BARAKU
[vetëtimë].
Biri i Abinoamit nga Kedeshi në territorin e Neftalit. Në fillimet e periudhës së gjykatësve, izraelitët ishin larguar nga adhurimi i vërtetë, ndaj Perëndia lejoi që Jabini, mbreti i Kanaanit, t’i shtypte për 20 vjet. Ata i kërkuan ndihmë Jehovait dhe pikërisht në këtë kohë, Perëndia emëroi Barakun si udhëheqës të tyre. (Gjy 4:1-3) Ndërkohë që kananitët, shtypësit e izraelitëve, ishin të armatosur më së miri, «nuk shihej asnjë mburojë, asnjë heshtë, mes dyzet mijë burrave të Izraelit». (Gjy 5:8) Megjithatë, në kohën e Barakut, Jehovai i dha Izraelit fitoren mbi armiqtë e tij, triumf që mbeti i paharrueshëm. (Ps 83:9) Dy tregimet e këtyre ngjarjeve në librin e Gjykatësve (në kapitullin 4 dhe në këngën e hareshme të Deborës dhe të Barakut në kapitullin 5), plotësojnë njëri-tjetrin dhe paraqesin një tablo të gjallë të asaj që ndodhi asokohe.
Profetesha Debora që gjykonte Izraelin në atë kohë, e nxit Barakun të ngrihet për të çliruar popullin e vet. Baraku pranon me kusht që të shkojë edhe ajo me të. Debora pranon, por e njofton Barakun se Jehovai do ta shesë Siserën, prijësin e ushtrisë së Jabinit, në duart e një gruaje.—Gjy 4:4-9.
Baraku mbledh 10.000 burra nga Neftali, Zabuloni e fise të tjera të Izraelit (Gjy 4:6; 5:9-18) dhe ngjitet në malin e Taborit. Me ta marrë vesh, Sisera dhe ushtria e tij përparon drejt izraelitëve me 900 karroca lufte me kosa të hekurta, duke ndjekur shtratin e tharë të Kishonit (në rrafshinën e Jezreelit). Me Barakun në krye, ushtria izraelite e armatosur lehtë zbret me guxim nga mali i Taborit, gati për t’u përleshur me kananitët e armatosur gjer në dhëmbë. Megjithatë, përroi i Kishonit fryhet dhe bëhet i pakalueshëm, duke i lënë të bllokuara karrocat armike. Vërtet, «nga qielli luftuan yjet, luftuan kundër Siserës nga orbitat e tyre. Përroi i Kishonit i mori me vete». Baraku dhe luftëtarët e tij e ndjekin armikun këmba-këmbës dhe tregimi thotë: «Tërë ushtria e Siserës ra nga tehu i shpatës. Nuk mbeti as edhe një.»—Gjy 5:20-22; 4:10-16.
Sisera, që e braktis karrocën e tij dhe ushtrinë e rrethuar, ia mbath dhe gjen strehë në tendën e Jaelës, gruas së Heberit, një keniti që është në paqe me Jabinin. Jaela i ofron mikpritje Siserës, por kur ai është në gjumë, e vret duke i ngulur në tëmtha kunjin e tendës derisa e fut në tokë. Kur vjen Baraku, Jaela e fton në tendë dhe ai sheh se fjala e Jehovait ka dalë e vërtetë; Sisera ishte shitur vërtet në duart e një gruaje. (Gjy 4:17-22; 5:24-27) Pas kësaj, izraelitët fitimtarë ‘e godasin gjithnjë e më rëndë Jabinin, mbretin e Kanaanit, gjersa e shfarosin fare’. Kështu, ajo zonë e Izraelit «nuk pati më trazira për dyzet vjet».—Gjy 4:23, 24; 5:31.
Baraku përmendet mes burrave besnikë «që nëpërmjet besimit mundën mbretëri, . . . u bënë trima në luftë dhe shpartalluan ushtritë e të huajve».—He 11:32-34.
Baraku mund të jetë ‘Bedani’ që përmendet te 1 Samuelit 12:11 (sipas LXX dhe Sy).—Shih BEDANI nr. 1.