NUSJA, E REJA
Bashkëshortja e djalit. Në disa raste, fjala hebraike kalláh dhe ajo greke nímfe janë përkthyer edhe «nuse», duke iu referuar një vajze në ditën e dasmës.—Kng 4:8-12; Is 61:10; Jr 7:34; Gjo 3:29; Zb 18:23; 21:2, 9; 22:17.
Zakonisht, në periudhën patriarkale me martesën e djalit merrej i ati, prandaj zgjedhja e nuses varej në masë të madhe prej tij. (Zn 24) Ai e mirëpriste në familjen e vet dhe, kur familja zhvendosej, nusja lëvizte bashkë me ta. (Zn 11:31) Ligji i Moisiut e ndalonte një burrë të kishte marrëdhënie seksuale me nusen e djalit, shkelje e cila dënohej me vdekja.—Le 18:15; 20:12; Ezk 22:11.
Jo të gjitha nuset kishin të njëjtën sjellje e të njëjtin qëndrim kundrejt vjehrrit dhe vjehrrës. Për shembull, Rutha, ndryshe nga Orpa, u tregua shoqe më besnike dhe më e përkushtuar ndaj Naomit, vjehrrës së saj, kur tha: «Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im. Ku të vdesësh ti, do të vdes edhe unë.» (Ru 1:6-17, 22; 4:14, 15) Nuset hitite të Esaut ishin një brengë e madhe për Isakun dhe Rebekën. (Zn 26:34; 27:46) Krishti Jezu paratha se mesazhi i Mbretërisë do të ndante nuset nga vjehrrat.—Lu 12:53.