BETH-HORONI
Dy qytete, Beth-Horoni i Sipërm dhe ai i Poshtëm, zinin një pozicion strategjik buzë rrugës së lashtë që ngjitej nga Jopa dhe nga rrafshina bregdetare në luginën e Ajalonit dhe shkonte deri në Bethel ose në Gibeon e Jerusalem. Sot atje ndodhen dy fshatra: i sipërmi Beit-ʽUr-el-Fauka (Bet-Horon-ʽElion) dhe i poshtmi Beit-ʽUr-et-Tahta (Bet-Horon-Tahton). Pra, Beth-Horoni i Sipërm ndodhej rreth 16 km në veriperëndim të Jerusalemit, kurse Beth-Horoni i Poshtëm 2,5 km në perëndim-veriperëndim të Beth-Horonit të Sipërm, e që të dy ishin majë kodrave.
Merita për ndërtimin fillestar (ose themelimin) të këtyre vendeve i jepet Sherës, bija ose mbesa e Efraimit. (1Kr 7:22-24) Qytetet shënonin një pjesë të kufirit jugor të fisit të Efraimit (Js 16:3, 5), kurse kufiri i fisit të Beniaminit kalonte «mbi malin që ndodhet në jug të Beth-Horonit të Poshtëm». (Js 18:13, 14) Me sa duket, kjo tregon se të dyja qytetet ishin brenda trashëgimisë së Efraimit. Beth-Horoni (mbase vetëm njëri nga qytetet), iu dha më pas levitëve që ishin bij të Kehathit.—Js 21:20, 22; 1Kr 6:68.
Meqë ndodheshin buzë një rruge kryesore që ngjitej nga rrafshina bregdetare në rajonin kodrinor, shpesh këto qytete ishin dëshmitare të marshimit të ushtrive që shkonin në luftë. Në epokën e pushtimit izraelit Josiu mundi pesë mbretër amoritë që kishin lidhur aleancë për të luftuar kundër Gibeonit, dhe forcat e tij «i ndoqën nëpër të përpjetën e Beth-Horonit». Atje Jehovai i goditi me breshër kokërrmadh amoritët teksa ia mbathnin nëpër «të tatëpjetën e Beth-Horonit». (Js 10:6-12) Sipas disa studiuesve, ‘e tatëpjeta e Beth-Horonit’ ishte e tatëpjeta nga Beth-Horoni i Sipërm në Beth-Horonin e Poshtëm, pasi njëri ndodhet rreth 240 m më lart se tjetri.
Më vonë, gjatë mbretërimit të Saulit, ‘rruga e Beth-Horonit’ ishte një nga tri rrugët që merrnin çetat e zhvatësve filistinë që mësynin nga Mikmashi. (1Sa 13:16-18) Mbreti Solomon i ndërtoi ose i fortifikoi të dyja qytetet, duke i forcuar me mure, dyer e shula, pa dyshim ngaqë i shihte si pengesë për ushtritë pushtuese nga Egjipti ose Filistia. (2Kr 8:5) Shishaku, mbreti i Egjiptit, që sulmoi Judën gjatë mbretërimit të Rehoboamit, e rendit «Beth-Horonin» ndër qytetet që pretendon se i zaptoi ose i vuri nën zgjedhë. (1Mb 14:25; 2Kr 12:2-9) Kur Amaziahu, mbreti i Judës, largoi mercenarët efraimitë para betejës me edomitët, ata ushtarë nga mbretëria veriore me kryeqytet Samarinë e shfrenë tërbimin për largimin duke mësyrë qytetet e Judës deri në Beth-Horon.—2Kr 25:5-13.