BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Ezekieli”
  • Ezekieli

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ezekieli
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Libri biblik numër 26​—Ezekieli
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—I
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • «Tani të erdhi fundi!»
    Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
  • Si na ndihmon Jehovai të kryejmë shërbimin tonë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Ezekieli”

EZEKIELI

[Perëndia forcon].

Biri i Buzit që ishte prift. Ishte një ndër robërit që Nabukodonosori mori në Babiloni bashkë me Jehojakinin në vitin 617 p.e.s. Vegimet e para nga Perëndia i mori «vitin e tridhjetë, ditën e pestë të muajit të katërt» që përkonte me «vitin e pestë të mërgimit të mbretit Jehojakin». U profetizoi judenjve që jetonin afër lumit Kebar që, sipas disa studiuesve të sotëm, ishte një nga kanalet e mëdha të Babilonisë. Shprehja ‘viti i tridhjetë’ duket se lidhet me moshën e Ezekielit. Pikërisht në këtë kohë ai filloi aktivitetin si profet.​—Ezk 1:1-3.

Meqenëse vinte nga një familje priftërore, patjetër ai e njihte mirë tempullin, gjithçka që kishte lidhje me të, si edhe gjithë aktivitetin që zhvillohej aty. Veç kësaj, pa dyshim e njihte mirë Ligjin. Gjithashtu, Ezekieli duhet ta ketë njohur mirë Jereminë dhe profecitë e tij, sepse Jeremia shërbeu si profet në Jerusalem gjatë rinisë së Ezekielit. Për më tepër, Ezekieli kishte jetuar në Judë gjatë një pjese të mbretërimit të mbretit të drejtë Josia që rrëzoi altarët e Baalit dhe shëmbëlltyrat e gdhendura, iu fut riparimit të tempullit dhe, kur në tempull gjetën librin e Ligjit (me sa duket origjinalin e shkruar nga Moisiu), intensifikoi reformat për adhurimin e pastër në Judë.​—2Kr 34.

Në cilat vende kyçe gjendeshin profetët e Jehovait para se Babilonia të shkatërronte Jerusalemin?

Ezekieli shërbeu si profet në të njëjtën kohë me Jereminë dhe Danielin. Jeremia shërbeu si profet i Perëndisë për judenjtë që banonin në Jerusalem e në Judë dhe pati kontakte me mbretërit e korruptuar të Judës. Danieli ndodhej në oborrin mbretëror të Babilonisë e më vonë të Medo-Persisë dhe paratha se fuqitë botërore do t’i zinin vendin njëra-tjetrës e do të asgjësoheshin nga Mbretëria e Perëndisë. Ezekieli shërbeu mes popullit jude e krerëve të tij në Babiloni dhe e vazhdoi veprën e profetëve pikërisht atje. Kështu, ndërkohë që judenjtë në Jerusalem kishin tempullin, kryepriftin dhe Jereminë si profet e prift, edhe ata që ishin në Babiloni Jehovai nuk i kish braktisur. Ezekieli ishte profeti i Perëndisë për ta dhe, ndonëse nuk bënte flijime, i këshillonte dhe u mësonte ligjin e Perëndisë.

Mes veprës profetike të Jeremisë dhe të Ezekielit pati një lidhje të ngushtë. Që të dy hodhën poshtë dhe u përpoqën të largonin nga mendja e judenjve në Jerusalem e në Babiloni mendimin se Perëndia do t’i jepte fund së shpejti sundimit babilonas e nuk do ta lejonte Jerusalemin të binte. Faktikisht, Jeremia u nisi një letër robërve në Babiloni, ku u thoshte të sistemoheshin dhe të jetonin në paqe në Babiloni, sepse duhej të kalonin edhe 70 vjet para se të çliroheshin. Ezekieli duhet t’i ketë dëgjuar patjetër fjalët e kësaj letre. Gjithashtu mund të ketë dëgjuar fjalët e librit që dërgoi më vonë Jeremia, ku parathoshte rënien e Babilonisë.​—Jr 29; 51:59-64.

I profetizoi një populli ‘kryeneç’. Në sytë e Jehovait, robërit në Babiloni ishin më mirë se judenjtë që kishin mbetur në Judë, siç tregohet nga shportat me fiq të mirë e të këqij që pa në vegim Jeremia. (Jr 24) Por prapëseprapë, detyra e Ezekielit nuk ishte e lehtë, sepse edhe robërit në Babiloni ishin pjesë e shtëpisë rebele. Siç i tha Perëndia, ai do të banonte mes ‘kryeneçëve, gjembave që shponin dhe akrepave’. (Ezk 2:6) Jehovai e urdhëroi të banonte me të mërguarit në Tel-Abib afër lumit Kebar, dhe ai ashtu bëri. (Ezk 3:4, 15) Megjithëse mërgimtarë, judenjtë kishin shtëpitë e tyre. (Jr 29:5) Në rrafshin fetar, ata arritën të kishin të paktën njëfarë organizimi. Pleqtë e Judës mundën të këshilloheshin disa herë me Ezekielin. (Ezk 8:1; 14:1; 20:1) Madje, kur erdhi koha e kthimit në fund të 70 vjetëve, shumë prej këtyre judenjve nuk deshën të iknin nga Babilonia.

Materializmi mund të ketë qenë një nga arsyet pse disa judenj në Babiloni nuk donin të ktheheshin në atdhe. Pranë një kanali të Eufratit afër Nipurit, që sipas disa studiuesve ishte afër Kebarit, një ekspeditë amerikane nxori në dritë arkivat e një shoqërie të madhe tregtare, «Murashu dhe bijtë». Në mbishkrimet e gjetura atje shfaqen shumë emra judenjsh, dhe kjo tregon se izraelitët ishin sistemuar mirë në Babiloni dhe se mjaft prej tyre merreshin me tregti.

Vdekja e bashkëshortes. Ezekieli thotë se detyra e profetit iu besua afër lumit Kebar, vitin e 5-të të mërgimit të mbretit Jehojakin (ose në vitin 613 p.e.s.). Ai profetizoi të paktën për 22 vjet, domethënë deri rreth vitit 591 p.e.s. Profecinë e fundit e shpalli vitin e 27-të të mërgimit. (Ezk 29:17) Duket se Ezekieli gëzonte një martesë të lumtur kur Jehovai i tha: «Bir njeriu, ja, unë do të të marr me një goditje të vetme atë që është kënaqësia e syve të tu.» (Ezk 24:16) E shoqja mund të mos jetë treguar besnike ndaj tij ose ndaj Jehovait. Megjithatë, cilado të ketë qenë arsyeja e vdekjes, Perëndia e urdhëroi Ezekielin të mos derdhte lot, por të psherëtinte në heshtje. Ai duhej të mbulonte kokën dhe të mos shfaqte asnjë shenjë zie. E gjithë kjo duhej të ishte një shenjë për robërit izraelitë në Babiloni se Jehovai do të përdhoste shenjtëroren e tij për të cilën ata ishin aq krenarë dhe se, ndryshe nga ç’shpresonin, Jerusalemi do të shkatërrohej.​—Ezk 24:17-27.

«Rojë.» Ezekielit iu besua detyra e profetit në një mënyrë të ngjashme me atë të Isaisë. Në një vegim madhështor, ai pa Jehovain në fronin e tij dhe krijesa të gjalla me katër fytyra e katër krahë që i shërbenin. Çdo krijesë të gjallë e shoqëronte një rrotë e futur në mes të një rrote tjetër që lëvizte bashkë me të. Më pas, Jehovai i foli Ezekielit duke iu drejtuar me fjalët «bir njeriu», për t’i kujtuar profetit se s’ishte veçse njeri. (Ezk kap. 1, 2; krahaso Is 6.) Perëndia e kishte dërguar si rojë për shtëpinë e Izraelit që ta paralajmëronte të linte udhën e ligë. Ndonëse ata do të tregoheshin shumë zemërgurë, paralajmërimi nevojitej që ta merrnin vesh se Jehovai kishte pasur një profet mes tyre. Sado që s’do të dëgjonin, nëse Ezekieli nuk i paralajmëronte si i kishte thënë Jehovai, ai do të mbante përgjegjësi për jetën e tyre​—do të mbante fajin e gjakut.​—Ezk 3:7, 17, 18; 2:4, 5; 33:2-9.

Skena dhe ilustrime. Ezekieli profetizoi shpesh me anë të skenave të gjalla, veprimeve simbolike e vegimeve, alegorive ose shëmbëlltyrave. Një nga skenat më të spikatura të tij ishte paraqitja e rrethimit të Jerusalemit. Ajo zgjati fillimisht 390 ditë dhe pastaj 40 ditë e përbënte një profeci të rëndësishme kronologjike. Kërkohej bindje, durim dhe shumë besim për të paralajmëruar me anë të këtij ilustrimi një popull përqeshës e pa besim. Gjatë rrethimit të Jerusalemit, Ezekieli shpalli profeci kundër kombeve pagane që e urrenin Izraelin, që kontribuan dhe u gëzuan për rënien e tij; ai përshkroi ndëshkimin që do t’u jepte Jehovai. Pas rënies së Jerusalemit, toni i profecive të Ezekielit ndryshoi. Si dënoi ashpër barinjtë lakmitarë të Izraelit dhe të Seirit, vepra e tij profetike u përqendrua te ndërtimi i besimit të bashkatdhetarëve të tij në premtimin e Perëndisë se Izraeli do të rigjallërohej, do të mblidhej përsëri e do të bashkohej, dhe se bariu i lavdishëm i Jehovait, ‘shërbëtori David’ do t’i bekonte me një besëlidhje të përjetshme paqeje. (Ezk 37) Më pas, Ezekieli bëri një përshkrim të hollësishëm të tempullit të rindërtuar, sipas «skicës» që i kish dhënë Jehovai. Tempulli i këtij vegimi ishte profetik; paraqiste diçka që i takonte së ardhmes së largët, pasi një tempull i tillë nuk u ngrit kurrë.​—Ezk 40-48.

Ngjashmëri me veprën e Jezu Krishtit. Mes veprës së Ezekielit dhe të Jezuit kishte ngjashmëri. Si Ezekieli, edhe Jezui duhej t’i shpallnin një mesazh dënimi një populli indiferent dhe zemërgur, si edhe një mesazh shprese atyre që do të linin rrugën e keqe. Jehovai i tregoi Ezekielit se njerëzit do të shkonin për të dëgjuar fjalët e tij, por zemra e tyre do të ishte e pandjeshme. (Ezk 33:30-32) Po ashtu, turma të mëdha shkuan për të dëgjuar Jezuin, por ishin të paktë ata që treguan mirënjohje për mësimet e tij. Ezekieli u predikoi robërve në Babiloni. Jezui tha se Perëndia e kishte dërguar që t’u predikonte çlirimin robërve (Lu 4:18); ai u shpjegoi qartë judenjve se ishin të skllavëruar frymësisht dhe kishin nevojë për çlirim, të cilin kishte ardhur t’ua sillte ai. (Gjo 8:31-36) Njësoj si Ezekieli, ai nuk i qortoi kurrë judenjtë me fjalët e veta, por tha ato që i kish thënë Jehovai.​—Gjo 5:19, 30.

Shpresa e Ezekielit. Ezekieli ishte besnik ndaj Perëndisë dhe iu bind çdo urdhri, edhe kur detyra e tij ishte e vështirë. Ai ishte ndër ata profetë që qëndruan falë besimit dhe që ‘synonin një vend më të mirë, domethënë një vend që i përkiste qiellit’. (He 11:16) Megjithëse nuk i përkiste klasës që formon Mbretërinë e qiellit (Mt 11:11), Ezekieli priste Mbretërinë mesianike dhe, kur të ringjallet në kohën e caktuar, do të gëzojë përmbushjen e premtimit të Perëndisë dhe dobitë e sundimit mesianik. (He 11:39, 40) Ezekieli spikati si një njeri energjik, i guximshëm, i bindur dhe i zellshëm për adhurimin e Perëndisë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo