MIKAJAHU
[kush është si Jehovai?].
1. Bir i Imlahut dhe profet i Jehovait në mbretërinë veriore të Izraelit gjatë sundimit të Akabit. (1Mb 22:8) Ndërkohë që Jehozafati, mbreti i Judës, kishte shkuar të vizitonte Akabin, mbretin e Izraelit, ky e ftoi në një fushatë ushtarake kundër sirianëve. Synimi i tij ishte të rimerrte Ramot-Galaadin. Para se të pranonte, Jehozafati deshi të dinte çfarë thoshte Jehovai. Kështu, Akabi mblodhi 400 profetë dhe i pyeti: «Të shkoj në luftë kundër Ramot-Galaadit, apo të mos shkoj?» Ata i thanë të shkonte, se Jehovai do t’ia jepte në dorë qytetin. Megjithatë, Jehozafati donte të sigurohej mirë. Kështu Akabi, edhe pse pa dëshirë, dërgoi të thërrisnin Mikajahun, profetin që gjithmonë kishte profetizuar gjëra të këqija për të. Lajmëtari e nxiti Mikajahun t’i thoshte Akabit atë që i kishin thënë edhe profetët e tjerë. Në fillim Mikajahu atë bëri, por Akabi e vuri në be që t’i thoshte «të vërtetën në emër të Jehovait». Atëherë Mikajahu tha: «Unë i shoh tërë izraelitët të shpërndarë nëpër male, si delet pa bari.»—1Mb 22:1-17; 2Kr 18:1-16.
Pastaj Mikajahu tregoi vegimin ku kishte parë Jehovain të ulur në fronin e tij qiellor duke pyetur krijesat frymore që ishin mbledhur: «Kush do t’ia prishë mendjen Akabit, që të shkojë dhe të vritet në Ramot-Galaad?» Një prej tyre u ofrua të shkonte e të bëhej «një frymë mashtruese» në gojën e të gjithë profetëve të Akabit. Jehovai ia ktheu: «Ti do t’ia prishësh mendjen dhe do t’ia dalësh mbanë. Shko e bëj ashtu.» Kështu, Mikajahu i tregoi Akabit se Perëndia kishte vënë një frymë mashtruese në gojën e gjithë profetëve të tij, por vetë ‘Jehovai thoshte se atij do t’i binte një gjëmë’. Sakaq Zedekia, një profet i rremë, i dha një shpullë Mikajahut dhe i tha me tallje: «Nga kaloi fryma e Jehovait prej meje për të folur me ty?» Mikajahu ia ktheu pa iu dridhur qerpiku: «Ke për ta parë nga kaloi, ditën kur të hysh në dhomën më të futur për t’u fshehur.» Pas kësaj, Akabi urdhëroi që Mikajahun ta futnin në burg e t’i jepnin një racion më të vogël buke dhe uji derisa mbreti të kthehej me fitore. Mirëpo Akabi nuk u kthye më, pasi gjatë betejës në Ramot-Galaad «një burrë tendosi harkun dhe pa dashje goditi mbretin e Izraelit» që pas ca orësh vdiq. Fjalët e fundit që i kish thënë Mikajahu Akabit ishin: «Në u kthefsh me fitore, Jehovai nuk ka folur me mua.» Vdekja e mbretit tregoi se Mikajahu ishte vërtet profet i Jehovait.—1Mb 22:18-37; 2Kr 18:17-34.
2. Një nga princat që mbreti Jehozafat dërgoi bashkë me levitët dhe priftërinjtë në mbarë Judën për të mësuar popullin. Në të gjitha qytetet e Judës ku shkonin, ata kishin me vete «librin e Ligjit të Jehovait».—2Kr 17:7-9.
3. I ati i Akborit (Abdonit) të cilin mbreti Josia e nisi bashkë me të tjerë të pyesnin Jehovain për fjalët e librit të sapogjetur të Ligjit. Ai quhet edhe Mikea.—2Mb 22:12, 13; 2Kr 34:20, 21.
4. ‘Bir i Gemariahut, birit të Shafanit.’ Ai ishte i pranishëm në dhomën e ngrënies së të atit, Gemariahut, kur Baruku lexoi para të gjithëve rrotullën me fjalët që kishte thënë Jehovai nëpërmjet Jeremisë kundër Izraelit, Judës dhe të gjitha kombeve. Pasi dëgjoi mesazhin, Mikajahu i tregoi sekretarit të mbretit Jehojakim dhe princave çfarë kishte dëgjuar.—Jr 36:2, 9-13.
5. Paraardhës i priftit Zakaria, njërit prej atyre që u binin trumbetave në ceremoninë e përurimit të murit të rindërtuar të Jerusalemit. Quhet edhe Mika.—Ne 11:22; 12:31, 35.
6. Prift mes atyre që u binin trumbetave në një nga dy «koret e falënderimit» gjatë përurimit të murit të rindërtuar të Jerusalemit në kohën e Nehemisë.—Ne 12:40, 41.