RUBENI
[Ja, një djalë!].
1. I parëlinduri nga 12 bijtë e Jakobit. Nëna e tij, Lea, gruaja që Jakobi donte më pak, ia vuri emrin Ruben, sepse, siç tha ajo, ‘Jehovai e kishte parë brengosjen e saj dhe tani i shoqi do të fillonte ta donte’. (Zn 29:30-32; 35:23; 46:8; Da 1:1, 2; 1Kr 2:1) Falë miratimit të vazhdueshëm të Jehovait për nënën e tij, Rubeni dhe pesë vëllezërit e tij të një gjaku (Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni) përbënin gjysmën e krerëve që hodhën themelet e fiseve të Izraelit; gjashtë të tjerët (Jozefi, Beniamini, Dani, Neftali, Gadi dhe Asheri) ishin gjysmëvëllezër të Rubenit.—Zn 35:23-26.
Disa nga cilësitë e mira të Rubenit dolën në pah kur ua mbushi mendjen nëntë vëllezërve të tij ta hidhnin Jozefin në një gropë uji të tharë në vend që ta vritnin, me synimin që të kthehej fshehurazi e ta nxirrte. (Zn 37:18-30) Më shumë se 20 vjet më vonë, kur po këta vëllezër arsyetuan se akuza si spiunë në Egjipt vinte ngaqë kishin keqtrajtuar Jozefin, Rubeni u kujtoi se ai nuk kishte pasur gisht në komplotin e tyre për t’i marrë jetën Jozefit. (Zn 42:9-14, 21, 22) Përsëri, kur Jakobi nuk pranoi ta linte Beniaminin të shkonte me vëllezërit në udhëtimin e dytë për në Egjipt, pikërisht Rubeni ofroi si garanci dy bijtë e tij, duke thënë: «Po nuk ta ktheva prapë [Beniaminin], vriti të dy!»—Zn 42:37.
Duke qenë i parëlinduri i Jakobit, Rubeni gëzonte të drejtat e djalit të parëlindur të familjes. Si i tillë, atij i takonin dy pjesë nga pronat që do të linte pas i ati. Kur Jakobi bekoi bijtë e tij, pak para se të vdiste, lindi pyetja: a do t’i gëzonte Rubeni të drejtat e të parëlindurit? Për më tepër, si kreu i familjes, patriarku Jakob kishte luajtur rolin e priftit të Jehovait për gjithë familjen, kishte paraqitur flijime në altarin e familjes, ishte lutur në emër të të gjithëve dhe kishte dhënë udhëzime në lidhje me adhurimin. Gjithashtu, duke qenë babai, ai kishte drejtuar gjithë familjen bashkë me shërbëtorët e tij, dhe kishte qenë zot i të gjitha kopeve dhe pronave të tij. A do t’i kalonin Rubenit këto përgjegjësi?
Jakobi iu drejtua të parit Rubenit, duke thënë: «Ruben, ti je i parëlinduri im, gjallëria ime dhe fillimi i fuqisë sime riprodhuese, shkëlqimi i nderimit dhe i forcës. I shthurur porsi ujërat e rrëmbyera, s’ke për t’u shquar, sepse je shtrirë në shtratin e atit tënd. Në atë kohë, e përdhose shtratin tim. Ai hipi në të!»—Zn 49:3, 4.
Jakobi kujtoi një ndodhi që e skualifikonte Rubenin nga privilegjet e të parëlindurit dhe ndikonte te privilegjet e tij të ardhshme. Rubeni e kishte çnderuar të atin. Ai kishte kryer imoralitet, duke bërë incest me konkubinën e të atit, Bilhanë, shërbyesen e Rakelës, gruas që Jakobi donte shumë. Kjo ndodhi pak pasi Rakela vdiq duke sjellë në jetë Beniaminin. Tregimi biblik nuk saktëson nëse Rubeni, i parëlinduri, e dhunoi Bilhanë, shërbyesen, që ajo të mos zinte vendin e Rakelës në zemrën e Jakobit, e kështu të ishte më e favorizuar se e ëma, Lea, apo nëse Rubeni e bëri këtë vetëm nga epshi për të. Tregimi thotë thjesht: «Ndërkohë që Izraeli fushonte në atë vend, Rubeni shkoi e u shtri me Bilhanë, konkubinën e të atit, dhe Izraeli e mori vesh.» (Zn 35:22) Septuaginta greke shton: «Dhe kjo iu duk keq në sytë e tij.»—Zn 35:21, LXX, bot. Tomson.
Megjithatë, Rubeni nuk u mohua dhe as u dëbua menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Vite më vonë, kur bekoi bijtë e tij, Jakobi, nën frymëzimin hyjnor, i tha Rubenit: «S’ke për t’u shquar.» Kështu, Rubenit iu mohuan privilegje që normalisht do të kishin qenë të tijat si biri i parëlindur. Kjo ndodhi sepse kishte qenë «i shthurur porsi ujërat e rrëmbyera». Ai ishte treguar i paqëndrueshëm si ujërat ose i trazuar dhe i rrëmbyer si ujërat që shpërthejnë një digë ose zbresin me tërbim nëpër një luginë përroi. Rubeni duhej të kishte treguar vetëkontroll. Ai duhej të kishte treguar respekt për dinjitetin e të atit dhe për nderin e dy djemve të Bilhasë, konkubinës së të atit.
2. Emri Ruben tregon edhe fisin e formuar nga pasardhësit e Rubenit, si edhe truallin që trashëguan. Fisi i Rubenit erdhi nga katër bijtë e tij, Hanoku, Palui, Hezroni dhe Karmi, krerët e familjeve të rubenitëve.—Zn 46:8, 9; Da 6:14; 1Kr 5:3.
Një vit pasi dolën nga Egjipti, Elizuri, biri i Shedeurit, u zgjodh prijës për të paraqitur gjithë fisin e Rubenit. (Nu 1:1, 4, 5; 10:18) Nga 12 fiset e Izraelit, fisi i Rubenit qe gjithmonë një nga më të vegjlit në numër. Regjistrimi i bërë gjatë vitit të dytë të udhëtimit në shkretëtirë tregoi se rubenitët e aftë për shërbimin ushtarak, nga 20 vjeç e lart, ishin 46.500. Rreth 39 vjet më vonë numri i tyre kishte zbritur në 43.730.—Nu 1:2, 3, 20, 21; 26:5-7.
Në kampin e Izraelit, rubenitët gjendeshin në krahun jugor të tabernakullit, mes pasardhësve të Simeonit dhe të Gadit. Kur niste marshimi, kjo ndarje trifisëshe e kryesuar nga Rubeni, vinte pas ndarjes trifisëshe të Judës, Isakarit dhe Zabulonit. (Nu 2:10-16; 10:14-20) Kjo ishte edhe radha në të cilën fiset paraqitën blatimet në kohën e përurimit të tabernakullit.—Nu 7:1, 2, 10-47.
Kur leviti Korah u rebelua kundër Moisiut, tre rubenitë—Oni, biri i Pelethit, bashkë me Datanin dhe Abiramin, bij të Eliabit—u bashkuan me të duke e akuzuar Moisiun se ‘hiqej si princi i tyre’ dhe se nuk i kishte çuar në «një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë». Me sa duket, Nemueli, vëllai i Datanit dhe Abiramit, nuk mori pjesë në revoltë. (Nu 16:1, 12-14; 26:8, 9) Jehovai tregoi se kjo revoltë ishte në fakt mungesë respekti kundrejt tij; ai bëri që toka të hapej e t’i përpinte të gjallë rebelët dhe familjet e tyre me gjithë ç’kishin.—Nu 16:23-33; Lp 11:6; shih ABIRAMI nr. 1.
Territori i Rubenit. Pak para se Izraeli të hynte në Tokën e Premtuar, fisi i Rubenit dhe i Gadit kërkuan që t’u jepej territori në lindje të Jordanit. Ky vend ishte marrë pas fitores mbi dy mbretër, Sihonit dhe Ogut. Ata thanë se ky ishte vendi ideal për ta, meqë kishin shumë bagëti të imëta e të trasha. Moisiu ua plotësoi këtë kërkesë atyre (dhe gjysmës së fisit të Manaseut) me kusht që forcat luftarake të këtyre fiseve të kalonin Jordanin për të ndihmuar fiset e tjera që të pushtonin Kanaanin, kusht që ata ishin gati ta respektonin.—Nu 32:1-38; Js 1:12-18; 4:12, 13; 12:6; 13:8-10.
