjo ndodhi sepse ai ishte shumë i ri kur vdiq i ati, ose për shkak të kundërshtimit të fortë (tipik në mbretërinë veriore të Izraelit) që duhej të përballonte para se të vendoste patundshmërisht fronin e tij.

15. Dëshmitar kur Isaia shkroi emrin e të birit në një pllakë; bir i Jeberekisë.​—Is 8:1, 2.

16. Gjyshi nga nëna i mbretit Hezekia.​—2Mb 18:1, 2; 2Kr 29:1.

17. Levit nga bijtë e Asafit që ndihmuan për të hequr objektet e papastra që u nxorën nga tempulli në fillim të mbretërimit të Hezekisë.​—2Kr 29:13, 15-17.

18. Levit kehathit që ishte ngarkuar të mbikëqyrte meremetimet e tempullit të ndërmarra nga mbreti Josia.​—2Kr 34:8, 12.

19. Një nga tre priftërinjtë kryesorë që dhanë me bollëk si kontribut kafshë flie për Pashkën e madhe që organizoi Josia.​—2Kr 35:1, 8.

20. Profet që jetoi pas kthimit nga mërgimi dhe shkrimtar i librit që mban emrin e tij. Zakaria e quan veten ‘biri i Berekisë, biri i Idos’ (Za 1:1, 7), mirëpo në fragmente të tjera ku përmendet Zakaria, emri i Berekisë mungon. (Ezd 5:1; 6:14; Ne 12:4, 16) Ka të ngjarë që Zakaria të ketë lindur diku në Babiloni, pasi aktiviteti i tij profetik filloi vetëm 17 vjet pas kthimit nga mërgimi dhe është e arsyeshme të mendojmë se asokohe ai ishte më shumë se 17 vjeç, megjithëse akoma e quanin ‘i ri’.​—Za 2:4.

Jehovai e përdori Zakarinë dhe Hageun për ta nxitur Zorobabelin, kryepriftin Jeshua dhe judenjtë e kthyer nga mërgimi të përfundonin rindërtimin e tempullit të Jehovait, megjithëse ishte ende në fuqi ndalimi që kishte vënë qeveria perse. (Ezd 5:1, 2; 6:14, 15) Profecia e Zakarisë përmban mesazhet që shpalli ai me këtë synim për dy vjet e një muaj. (Za 1:1, 7; 7:1, 8) Nuk dokumentohet asnjë aktivitet tjetër profetik i tij.​—Shih LIBRI I ZAKARISË.

Megjithëse i ati i këtij Zakarie quhej Berekia, kur Jezui tha ‘Zakaria, biri i Barakiahut’ (Mt 23:35), ka shumë të ngjarë të kishte në mendje një kryeprift që kishte jetuar më parë.​—Shih Zakaria nr. 12.

21. Një nga ‘krerët’ që dërgoi Ezdra për të mbledhur disa shërbëtorë për shtëpinë e Perëndisë kur po udhëtonin drejt Jerusalemit në vitin 468 p.e.s. (Ezd 8:15-17) Ndoshta Zakaria nr. 22 ose nr. 23.

22. Kreu i shtëpisë atërore të Paroshit. Zakaria dhe 150 meshkuj nga kjo shtëpi u kthyen në Jerusalem me Ezdrën. (Ezd 8:1, 3) Ndoshta Zakaria nr. 21.

23. Kreu i shtëpisë atërore të Bebait që ishte në krye të 28 meshkujve të familjes së tij kur u kthyen me Ezdrën. (Ezd 8:1, 11) Ndoshta Zakaria nr. 21.

24. Një nga bijtë e Elamit që prishën martesat me gratë e huaja, sipas këshillës së Ezdrës.​—Ezd 10:10, 11, 26, 44.

25. Një nga ata që qëndruan në të majtë të Ezdrës kur ky i lexoi dhe i shtjelloi Ligjin popullit. Ka të ngjarë të ketë qenë prift.​—Ne 8:1, 2, 4.

26, 27. Dy burra nga Juda, njëri bir i Amariahut dhe tjetri bir i familjes shelanite, pasardhësit e të cilëve jetuan në Jerusalem pas kthimit nga mërgimi në Babiloni.​—Ne 11:4, 5.

28. Prift, biri i Pashkurit, pasardhësit e të cilit jetuan në Jerusalem pas kthimit nga mërgimi.​—Ne 11:10, 12.

29. Prift që i ra trumbetës në procesionin e organizuar me rastin e përurimit të murit të rindërtuar të Jerusalemit; bir i Jonatanit.​—Ne 12:27, 31, 35.

30. Një prift tjetër që i ra trumbetës gjatë të njëjtit përurim ku mori pjesë edhe Zakaria nr. 29.​—Ne 12:40, 41.

31. Prift, i ati i Gjon Pagëzorit. (Lu 3:2) Ai dhe gruaja e tij, Elizabeta, një e afërme e Marisë, nënës së Jezuit, jetonin në kodrat e Judës. Të dy i frikësoheshin Perëndisë dhe u bindeshin urdhërimeve të tij. Megjithëse të shkuar në moshë, ata nuk kishin fëmijë.​—Lu 1:5-7, 36.

Kur i erdhi radha Zakarisë të paraqiste temjan gjatë shërbimit të ‘ndarjes së Abijahut’, ka të ngjarë aty nga fundi i pranverës ose fillimi i verës së vitit 3 p.e.s., ai u fut në shenjtërore si zakonisht. Pikërisht në këtë rast, atij iu shfaq engjëlli i Jehovait, Gabrieli, dhe e njoftoi se përgjërimi i tij ishte dëgjuar dhe gruaja e tij, Elizabeta, do t’i lindte një djalë, të cilin do ta quante Gjon. Gabrieli i shpjegoi Zakarisë si duhej rritur djali dhe çfarë vepre do të kryente. (Lu 1:5-17) Për t’u siguruar më mirë, Zakaria i kërkoi engjëllit një shenjë. Meqenëse e pati të vështirë të besonte, engjëlli i tha se do të mbetej i pagojë derisa të lindte Gjoni. (Lu 1:18-23) Ditën e tetë pas lindjes së foshnjës, Elizabeta nuk pranoi sugjerimet e fqinjëve dhe të të afërmve, por këmbënguli që i biri të quhej Gjon. Kur pyetën të atin, Zakarinë, ai mori një pllakë dhe shkroi: «Emri i tij është Gjon.» Sakaq atij iu kthye goja dhe tha një profeci për veprën që do të kryente i biri dhe Mesia.​—Lu 1:13, 57-79.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo