SIROFENIKIA
Vendi ku banonte gruaja joizraelite e përmendur te Marku 7:26. Ajo ishte nga viset e Tirit dhe të Sidonit. Meqë fjala Sirofeniki është bashkim i «Siri» dhe «Feniki», ka të ngjarë të jetë krijuar ngaqë Fenikia bënte pjesë në provincën romake të Sirisë. Gruaja sirofenikase quhet edhe khananaía (fjalë për fjalë, kananite; përkthyer «fenikase» në BR), sepse banorët e hershëm të Fenikisë e kishin prejardhjen nga Kanaani dhe, me kalimin e kohës, fjala «Kanaan» nënkuptonte kryesisht Fenikinë. (Mt 15:22, shën., NW) Pohimi se ishte «greke» tregon siç duket se e kishte origjinën nga Greqia.—Mr 7:26.
Jo shumë kohë pas Pashkës së vitit 32 të e.s., kjo grua iu afrua Jezu Krishtit dhe i kërkoi me ngulm të dëbonte një demon nga e bija. Në fillim Jezui nuk pranoi dhe ia ktheu: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.» Qentë ishin kafshë të papastra për judenjtë. Mirëpo Jezui e zbuti krahasimin duke i përqasur jojudenjtë me ‘këlyshët e qenve’ që mund të mbaheshin në shtëpi, jo me qentë e rrugëve. Prapëseprapë, fjalët e Jezuit me sa duket shërbyen për ta vënë në provë gruan. Me përulësi, ajo pranoi: «Po, Zotëri. Por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Ato fjalë shprehnin besim të madh, kështu që e bija iu shërua.—Mt 15:21-28; Mr 7:24-30.