Kështu, trashëgimia territoriale e Rubenit u përcaktua para se izraelitët të kalonin Jordanin, pasi pjesën jugore të mbretërisë së pushtuar të Sihonit, Moisiu ia dha këtij fisi. Ajo shtrihej nga lugina e përroit të Arnonit, një kufi natyror që e ndante këtë territor nga Moabi në jug, deri pak më në veri të Detit të Vdekur; vendi në veri të Rubenit iu dha gaditëve. (Nu 34:13-15; Lp 3:12, 16; 29:8; Js 13:15-23; 18:7) Territori i amonitëve formonte kufirin në lindje, kurse Deti i Vdekur dhe lumi Jordan formonin kufirin në perëndim. (Js 15:1, 6; 18:11, 17) Një nga gjashtë qytetet e strehimit, Bezeri, gjendej në territorin e Rubenit. Ky dhe qytete të tjera rubenite u lanë për levitët.—Lp 4:41-43; Js 20:8; 21:7, 36; 1Kr 6:63, 78, 79.
Moisiu porositi që, pasi izraelitët të arrinin në zemër të Kanaanit, fisi i Rubenit, bashkë me atë të Gadit, Asherit, Zabulonit, Danit dhe Neftalit, të paraqitej në malin e Ebalit për të lexuar mallkimet, kurse fiset e tjera të paraqiteshin në malin e Gerizimit për të shpallur bekimet. (Lp 27:11-13) Pasi dha këto porosi, Moisiu bekoi Rubenin dhe fiset e tjera. Rubenitëve ai u tha: «Rroftë Rubeni e mos vdektë, burrat e tij mos u pakësofshin!»—Lp 33:1, 6.
Në fund të fushatës së tij në Kanaan, Josiu grumbulloi luftëtarët e Rubenit, të Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut, e si i lavdëroi që kishin mbajtur premtimin që i kishin bërë Moisiut, i nisi në shtëpi me bekimin e tij. (Js 22:1-8) Kur arritën në Jordan, ata ngritën një altar të stërmadh në krahun perëndimor, akt që fillimisht u keqinterpretua nga fiset e tjera dhe për pak sa nuk solli prishjen e marrëdhënieve mes tyre, madje luftë civile. Megjithatë, kur shpjeguan se altarin nuk e kishin bërë për flijime, por si dëshmi besnikërie mes fiseve nga të dyja anët e Jordanit, altarit i vunë një emër, mbase «Dëshmi», sepse, siç thanë ata: «Ai është një dëshmi mes nesh që Jehovai është Perëndia i vërtetë.»—Js 22:9-34.
Historia e mëvonshme. Shumë vite më vonë, kur kënduan një këngë të madhërishme fitoreje, Baraku dhe Debora kujtuan edhe një herë që rubenitët nuk ishin bashkuar me ta për të luftuar kundër Siserës. Për pasojë, «mes ndarjeve të Rubenit kishte shumë hamendje». (Gjy 5:15, 16) Në kohën e Saulit, rubenitët u bashkuan me fqinjët e tyre dhe korrën një fitore të madhe kundër hagritëve dhe aleatëve të tyre, «sepse gjatë luftës ata i thirrën Perëndisë për ndihmë, dhe ai iu përgjigj përgjërimit të tyre, ngaqë ata kishin besim tek ai». (1Kr 5:10, 18-22) Më pas, ata pushtuan pjesë të territorit hagrit dhe banuan atje me sa duket deri në shekullin e tetë p.e.s., kur Izraeli u pushtua nga asirianët dhe rubenitët u morën ndër të parët në mërgim. (1Kr 5:6, 22b, 26) Disa rubenitë individualisht dhe fisi në tërësi përmenden në lidhje me historinë e Davidit, si para, ashtu edhe pasi u bë mbret.—1Kr 11:26, 42; 12:37, 38; 26:32; 27:16.
Në profeci. Në librat me simbole të Ezekielit dhe të Zbulesës, është domethënëse radha në të cilën përmendet fisi i Rubenit në raport me fiset e tjera. Për shembull, Ezekieli pa në vegim në mes të fiseve ‘kontributin e shenjtë’, domethënë një pjesë toke ku gjendej tempulli i Jehovait, qyteti që quhej Jehova-Shamah, që do të thotë «Vetë Jehovai është atje», dhe territorin që u përkiste priftërinjve levitë dhe prijësit. Ngjitur me këtë rrip toke të shenjtë, në veri gjendej Juda, dhe menjëherë në krahun verior të Judës ishte Rubeni. (Ezk 48:6-22, 35) Edhe porta me emrin e Rubenit në anën veriore të qytetit të shenjtë Jehova-Shamah, ishte afër portës që mbante emrin e Judës. (Ezk 48:31) Po ashtu, në vegimin e Gjonit për vulosjen e 12 fiseve frymore të Izraelit, Rubeni përmendet i dyti, pas fisit të Judës.—Zb 7:4, 5.