KLAUDI
Perandori i katërt i Romës; bir i Drusit, vëllait të Tiberit, dhe ungj i Kaligulës, të cilin e pasoi në fron në vitin 41 të e.s. Klaudi ishte shëndetlig e me vullnet të dobët dhe, paçka se interesohej për historinë, letërsinë e fusha të tjera të dijes, pararendësit e tij e konsideronin të paaftë mendërisht që të mbante frenat e pushtetit, ndaj preferuan të tjerë si pasues. Mirëpo, në trazirat që pasuan vrasjen e Kaligulës, Garda Pretoriane mori pushtetin dhe e shpalli Klaudin perandor. Një nga përkrahësit e tij në këtë luftë për pushtet ishte Herod Agripa I, të cilin Klaudi e shpërbleu duke ia përforcuar mbretërinë dhe duke u shtuar zotërimeve të tij Judenë e Samarinë. Klaudi arriti të fitonte edhe pëlqimin e Senatit. Thuhet se gruaja e tij e katërt e helmoi me kërpudha në vitin 54 të e.s., vitin e 14-të të mbretërimit. Pastaj erdhi në pushtet Neroni.
Profeti Agab kishte parathënë se «në gjithë tokën e banuar do të vinte . . . një zi buke e madhe», dhe ajo «erdhi vërtet në kohën e Klaudit». Atëherë të krishterët në Antioki ‘dhanë ndihmë’ pa vonesë për vëllezërit në Jerusalem dhe në Jude. (Ve 11:27-30) Këtë zi buke që ra në Palestinë rreth vitit 46 të e.s., gjatë mbretërimit të Klaudit, historiani Jozef e quan «zia e madhe e bukës».—Antikitete judaike, XX, 49-53 [ii, 5]; XX, 101 [v, 2].
Me anë të një dekreti që nxori në vitin 49 ose nga fillimi i vitit 50 të e.s., vitin e nëntë të mbretërimit, ‘Klaudi dha urdhër që të gjithë judenjtë të iknin nga Roma’. Biografi dhe historiani romak Suetoni vërteton se Klaudi i dëboi judenjtë nga Roma. (Jeta e Cezarëve, Klaudi, XXV, 4) Si pasojë e atij urdhri dëbimi, dy judenj të krishterë, Akuila dhe Prishila, shkuan nga Roma në Korint. Atje takuan pas pak kohësh apostullin Pavël, që ka të ngjarë të ketë shkuar në Korint në vjeshtën e vitit 50 të e.s. (Ve 18:1-3) Në fillim të mbretërimit të tij, Klaudi i kishte pasur me sy të mirë judenjtë; madje kishte urdhëruar të trajtoheshin me tolerancë dhe u kishte dhënë goxha liri anembanë perandorisë. Por, me sa duket, shumë judenj në Romë ngjallën mjaft trazira, ndaj Klaudi i dëboi nga qyteti.