SIMEONI
[dëgjim].
1. I dyti nga 12 bijtë e Jakobit; iu vu ky emër, sepse e ëma, Lea, tha: «Jehovai dëgjoi që më urrenin, prandaj më dha edhe këtë.»—Zn 29:32, 33; 35:23-26; 48:5; Da 1:1-4; 1Kr 2:1, 2.
Kur i ati, Jakobi, kishte fushuar afër Sikemit, Simeoni bashkë me vëllanë e tij më të vogël, Levin, tërë zemërim u hakmorën në një mënyrë jashtëzakonisht brutale dhe mizore. Me kokën e tyre, pa dijeninë dhe pëlqimin e të atit, vendosën të merrnin hak për nderin e motrës së tyre më të vogël, Dinës, duke vrarë sikemitët e duke i sjellë kështu telashe gjithë familjes së Jakobit.—Zn 34:1-31.
Më vonë, Simeoni kreu një shkelje tjetër, kur planifikoi bashkë me vëllezërit të vritnin Jozefin. (Zn 37:12-28, 36) Nuk thuhet nëse Simeoni, si djali i dytë pas të parëlindurit, ishte apo jo nxitësi i komplotit kundër jetës së Jozefit. Vite më vonë, kur ishte administruesi i ushqimit për Egjiptin, Jozefi i vuri në provë vëllezërit e tij dhe zgjodhi Simeonin që ta lidhnin e ta futnin në burg derisa vëllezërit e tjerë të sillnin Beniaminin në Egjipt.—Zn 42:14-24, 34-36; 43:15, 23.
Pak para se të vdiste, Jakobi i bekoi bijtë e tij dhe kujtoi me mosmiratim dhunën e Simeonit dhe të Levit kundër sikemitëve shumë vite më parë, duke thënë: «Armët e tyre janë mjete dhune. Mos hyr në shoqërinë e tyre të ngushtë, o shpirti im! Mos u bashkofsha me kongregacionin e tyre, sepse të zemëruar, ata vranë njerëz! Vepruan me kokën e tyre dhe u prenë dejet demave. Mallkuar qoftë zemërimi i tyre, sepse është mizor, dhe furia e tyre, sepse vepron me ashpërsi! Më lini t’i përhap te Jakobi dhe t’i shpërndaj tek Izraeli.» (Zn 49:5-7) Në këtë mënyrë, Jakobi i shoi Simeonit çdo shpresë që mund të kishte pasur për të marrë të drejtën e të parëlindurit që iu hoq Rubenit, vëllait të tij më të madh. Simeoni pati gjashtë djem, njërin prej tyre nga një kananite. Siç ishte profetizuar, pjesa që iu caktua Simeonit nuk ishte ngjitur me atë të Levit, përkundrazi, të dyja fiset ‘u shpërndanë’; edhe vetë pjesa e Simeonit ishte e copëtuar, pasi formohej nga qytete të veçuara në territorin e Judës.—Zn 46:10; Da 6:15; 1Kr 4:24; Js 19:1.
2. Fis i Izraelit që erdhi nga familjet e gjashtë bijve të Simeonit: Jemuelit, Jaminit, Ohadit, Jakinit, Zoharit dhe Shaulit. (Zn 46:10; Da 6:15) Gjatë udhëtimit të Izraelit në shkretëtirë, Simeoni fushonte bashkë me Rubenin dhe Gadin në jug të tabernakullit; këtë ndarje trifisëshe e printe Rubeni. Gjatë marshimit ruhej e njëjta ndarje fisesh, dhe Shelumieli ishte prijësi i fisit të Simeonit, edhe për kampin, edhe për ushtrinë.—Nu 1:4, 6; 2:10-15; 10:18-20.
Pakësimi i popullsisë. Në kohën kur u bë regjistrimi i parë, një vit pas Daljes nga Egjipti, fisi i Simeonit numëronte 59.300 burra të aftë për shërbimin ushtarak nga mosha 20 vjeç e lart. (Nu 1:1-3, 22, 23) Megjithatë, nga regjistrimi i dytë, rreth 39 vjet më vonë, doli se fisi kishte pësuar humbje të mëdha, pasi kishte vetëm 22.200 burra të asaj kategorie. Kjo paraqiste një rënie prej më shumë se 62 për qind, rënie shumë më e madhe se ajo që kishte pësuar çdonjëri nga fiset e tjera.—Nu 26:1, 2, 12-14.
Moisiu nuk e përmendi me emër Simeonin në bekimin e lamtumirës që i dha Izraelit. Kjo nuk do të thotë se ky fis nuk u bekua, pasi ai u përfshi në fund në bekimin e përgjithshëm. (Lp 33:6-24, 29) Fisi i Simeonit ishte i pari që u përmend mes fiseve që ishin caktuar të qëndronin në malin e Gerizimit kur të shpalleshin bekimet.—Lp 27:11, 12.
Kur u bë caktimi i territoreve në Tokën e Premtuar u mbajt parasysh numri i pakësuar i simeonitëve; fisi nuk mori një territor më vete e të pandarë, por, përkundrazi, qytete të veçuara brenda territorit të Judës. Në këtë mënyrë u plotësua profecia që tha Jakobi më shumë se 200 vjet më parë kur ishte në shtratin e vdekjes. (Nu 34:16-20; Js 19:1-9; krahaso Zn 49:5-7.) Simeoni u bashkua me Judën për t’ua shkëputur këtë territor nga duart kananitëve. (Gjy 1:1-3, 17) Në trashëgiminë e Simeonit u lanë veç disa qytete për fisin e Levit.—Js 21:4, 9, 10; 1Kr 6:64, 65.
Më vonë në historinë biblike. Simeonitët u përmendën herë pas here në historinë e mëvonshme të Izraelit: në kohën e Davidit (1Kr 4:24-31; 12:23, 25; 27:16), në kohën e Asës (2Kr 15:8, 9) dhe në kohën e Josisë (2Kr 34:1-3, 6, 7). Ky referim i fundit në lidhje me reformat e Josisë tregon se, megjithëse gjeografikisht gjendej në territorin e Judës, në aspektin politik dhe fetar Simeoni ishte bashkuar me mbretërinë veriore. Duket se në kohën e Hezekisë 500 simeonitë sulmuan një mbetje amalekitësh dhe u vendosën me banim në vendin e tyre.—1Kr 4:41-43.
Në librat profetikë të Ezekielit dhe të Zbulesës, emri i Simeonit del bashkë me atë të fiseve të tjera të Izraelit. Në vegimin që pa Ezekieli për rregullimin e Tokës së Premtuar, rripi i tokës që iu caktua Simeonit gjendej mes Beniaminit dhe Isakarit, në jug të ‘kontributit të shenjtë’. Kurse porta që i ishte caktuar Simeonit në jug të qytetit të shenjtë përmendet bashkë me atë të Isakarit dhe të Zabulonit. (Ezk 48:21-25, 28, 33) Në vegimin e 144.000 të vulosurve, në kapitullin e 7-të të Zbulesës, fisi i Simeonit renditet i shtati.—Zb 7:7.
3. Një burrë i moshuar, i drejtë dhe plot nderim për Perëndinë, që hyri në tempull ditën që Jozefi dhe Maria çuan atje Jezuin e vogël. Simeonit i ishte zbuluar në mënyrë hyjnore se, para se të vdiste, do të shihte Krishtin. Kështu, ai e mori foshnjën në krahë, bekoi Jehovain dhe nën drejtimin e frymës së shenjtë i tha nënës së fëmijës: «Ky është caktuar për rënien dhe ngritjen sërish të shumë vetave në Izrael.» Gjithashtu, Simeoni profetizoi se Maria do të hidhërohej shumë për vdekjen e dhimbshme të të birit, sikur t’ia tejshponin shpirtin me shpatë.—Lu 2:22, 25-35.