BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Ben-Hadadi”
  • Ben-Hadadi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ben-Hadadi
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Hazaeli
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Akabi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Samaria
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Damasku
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Ben-Hadadi”

BEN-HADADI

[bir i Hadadit].

Emri i tre mbretërve të Sirisë të përmendur në Bibël. Hadad quhej perëndia i stuhisë që adhurohej anekënd Sirisë dhe në vise të tjera fqinje.

1. Mbreti i parë i Sirisë me emrin Ben-Hadad që përmendet në Bibël; ishte biri i Tabrimonit dhe nipi i Hezionit. Ai kishte bërë një besëlidhje me Baashën, mbretin e Izraelit. Mirëpo mbreti i Judës, Asa, u alarmua kur Baasha nisi të fortifikonte Ramahun, vetëm pak kilometra në veri të Jerusalemit, prandaj i dha ryshfet Ben-Hadadit që ta prishte besëlidhjen e të sulmonte mbretërinë veriore, që Baasha të detyrohej të tërhiqej. Në këmbim të thesareve mbretërore të Judës dhe të thesareve të shenjtërores së tempullit, Ben-Hadadi mësyu Izraelin dhe zaptoi disa qytete në territorin e Neftalit dhe në pellgun e detit të Galilesë. Siç pritej, Baasha u tërhoq në kryeqytetin e vet, në Tirzah. (1Mb 15:16-21; 2Kr 16:1-6) Kjo ndodhi rreth vitit 962 p.e.s. (‘viti i tridhjetegjashtë’ i 2 Kronikave 16:1 me sa duket është viti i 36-të që nga ndarja e mbretërisë më 997 p.e.s.).​—Shih ASA nr. 1.

2. Mbret tjetër sirian me emrin Ben-Hadad që përmendet gjatë sundimit të Akabit, mbretit të Izraelit (rr. 940-920 p.e.s.). Afro pesë vjet para vdekjes së Akabit, «Ben-Hadadi, mbreti i Sirisë» u priu ushtrive aleate të 32 mbretërve (siç duket mbretër vasalë) në luftë kundër Samarisë, rrethoi qytetin dhe i bëri thirrje mbretit Akab të dorëzohej pa kushte. (1Mb 20:1-6) Akabi mblodhi një këshill të përbërë nga pleqtë e vendit, që e këshilluan të bënte qëndresë. Atëherë, ndërsa forcat siriane gatiteshin të sulmonin qytetin dhe Ben-Hadadi dehej me mbretërit e tjerë nëpër kasollet që kishin ngritur, Akabi ndoqi këshillën e Perëndisë dhe përdori strategjinë e sulmit të befasishëm kundër kampit sirian, e kështu arriti t’i shpartallonte.​—1Mb 20:7-21.

Vitin tjetër Ben-Hadadi e udhëhoqi ushtrinë drejt Afekut, një qytet që me sa duket ndodhej në lindje të detit të Galilesë. Ai po ndiqte teorinë e këshilltarëve të vet, sipas të cilëve Jehovai ishte «Perëndi malesh», ndaj në rrafshinë izraelitët mund të mposhteshin kollaj. (Shih AFEKU nr. 5.) Ushtria siriane u riorganizua, 32 mbretërit u zëvendësuan me guvernatorë që kryesonin trupat ushtarake, siç duket me mendimin se guvernatorët do të ishin më të bashkuar e më të bindur në luftë sesa mbretërit vasalë, e mbase edhe më të motivuar, ngaqë shpresonin të ngriheshin në pozitë. Gjithsesi, teoritë fetare dhe ushtarake të Ben-Hadadit nuk bënë punë kundër ushtrisë izraelite që, ndonëse ku e ku më e paktë në numër, ishte paralajmëruar nga një profet për atë sulm dhe kishte mbështetjen e Mbretit të universit, Perëndisë Jehova. Ushtria siriane u dërrmua dhe Ben-Hadadi ia mbathi për në qytetin e Afekut. Megjithatë, Akabi e la të lirë atë armik të rrezikshëm, pasi Ben-Hadadi i premtoi: «Unë do t’i kthej qytetet që mori ati im nga ati yt. Ti do të zgjedhësh për vete rrugë në Damask, ashtu si i zgjodhi ati im në Samari.»​—1Mb 20:22-34.

