GEDALIAHU
[Jehovai është i madh].
1. Këngëtar levit; në kohën e Davidit u caktua me short të drejtonte ndarjen e 2-të nga 24 grupet e shërbimit me 12 muzikantë secili.—1Kr 25:3, 9, 31.
2. Gjyshi i profetit Sofonia dhe ndoshta pasardhës i mbretit Hezekia.—So 1:1.
3. Bir i Pashkurit; një nga princat në Jerusalem që akuzuan Jereminë para mbretit Zedekia se po shkurajonte luftëtarët e mbarë popullin dhe që kërkuan vdekjen e Jeremisë. Meqë mbreti u la dorë të lirë, princat e hodhën Jereminë në një sternë me llucë.—Jr 38:1-6.
4. ‘Biri i Ahikamit, birit të Shafanit.’ Pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., mbreti Nabukodonosor e vuri Gedaliahun guvernator të judenjve që kishin mbetur në Judë. Gedaliahu e vendosi rezidencën në Mizpah ku shkoi të banonte edhe profeti Jeremia. Krerët ushtarakë judenj që kishin shpëtuar pa u kapur, morën vesh se Gedaliahu ishte bërë guvernator dhe shkuan bashkë me njerëzit e tyre në Mizpah. Gedaliahu i siguroi duke u betuar se do t’u vente mbarë për aq kohë sa t’i shërbenin mbretit të Babilonisë dhe i inkurajoi të mblidhnin verë, vaj dhe fruta vere. Edhe judenjtë që ishin shpërndarë në Moab, Amon, Edom e vende të tjera filluan të shkonin te Gedaliahu.
Kjo nuk i pëlqeu Baalisit, mbretit të Amonit, që arriti të siguronte bashkëpunimin e Ismaelit në komplotin për vrasjen e guvernatorit Gedaliah. Kur e morën vesh këtë, Johanani dhe krerët e tjerë të ushtrisë e këshilluan guvernatorin të hapte sytë, por ai nuk u besoi. Madje Johanani iu afrua veçmas Gedaliahut dhe i tha se ishte gati ta prishte komplotin duke vrarë Ismaelin. Por Gedaliahu nuk ia vuri veshin, se mendonte që po e gënjenin për Ismaelin. Kështu nuk mori asnjë masë kur Ismaeli me dhjetë burra shkoi në Mizpah. Ai u ul në tryezë me ta dhe, gjatë kohës që po hanin, Ismaeli e burrat e tij e vranë bashkë me gjithë judenjtë e kaldeasit që ishin me të.—2Mb 25:22-25; Jr 39:14; 40:5–41:3.
5. Prift në kohën e Ezdrës; një ndër ata që kishin marrë gra të huaja dhe premtuan t’i largonin.—Ezd 10:18, 19.