ENOKU
[i stërvitur; i përuruar (d.m.th. i kushtuar, i nisur)].
1. Biri i Kainit dhe i ati i Iradit. Enoku lindi në tokën e Arratisë, pasi Kaini vrau të vëllanë, Abelin.—Zn 4:17, 18.
2. Djali që i lindi Jaredit në moshën 162-vjeçare; i shtati në vijën gjenealogjike që nga Adami. Përveç Metuselahut, që i lindi kur ishte 65 vjeç, Enoku pati edhe bij e bija të tjera. Ai bën pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve’ që ishin shembuj të shquar besimi në kohët e hershme. «Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë.» (Zn 5:18, 21-24; He 11:5; 12:1) Si profet i Jehovait, ai paratha që Perëndia do të vinte me dhjetëra mijë engjëjt e Tij të shenjtë për të ekzekutuar gjykimin kundër të paperëndishmëve. (Jd 14, 15) Ka të ngjarë që aktiviteti i tij si profet, t’i ketë sjellë përndjekje. Megjithatë, Perëndia nuk i lejoi kundërshtarët e tij ta vritnin. Përkundrazi, Jehovai «e mori», domethënë, ia ndërpreu jetën në moshën 365-vjeçare, një jetëgjatësi shumë më e shkurtër se ajo e pjesës më të madhe të bashkëkohësve të tij. Enoku «u hoq, që të mos vdiste», dhe kjo mund të nënkuptojë se Perëndia bëri që ai të përhumbej në një vegim profetik, dhe më pas i dha fund jetës së tij kur ishte në këtë gjendje. Kështu ai nuk i ndjeu dhembjet e vdekjes. (Zn 5:24; He 11:5, 13) Megjithatë, po të kemi parasysh fjalët e qarta të Jezuit te Gjoni 3:13, kuptojmë se ai nuk u mor në qiell. Duket se, njësoj si në rastin e trupit të Moisiut, Jehovai e zhduku trupin e Enokut, pasi ai «nuk u gjend gjëkundi».—Lp 34:5, 6; Jd 9.
Enoku nuk është shkrimtari i «Librit të Enokut», një libër apokrif jo i frymëzuar, i shkruar shumë shekuj më vonë, ndoshta gjatë shekujve të dytë dhe të parë p.e.s.
3. Qyteti i parë që përmendet në Bibël. Kaini e ndërtoi këtë qytet në tokën e Arratisë në lindje të Edenit dhe i vuri emrin e të birit, Enokut.—Zn 4:17.