ULTËSIRA E REFAIMIT
Rrafshinë e gjerë ose luginë afër Jerusalemit. Supozohet ta ketë marrë emrin nga populli shtatlartë i refaimëve që duhet të ketë jetuar aty një herë e një kohë. Përmendet si kufi mes territorit të Judës dhe Beniaminit. (Js 15:1, 8; 18:11, 16) Në skajin verior kishte një mal ose kreshtë që gjendej përballë luginës së Hinomit. Mendimi i trashëguar është se ultësira e Refaimit përkon me rrafshinën e Bakës në jugperëndim të Malit të Tempullit, e cila zbret për rreth 1,5 km dhe pastaj ngushtohet duke formuar Vadi-el-Verdin (Nahal-Refaʼimin).
Meqë ishte rrafshinë pjellore (Is 17:5) dhe ndodhej afër Jerusalemit e Betlehemit, filistinët duhet ta kenë lakmuar shumë. (2Sa 23:13, 14; 1Kr 11:15-19) Pasi Davidi u miros si mbret i Izraelit, filistinët mësynë herë pas here në ultësirën e Refaimit, por ai ndiqte udhëzimet e Perëndisë dhe dilte fitimtar kundër tyre.—2Sa 5:17-25; 1Kr 14:8-17; shih BAAL-PERAZIMI.