KITIMI
Emri i një prej katër ‘bijve’ të Javanit, ndonëse në të gjitha shkrimet ky emër del vetëm në numrin shumës të hebraishtes. (Zn 10:4; 1Kr 1:7) Në rastet e tjera tregon një popull dhe një rajon.
Historiani Jozef (Antikitete judaike, I, 128 [vi, 1]) e quante Kitimin «Kethimos» dhe e lidhte me Qipron e me «emrin Chethim, që hebrenjtë e përdornin për gjithë ishujt dhe për shumicën e vendeve bregdetare». Fenikasit e lashtë i quanin kitti banorët e Qipros. Sot studiuesit në përgjithësi pajtohen me mendimin se Kitimi ishte Qiproja.
Qyteti i Kitionit (Sitiumi), në bregun juglindor të Qipros, njihet si koloni fenikase, prandaj disa studiues e shohin si pasaktësi përmendjen e Kitimit mes pasardhësve të Jafetit. (Zn 10:2, 4; 1Kr 1:5, 7) Mirëpo dëshmitë tregojnë se fenikasit mbërritën më vonë në Qipro, dhe kolonia e tyre në Kition mendohet se u ngrit vetëm aty nga shekulli i 9-të p.e.s. Në fakt, pasi e quan Kitionin «qytetin kryesor fenikas në Qipro», një enciklopedi shton: «Rrënojat më të moçme në Sitium i përkasin një kolonie të Egjeut të epokës mikenase (rr. 1400-1100 p.e.s.).»—The New Encyclopædia Britannica, 1987, vëll. 3, f. 332; shih edhe vëll. 16, f. 948.
Kitimi mund të përfshinte edhe zona të tjera përveç ishullit të Qipros, siç shihet nga fjalët e Jozefit të cituara më sipër se emri hebraik përfshinte edhe ishuj të tjerë të Mesdheut e vende bregdetare, ndër të cilët Qiproja ishte thjesht vendi më i afërt (me Palestinën) nga gjithë vendet e Kitimit. Këtë duket se e mbështetin edhe shkrimet e Ezekielit 27:6 dhe Jeremisë 2:10, ku përmenden «ishujt» dhe «viset bregdetare» të Kitimit. Disa komentues mendojnë se Kitimi ka këtë kuptim më të gjerë edhe te Numrat 24:24, ku profeti Balaam, bashkëkohës i Moisiut, paratha se ‘anijet nga brigjet e Kitimit’ do t’i sillnin vuajtje Asirisë dhe Eberit, por në fund sulmuesi do të zhdukej. Sipas kësaj pikëpamjeje, sulmi ndoshta erdhi nga viset bregdetare të Maqedonisë, prej nga u nis Aleksandri i Madh kur pushtoi vendin e «Ashurit» (Asirinë dhe Babiloninë) me gjithë Perandorinë Medo-Perse; të tjerë mendojnë se sulmuesit ishin romakë nga brigjet mesdhetare të Italisë. Te ky varg, Numrat 24:24, Vulgata latine thotë ‘Italia’ në vend të ‘Kitimi’ dhe Targumi i Onkelosit thotë ‘romakët’; kurse libri apokrif i 1 Makabenjve (1:1, JB ) e përdor emrin Kitim për Maqedoninë.
Në shpalljen e Isaisë kundër Tirit, Kitimi (me sa duket Qiproja) është vendi ku anijet e Tarshishit që udhëtojnë drejt lindjes marrin lajmin për rënien e Tirit; në po këtë shpallje, Jehovai i thotë ‘virgjëreshës së Sidonit’ që ‘të shkojë në Kitim’, por më kot do të kërkojë strehë atje. (Is 23:1, 11, 12) Kjo përputhet me dëshmitë historike që tregojnë se në kohën kur profetizonte Isaia (rr. 778–ps. 732 p.e.s.), në Qipro kishte koloni fenikase. Në një mbishkrim të Senakeribit rrëfehet se mbreti Luli i Sidonit ia mbathi për në ishullin e Jadnanës (Qipros) pas sulmit asirian. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 287, 288) Po ashtu, gjatë rrethimit 13-vjeçar të Tirit nga Nabukodonosori, shumë banorë të Tirit me sa duket kërkuan shpëtim në Qipro, në përmbushje të shpalljes së Isaisë.
Për herë të fundit Kitimi përmendet (me këtë emër) në profecinë e Danielit për rivalitetin mes «mbretit të veriut» dhe «mbretit të jugut», ku tregohet se «anijet e Kitimit» pengojnë një sulm të «mbretit të veriut».—Dn 11:30; shih QIPROJA.