LËKURA
Shtresë e hollë që mbështjell trupin e njeriut ose të kafshëve. Lëkura cilësohet si një organ i trupit dhe në fakt ajo kryen shumë funksione në dobi të tij, si e mbron, rregullon temperaturën dhe largon disa mbeturina.
Bibla përmend disa sëmundje të lëkurës (Le 13:1-46; 21:20; Lp 28:27) dhe disa përkeqësime të saj nga ndonjë sëmundje ose uria.—Jb 7:5; 30:30; Va 4:8; 5:10.
Sipas Ligjit, lëkurët e kafshëve që paraqiteshin për disa blatime për mëkatin digjeshin jashtë kampit të Izraelit ose jashtë portës së Jerusalemit. (Da 29:14; Le 4:11, 12; 8:17; 9:11; 16:27; He 13:11) Lëkura e kafshës që një izraelit paraqiste si blatim të djegur i jepej priftit.—Le 7:8.
Pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai u bëri veshje prej lëkure që të mbuloheshin. (Zn 3:21) Disa e përdornin lëkurën e paqethur për veshje, veçanërisht disa profetë (2Mb 1:8, shën., NW), duke përfshirë edhe disa nga ata që ishin të rremë. (Za 13:4) Lëkura e kafshëve shërbente edhe për të bërë sandale (Ezk 16:3, 10); torba (1Sa 17:40); kacekë e calikë për ujë, qumësht dhe verë (Zn 21:14; Js 9:13; Gjy 4:19; Mt 9:17); daulle e ndoshta edhe kasë kumbuese për një instrument të quajtur nével ose «vegël me tela». (Is 5:12) Lëkurët përdoreshin edhe si mbulesa për tabernakullin.—Da 25:2, 5; 26:14; 35:7, 23; 36:19.
Lëkura e deleve, dhive dhe viçave përdorej edhe si material për të shkruar.—Shih PERGAMENA.
Përdorimi i figurshëm. Satanai i tha Jehovait për Jobin: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (Jb 2:4) Në këtë mënyrë, Djalli vuri në dyshim integritetin e njeriut, duke thënë se Jobi do ta mallkonte Perëndinë nëse prekej shëndeti i tij.
Jobi nga ana e vet tha: «Shpëtova me lëkurën e dhëmbëve.» (Jb 19:20, shën.) Për këtë varg janë propozuar përkthime të tjera, por që kërkojnë ndryshime në tekstin hebraik. Nuk ka nevojë të përpiqemi të shpjegojmë këtë thënie të Jobit duke u mbështetur në zbulimet që kanë bërë shkencëtarët kohët e fundit me anë të mikroskopit. Duket se Jobi po thoshte thjesht që shpëtoi gjallë, por pa i mbetur asgjë ose thuajse asgjë. Ai shpëtoi me lëkurën e dhëmbëve, domethënë me «lëkurën» e një gjëje pa lëkurë.