Ka mendime nga më të ndryshmet nëse ky Ben-Hadad ishte po ai mbret sirian që jetoi në ditët e Baashës dhe të Asës apo nëse ishte ndonjë bir a nip i tij. Nëse Ben-Hadadi I (i kohës së Asës) do të ishte po ai Ben-Hadad që jetoi në kohën e Akabit e madje edhe të Jehoramit (rr. 917-905 p.e.s.), atëherë mbretërimi i tij duhet të ketë zgjatur 45 vjet a më shumë. Natyrisht, kjo nuk është e pamundur.

Megjithatë, ata që përkrahin idenë se mbreti sirian bashkëkohës i Akabit duhet quajtur Ben-Hadadi II, theksojnë premtimin e cituar më sipër që Ben-Hadadi i bëri Akabit. (1Mb 20:34) Në pamje të parë, ky premtim tregon se i ati i Ben-Hadadit i kishte marrë disa qytete Omrit, të atit të Akabit. Por, nëse pushtimet e përmendura këtu ishin ato që bëri Ben-Hadadi I gjatë sundimit të Baashës, atëherë Ben-Hadadi I do të ishte ati (a ndoshta thjesht paraardhësi në fron) i Ben-Hadadit II të epokës së mbretit Akab. Gjithashtu, fjala «ati» i Akabit mund të nënkuptonte një paraardhës në fronin mbretëror, edhe pse jo një paraardhës me lidhje gjaku.​—Shih BELSHAZARI.

Sidoqoftë, përmendja e Samarisë në premtimin që Ben-Hadadi i bëri Akabit do ta kufizonte pushtimin sirian të qyteteve izraelite brenda periudhës së mbretërimit të Omrit, meqë Samarinë e ndërtoi ai, e më pas u bë kryeqytet i Izraelit. ‘Rrugët’ që u zgjodhën me sa duket shërbenin për të hapur pazare, që të çoheshin para interesat tregtare.

Cilatdo qofshin rrethanat dhe koha kur u pushtuan ato qytete izraelite, dëshmitë e Shkrimeve duket se tregojnë që në epokën e Akabit mbretëronte një tjetër Ben-Hadad, kështu që ai mund të quhet Ben-Hadadi II. Siç duket, premtimi i Ben-Hadadit për të kthyer qytetet e Izraelit që kishte marrë i ati nuk u përmbush plotësisht, përderisa Akabi, mbreti i Izraelit, lidhi aleancë vitin e fundit të mbretërimit me Jehozafatin, duke u orvatur më kot që t’u merrte nga duart sirianëve Ramot-Galaadin (në lindje të Jordanit). Ben-Hadadi II duhet të jetë «mbreti i Sirisë» anonim që i urdhëroi në atë betejë «tridhjetë e dy krerët e karrocave» të tij ta përqendronin sulmin mbi Akabin. (1Mb 22:31-37) Duhet të jetë edhe mbreti që, gjatë mbretërimit të Jehoramit, e dërgoi kreun e ushtrisë së vet, Naamanin e lebrosur, që ta shëronte Eliseu. Ai mbret sirian adhuronte perëndinë Rimon (emri i të cilit është pjesë e emrit Tabrimon, ati i Ben-Hadadit I).​—2Mb 5:1-19.

Pavarësisht se gjenerali i tij u shërua, armiqësia e Ben-Hadadit ndaj Izraelit nuk u shua dhe ai dërgonte në Izrael banda kusare. (2Mb 6:8; krahaso vargun 23.) Mirëpo Eliseu gjithnjë e njoftonte kohë më parë mbretin e Izraelit për lëvizjet e atyre bandave, prandaj Ben-Hadadi nisi të dyshonte mos kishte ndonjë tradhtar mes shërbëtorëve të vet. Me të marrë vesh se ai që e lajmëronte mbretin e Izraelit për ‘gjërat që Ben-Hadadi thoshte në dhomën e gjumit’ ishte Eliseu, mbreti sirian dërgoi forca ushtarake të mëdha që ta kapnin në Dotan. Por, me anë të një mrekullie, ushtria u godit me një lloj verbimi dhe Eliseu e çoi mu në mes të kryeqytetit të Izraelit, Samarisë. Ajo përvojë, e ndoshta edhe fakti që atje sirianët u trajtuan me mëshirë e pastaj u lanë të lirë, i dha fund mësymjeve të bandave kusare, paçka se nuk e zhduku qëndrimin agresiv të Ben-Hadadit.​—2Mb 6:9-23.

