BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Goliadi”
  • Goliadi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Goliadi
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • «Beteja i përket Jehovait»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Davidi dhe Goliadi
    Libri im i tregimeve biblike
  • Lahmi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • «Beteja i përket Jehovait»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2016
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Goliadi”

GOLIADI

Një njeri gjigant nga qyteti i Gathit; kampion i ushtrisë filistine, të cilin e vrau Davidi. Goliadi ishte jashtëzakonisht i gjatë, gjashtë kute e një pëllëmbë (2,9 m). Thuraku i tij prej bakri peshonte 5.000 sikla (57 kg), kurse tehu prej hekuri i heshtës peshonte 600 sikla (6,8 kg). (1Sa 17:4, 5, 7) Goliadi ishte nga Refaimi; ai mund të ketë qenë mercenar në ushtrinë filistine.​—1Kr 20:5, 8; shih REFAIMËT.

Pak pasi Davidi u miros nga Samueli dhe pasi fryma e Jehovait ishte larguar nga mbreti Saul (1Sa 16:13, 14), filistinët u mblodhën në Sokoh për të luftuar kundër Izraelit dhe fushuan në Efes-Damim. Ushtria filistine dhe ajo e Saulit u rreshtuan në formacion beteje përballë njëra-tjetrës në dy anët e luginës. Goliadi, luftëtari gjigant, doli nga kampi i filistinëve dhe me zë të lartë u kërkoi izraelitëve një burrë që të matej me të në dyluftim, për të vendosur se cila ushtri do t’i shërbente ushtrisë tjetër. Për 40 ditë me radhë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, ushtrisë së Izraelit, të tmerruar nga frika, iu desh të dëgjonte këto provokime. Asnjë ushtar izraelit s’kishte guxim të dilte në dyluftim.​—1Sa 17:1-11, 16.

Duke sfiduar forcat ushtarake të Jehovait, Perëndisë së gjallë, Goliadi vulosi dënimin e vet me vdekje. Davidi, një bari i ri që kishte frymën e Perëndisë, pranoi të matej me Goliadin. Goliadi, të cilit i paraprinte shqytari që mbante një mburojë të madhe, filloi t’i afrohej Davidit duke e mallkuar në emër të perëndive të veta. Davidi ia ktheu: «Ti po vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave ushtarake të Izraelit, të cilin ti e ke sfiduar.» (FIGURA, vëll. 1, f. 745 në botimin anglisht) Davidi mori një gur, e gjuajti me hobe dhe e goditi filistinin mu në ballë, e ky u shemb përtokë. Pastaj iu afrua Goliadit, i mori shpatën dhe i preu kokën. Fill pas kësaj, filistinët ia mbathën dhe izraelitët i ndoqën e i masakruan.​—1Sa 17:26, 41-53.

«Pastaj Davidi mori kokën e filistinit dhe e çoi në Jerusalem, kurse armët e tij i vuri në tendën e vet.» (1Sa 17:54) Edhe pse Davidi e shtiu në dorë kalanë e Sionit kohë më vonë (2Sa 5:7), qyteti i Jerusalemit prej kohësh banohej nga izraelitë dhe jebusitë. (Js 15:63; Gjy 1:8) Pas njëfarë kohe, me sa duket, Davidi e dorëzoi shpatën e Goliadit në shenjtërore. Këtë e dëshmon fakti që prifti Ahimelek ia ktheu Davidit kur ky po ia mbathte nga Sauli.​—1Sa 21:8, 9.

Te 2 Samuelit 21:19 fragmenti «Elhanani, biri i betlehemitit Jare-Oregim, vrau Goliadin, gititin, që e kishte shkopin e heshtës si shul tezgjahu», ka sjellë disa vështirësi. Tregimi paralel te 1 Kronikave 20:5 thotë: «Elhanani, biri i Jairit, vrau Lahmin, vëllanë e Goliadit, gititit, që e kishte shkopin e heshtës si shul tezgjahu.»

Për këtë problem janë paraqitur disa shpjegime. Sipas një tradite të ruajtur në Targum, Elhanani është Davidi. Një vepër (Soncino Books of the Bible, nga A. Koheni, Londër, 1951, 1952) komenton se fare mirë mund të ketë pasur dy Goliadë. Veç kësaj, sipas së njëjtës vepër, termi goliad mund të ketë qenë edhe një titull përshkrues njësoj si «faraon», «rabshakeh» dhe «sulltan». Nga ana tjetër, përderisa në njërin varg përmendet ‘Jare-Oregimi’, kurse në tjetrin ‘Jairi’, dhe përderisa vetëm në tregimin e Librit të Dytë të Samuelit gjendet termi ‘betlehemit [heb., behth hallaħmí]’, ndërkohë që emri ‘Lahmi [ʼeth-Laħmí]’ gjendet vetëm në tregimin e Kronikave, pjesa më e madhe e studiuesve mendojnë se kemi të bëjmë me një gabim gjatë kopjimit.​—Shih JARE-OREGIMI; LAHMI.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo