ZORRËT
Fjala hebraike kérev është përkthyer «të përbrendshmet», «përbrenda» ose «zorrët» e njerëzve dhe të kafshëve. (Da 12:9; 29:13; Ps 5:9) Kjo fjalë tregon diçka që është «brenda» dhe shpesh përdoret si parafjalë në kuptimin «në mes të».—Lp 17:20.
Një term tjetër që tregon organet e brendshme është fjala hebraike meʽéh. Kjo fjalë del gjithmonë në numrin shumës (meʽím ) e përkthehet ‘zorrë’ te 2 Samuelit 20:10 dhe 2 Kronikave 21:15, 18, 19. Ajo mund të tregojë pjesët e brendshme të një krijese, si në rastin e peshkut të madh që gëlltiti Jonain. Në këtë tregim termi del dy herë dhe është përkthyer ‘barku’ i peshkut të madh. (Jn 1:17; 2:1, 2) Ajo mund t’i referohet edhe aparatit riprodhues të njeriut. (Zn 15:4; Ru 1:11) Për shkak të lidhjes së dukshme mes ndjenjave dhe organeve të brendshme, zorrët ose të përbrendshmet konsideroheshin vatra e ndjenjave më të thella.—Krahaso Is 63:15; Jr 4:19; 31:20.
Zorrët përvetësojnë ushqimin. Ky proces u përdor në mënyrë metaforike për të paraqitur përvetësimin mendor ose frymor. Në fakt, në një vegim, Ezekielit iu tha të hante një rrotull e të mbushte me të zorrët (heb., meʽím ). Ai duhej të forcohej frymësisht duke medituar për fjalët e rrotullës e duke i ruajtur në kujtesë. Në këtë mënyrë, ai u ushqye frymësisht dhe mori një mesazh për të shpallur.—Ezk 3:1-6; krahaso Zb 10:8-10.
Në Shkrimet e Krishtere Greke fjala splágkhna, që fjalë për fjalë do të thotë ‘zorrë’, përdoret një herë për të treguar zorrët si organ. (Ve 1:18) Kurse në vargje të tjera është përdorur në mënyrë metaforike për të treguar ‘përzemërsinë e butë’ dhe ‘dhembshurinë e butë’.—2Ko 6:12; Fi 1:8; 2:1; Kl 3:12; 1Gjo 3:17.