KAJAFA
Jozef Kajafa ishte kryeprifti gjatë kohës kur Jezui shërbeu në tokë. (Lu 3:2) Ishte dhëndri i kryepriftit Hanai (Gjo 18:13; shih HANAI) dhe e caktoi në këtë detyrë Valer Grati, paraardhësi i Ponc Pilatit, rreth vitit 18 të e.s., megjithëse disa thonë se kjo ndodhi në vitin 26 të e.s. Ai qëndroi në këtë detyrë deri rreth vitit 36 të e.s., më gjatë se të gjithë paraardhësit e tij më të afërt, falë diplomacisë së tij mjeshtërore dhe bashkëpunimit me Romën. Thuhet se ai dhe Pilati ishin shumë miq. Kajafa ishte saduce.—Ve 5:17.
Kajafa ishte nxitësi kryesor i komplotit që çoi në vrasjen e Jezuit. Ai profetizoi, megjithëse jo nga vetja, se së shpejti Jezui do të vdiste për kombin, dhe bëri çmos që kjo të ndodhte. (Gjo 11:49-53; 18:12-14) Gjatë gjyqit të Jezuit para Sinedrit, Kajafa shqeu rrobat dhe tha: «Ai blasfemoi!» (Mt 26:65) Kur Jezui ishte para Pilatit, Kajafa me siguri ka qenë atje duke bërtitur: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» (Gjo 19:6, 11); ishte mes atyre që kërkonin lirimin e Barabës në vend të Jezuit (Mt 27:20, 21; Mr 15:11); ishte një ndër ata që thërrisnin: «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit» (Gjo 19:15); gjithashtu, ishte mes atyre që protestuan kur Jezuit i vunë mbi kokë shkrimin «Mbreti i judenjve» (Gjo 19:21).
Vdekja e Jezuit nuk shënoi fundin e rolit të Kajafës si kryepërndjekësi i krishterimit të sapolindur. Para këtij kreu fetar çuan edhe apostujt, i urdhëruan të mos predikonin më, i kërcënuan e madje i fshikulluan. Megjithatë, pavarësisht nga urdhri i Kajafës, «çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë». (Ve 4:5-7; 5:17, 18, 21, 27, 28, 40, 42) S’kaloi shumë dhe, përveç gjakut të Jezuit, Kajafa u përlye edhe me gjakun e Stefanit të drejtë. Ai i dha Saulit nga Tarsi letra që e autorizonin ta shtrinte fushatën vrasëse deri në Damask. (Ve 7:1, 54-60; 9:1, 2) Sidoqoftë, pak kohë më pas, Viteli, një zyrtar romak, e shkarkoi nga detyra.