Gjithnjë i vendosur të mposhtte mbretërinë e Izraelit, Ben-Hadadi më vonë mobilizoi ushtrinë dhe rrethoi Samarinë, duke shkaktuar një zi buke tejet të rëndë. (2Mb 6:24-29) Megjithatë, një mbrëmje Jehovai bëri që në kampin sirian të dëgjohej zhurma e një ushtrie të madhe që afrohej, dhe sirianët rrëmbyer nxorën përfundimin se Jehorami kishte marrë me pagesë hititët dhe egjiptianët për ta shpëtuar. Sakaq ia mbathën për në Siri në të ngrysur, duke lënë pas gjithë pajimet dhe ushqimet.​—2Mb 7:6, 7.

Kur Eliseu udhëtoi drejt Damaskut për të kryer detyrën që i kishte dhënë Perëndia pararendësit të tij, Elijas, Ben-Hadadi II lëngonte i sëmurë në shtrat. (1Mb 19:15) Ai i dërgoi profetit 40 deve të ngarkuara me dhurata dhe e pyeti nëse do ta merrte veten nga sëmundja. Përgjigjja që Eliseu i ktheu Hazaelit tregonte se mbreti do të vdiste dhe Hazaeli do të bëhej mbret. Të nesërmen Hazaeli e mbyti Ben-Hadadin duke i zënë frymën dhe uzurpoi fronin.​—2Mb 8:7-15.

3. Biri i Hazaelit, mbretit të Sirisë. (2Mb 13:3) Ben-Hadadi III siç duket bashkëpunoi me të atin kur shtypën Izraelin në ditët e Jehoahazit (876-​rr. 860 p.e.s.) dhe kur pushtuan disa qytete izraelite. Megjithatë, Jehovai i dha Izraelit «një shpëtimtar», duke i çliruar me anë të birit të Jehoahazit, Jehoasit (rr. 859-​845 p.e.s.) dhe me anë të pasuesit të tij, Jeroboamit II (rr. 844-​804 p.e.s.). (2Mb 13:4, 5) Në përmbushje të profecisë së fundit të Eliseut, Jehoasi i goditi tri herë forcat siriane dhe ia mori përsëri «Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ky ia kishte marrë me luftë Jehoahazit». (2Mb 13:19, 23-25) Jeroboami II eci në gjurmët e të atit duke korrur fitore të reja kundër Sirisë dhe rivendosi kufijtë e dikurshëm të Izraelit, pra, u bë shpëtimtar për Izraelin. (2Mb 14:23-27) Ben-Hadadi III nuk përmendet në lidhje me fitoret e Jeroboamit, e mbase nuk ishte gjallë në atë kohë.

Shprehja «kullat e Ben-Hadadit» e përdorur nga profeti Amos (që profetizoi gjatë mbretërimit të Jeroboamit II) për pallatet mbretërore të Damaskut (Am 1:3-5; krahaso 2Mb 16:9), vazhdoi të përdorej në mënyrë të ngjashme nga Jeremia rreth dy shekuj më vonë.​—Jr 49:23-27.

Ben-Hadadi në mbishkrimet e lashta. Në një mbishkrim të Shalmaneserit III, pasi tregohet për një konflikt me sirianët, thuhet: «(Vetë) Hadadezeri vdiq. Hazaeli, një njeri i thjeshtë (fjalë për fjalë: bir i askujt), shtiu në dorë fronin.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 280) Pra, me sa duket, Shalmaneseri III e quante «Hadadezer» (në gjuhën asiriane, Adad-Idri) Ben-Hadadin II.

Stela e Zakirit përshkruan një fushatë ndëshkuese të nisur nga «Barhadadi, biri i Hazaelit, mbret i Aramit», i cili kryesonte një koalicion mbretërish sirianë kundër «Zakirit, mbretit të Hamatit dhe Luʽatit». Kjo u shtohet dëshmive arkeologjike për ekzistencën e Ben-Hadadit III, birit të Hazaelit.​—Ancient Near Eastern Texts, f. 655.

Një stelë tjetër, e njohur si Stela e Melkartit, u zbulua në vitin 1940 rreth 6 km në veri të Halebit, në Sirinë Veriore. Ndonëse mbishkrimi nuk është krejtësisht i lexueshëm, në të thuhet pjesërisht: «Një stelë e ngritur nga Barhadadi . . . për Zotërinë e tij Melkart.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 655) Nuk dihet me saktësi nëse ky Barhadad ishte Ben-Hadadi I, II, III apo ndonjë Ben-Hadad tjetër.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo