QYTETI I DAVIDIT
Emri që iu vu qytetit bastion ose ‘kalasë së Sionit’ pasi iu mor jebusitëve. (2Sa 5:6-9) Mendohet se bëhet fjalë për kodrën që zgjatej nga mali i Moriahut drejt jugut. Pra ndodhej në jug të zonës së tempullit që ndërtoi më vonë Solomoni. Sot është një rrafshnaltë e ngushtë jugore, goxha më poshtë malit të Moriahut. Zona është shfrytëzuar shumë si gurore, sidomos gjatë sundimit të perandorit Adrian dhe ndërtimit të qytetit romak të Aelia-Kapitolinës rreth vitit 135 të e.s. Kështu, duket se në lashtësi, i afrohej më shumë lartësisë së malit të Moriahut; gjithsesi ishte më poshtë zonës së tempullit.—FIGURAT, vëll. 1, f. 747 dhe vëll. 2, f. 947 në botimin anglisht.
Vendi ishte mjaft i përshtatshëm për një «kala», pasi mbrohej në tri anë nga lugina të thella: në perëndim nga lugina e Tiropeonit e në lindje nga lugina e Kidronit, e cila bashkohet me luginën e Hinomit në skajin jugor të malit. (1Kr 11:7) Qytetit i nevojitej mbrojtje e fortë vetëm në veri; megjithatë atje mali ngushtohej akoma më shumë, kështu që ishte tepër e vështirë ta sulmonin. Kufiri verior i ‘Qytetit të Davidit’ ende nuk është përcaktuar përfundimisht, ndonëse disa studiues hedhin idenë se ishte vendi i ngushtë i përmendur më sipër. Në rrjedhën e shekujve, luginat thuajse janë mbuluar me mbeturina dhe rrënoja të ndryshme, ndaj nuk dallohet aq qartë se ky vend ishte pikë e fortë dhe strategjike. Sipas llogaritjeve, sipërfaqja që zinte Qyteti i Davidit në lashtësi ishte afro 4 deri në 6 hektarë.
Në luginën e Kidronit, rrëzë shpatit lindor të kodrës ku ngrihej kalaja, është një burim i quajtur Gihon. (1Mb 1:33) Gërmimet arkeologjike tregojnë se në kohët e lashta, në shkëmb ishte hapur një tunel i lidhur me një galeri, kështu që mund të arrije te burimi pa dalë nga muret e qytetit. Është shtruar hipoteza se duke u ngjitur nëpër këtë galeri, Joabi dhe njerëzit e tij depërtuan në qytetin bastion dhe e morën.—2Sa 5:8; 1Kr 11:5, 6.
Emri «Qyteti i Davidit» iu vu ngaqë Davidi e bëri selinë e tij mbretërore, pasi kishte sunduar shtatë vjet e gjysmë në Hebron. Me kontributet që dha Hirami i Tirit, atje u ndërtua «një shtëpi me dru cedri» për Davidin. (2Sa 5:5, 9, 11; 7:2) Davidi mori masa që arka e besëlidhjes të ngjitej nga shtëpia e Obed-Edomit në Qytetin e tij, dhe e shoqja, Mikala, mund ta shihte nga një dritare e shtëpisë së Davidit procesionin që afrohej. (2Sa 6:10-16; 1Kr 15:1, 29) Kur vdiq, mbretin e varrosën në qytet, traditë që u ndoq për shumë mbretër të tjerë të linjës davidike.—1Mb 2:10.
Gjatë mbretërimit të Solomonit e më pas. Solomoni e çoi Arkën në tempullin e porsandërtuar, në rrafshnaltën më të gjerë në veri të Qytetit të Davidit. Shprehja ‘e ngjitën arkën nga Qyteti i Davidit’ tregon që zona e tempullit ndodhej më lart, pasi mali i Moriahut ishte më i lartë se kodra që zgjatej në jug. (1Mb 8:1, NW) Pasi u martua me bijën e faraonit, Solomoni e çoi të shoqen në Qytetin e Davidit. (1Mb 3:1) Por, kur përfundoi një ndërtesë e re më afër zonës së tempullit, e hoqi nga Qyteti i Davidit, sepse ai konsiderohej i shenjtë, meqë atje kishte qëndruar Arka. (1Mb 9:24; 2Kr 8:11) Solomoni bëri ndërtime të tjera në Qytetin e Davidit, kurse Hezekia bëri meremetime teksa përgatitej për një sulm të Senakeribit, mbretit të Asirisë. (1Mb 11:27; 2Kr 32:5) Veç kësaj, Hezekia u ndërroi rrjedhën ujërave të burimit të Gihonit dhe i nxori në anën perëndimore të Qytetit të Davidit, me sa duket nëpërmjet një tuneli të hapur në shkëmb, që është zbuluar se e lidhte burimin me Pellgun e Siloamit në shpatin jugperëndimor të malit. (2Kr 32:30) I biri, Manaseu, që hipi në fron pas tij, ndërtoi një mur të jashtëm përgjatë shpatit lindor, kundrejt luginës së Kidronit.—2Kr 33:14.
Siç shihet nga shkrimet e mësipërme, edhe pse zona e Jerusalemit u zgjerua me kalimin e kohës, Qyteti i Davidit mbeti pjesë më vete. Kështu ishte edhe pas kthimit nga mërgimi në Babiloni, pasi disa veçori të Qytetit të Davidit përmenden kur flitet për skuadrat që meremetonin muret e qytetit. (Ne 3:15, 16) ‘Shkalla e Qytetit të Davidit’ me sa duket zbriste nga skaji jugor i qytetit. (Ne 12:37) Nga gërmimet e bëra atje, janë zbuluar pjesë të një shkalle të tillë, e madje edhe sot në atë vend ka shkallare disi të skalitura në shkëmb që zbresin nga kodra.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, termi ‘qyteti i Davidit’ përdoret për Betlehemin, vendlindjen e Davidit dhe të Jezuit.—Lu 2:4, 11; Gjo 7:42; shih JERUSALEMI.