ASIRIA
Emri i vendit që në lashtësi shtrihej në pjesën veriore të rrafshinës së Mesopotamisë, pra në skajin më verior të Irakut të sotëm. Kryesisht ajo gjendet brenda trekëndëshit të formuar nga lumenjtë Tigër dhe Zabi i Vogël. Këta lumenj shënojnë pjesën më të madhe të kufijve të saj në perëndim e në jug. Malet e Armenisë së lashtë formojnë kufirin verior, kurse vargmali i Zagrosit dhe Media përcaktojnë kufirin lindor. Gjithsesi, duhet të theksojmë se këta kufij ishin shumë të ndryshueshëm. Në fakt, kur Babilonia dobësohej, Asiria zgjerohej deri në jug të Zabit të Vogël, por tkurrej kur Babilonia forcohej politikisht, ndërsa ajo vetë dobësohej. Ky ndryshim ndodhte edhe me kufijtë e tjerë të saj, veçanërisht përgjatë Tigrit, pasi Asiria e kishte shtrirë me kohë ndikimin e saj në perëndim të këtij lumi. Sigurisht që Perandoria Asiriane përfshiu një zonë shumë më të madhe.—HARTA, vëll. 1, f. 954 në botimin anglisht.
Gjatë gjithë historisë së tyre, Asiria dhe Babilonia kanë pasur marrëdhënie të ngushta. Të dyja këto shtete fqinje zinin një rajon pa ndonjë ndarje natyrore që të shërbente si kufi mes territoreve të tyre. Megjithatë, pjesa më e madhe e rajonit ku shtrihej Asiria ishte zonë malore, kryesisht me një terren të thyer dhe me një klimë më të shëndetshme se ajo e Babilonisë. Njerëzit ishin më energjikë dhe më agresivë se babilonasit. Në disa relieve të gdhendura ata paraqiten me trupa të fortë, ezmerë, me vetulla të trasha e mjekër të dendur dhe me hundë të madhe.
Qyteti i Ashurit, në perëndim të lumit Tigër, mendohet të ketë qenë kryeqyteti i parë i rajonit. Sidoqoftë, më vonë, Ninevia u bë kryeqyteti më i rëndësishëm, ndonëse, nganjëherë, disa monarkë asirianë zgjodhën si kryeqytete edhe Kalahun e Khorsabadin. Në veri të Asirisë kalonte një rrugë tregtare që të çonte në Mesdhe dhe në Azinë e Vogël, kurse disa rrugë të tjera ndaheshin për në Armeni dhe në rajonin e liqenit Urmia. Shumë nga luftërat e Asirisë kishin si qëllim të merrnin ose të mbanin nën kontroll këto rrugë.
Shtet militarist. Asiria ishte një fuqi ushtarake dhe kuadri historik i bëmave të saj është plot mizori e makutëri. (FIGURAT, vëll. 1, f. 958 në botimin anglisht) Ja si e përshkruan Ashurnasirpali, një nga monarkët ushtarakë asirianë, ndëshkimin që u dha disa qyteteve rebele:
«Përballë portës së qytetit ndërtova një shtyllë, krerëve rebelë u rropa lëkurën dhe me të vesha shtyllën, disa i murosa brenda shtyllës, disa i vara në shtyllë mbi hunj, . . . zyrtarëve të oborrit që u rebeluan, u preva gjymtyrët. . . . Shumë robër prej tyre i dogja në zjarr dhe shumë i mora si robër të gjallë. Disave u preva duart dhe gishtat, ndërsa të tjerëve u preva hundët, veshët dhe gishtat (?), shumë të tjerëve u nxora sytë. Bëra një pirg me të gjallë, kurse një tjetër me koka të prera dhe kokat ua ngula nëpër hunj (trungje pemësh) rreth e rrotull qytetit. Të rinjtë e të rejat ua dogja në zjarr . . . Njëzet burra i kapa të gjallë dhe i murosa në muret e pallatit të tij. . . . Të tjerët [luftëtarët e tyre] i lashë të vdisnin nga etja në shkretëtirën e Eufratit.»—Ancient Records of Assyria and Babylonia, nga D. D. Lukenbilli, 1926, vëll. I, f 145, 147, 153, 162.
Në relieve paraqiten shpesh robër të tërhequr me litarë të ngulur me grremça në hundë ose buzë, si dhe të tjerë që ua nxirrnin sytë me majën e heshtës. Këto tortura sadiste ishin një tipar i zakonshëm i luftërave të asirianëve. Ata mburreshin paturpësisht për to dhe i dokumentonin me kujdes. Fama e mizorisë së tyre u dha patjetër përparësi nga ana ushtarake, pasi u kallte tmerrin kundërshtarëve dhe shpesh ua thyente qëndresën. Profeti Naum e përshkroi me të drejtë Ninevinë, kryeqytetin e Asirisë, si «strofka e luanëve» dhe «qyteti gjakatar».—Na 2:11, 12; 3:1.
Çfarë feje praktikonin asirianët?
Një pjesë e madhe e fesë asiriane ishte me origjinë babilonase dhe, ndonëse perëndia i kombit, Ashuri, konsiderohej nga asirianët si më i larti, Babilonia shihej ende si qendra kryesore fetare. Mbreti asirian shërbente si kryeprifti i Ashurit. Në një vulë, të gjetur nga O. H. Lejardi në rrënojat e një pallati asirian e që tani ruhet në Muzeun Britanik, perëndia Ashur paraqitet me tri koka. Në adhurimin asirian mbizotëronte besimi te triadat dhe pentadat, ose pesë perëndi. Triada kryesore formohej nga Anu, që përfaqësonte qiellin, nga Beli, që përfaqësonte pjesën e banuar nga njerëzit, kafshët e zogjtë, dhe nga Ea, që përfaqësonte ujërat tokësore dhe nëntokësore. Një triadë tjetër përbëhej nga perëndia-hënë Sin, perëndia-diell Shamash dhe perëndia e stuhisë Ramani, vendin e të cilit e zinte shpesh Ishtari, mbretëresha e yjeve. (Krahaso 2Mb 23:5, 11.) Pastaj vinin pesë perënditë që përfaqësonin pesë planetë. Një fjalor (Unger’s Bible Dictionary, 1965, f. 102) komentonte kështu për perënditë që formonin grupet trinitare: «Herë pas here ata u luteshin veç e veç këtyre perëndive, me shprehje që dukeshin se lartësonin me radhë një herë njërin, një herë tjetrin.» Sidoqoftë, në panteonin e tyre përfshiheshin hyjni të tjera më të vogla e të panumërta, shumë nga të cilat shërbenin si perëndi-mbrojtëse të qyteteve. Në kohën kur u vra, Senakeribi thuhet se po adhuronte Nisrokun.—Is 37:37, 38.
Adhurimi i këtyre perëndive ishte animist, domethënë, asirianët besonin se sendet dhe dukuritë natyrore janë të gjalla e me shpirt. Kjo fe ishte në njëfarë mënyre e ndryshme nga kultet e tjera të natyrës që ishin të përhapura te kombet përreth, pasi lufta ishte pasqyrimi i vërtetë i fesë së kombit. (FIGURA, vëll. 1, f. 956 në botimin anglisht) Për shembull, Tiglath-Pileseri I thoshte për betejat e veta: «Zoti im, ASHURI, më nxiti.» Në analet e tij, Ashurbanipali thotë: «Me urdhër të ASHURIT, SINIT dhe SHAMASIT, perëndive të mëdha, zotave të mi mbrojtës, hyra në Mini dhe marshova fitimtar.» (Records of the Past: Assyrian and Egyptian Monuments, Londër, 1875, vëll. V, f. 18; 1877, vëll. IX, f. 43) Sargoni i lutej gjithmonë për ndihmë Ishtarit para se të shkonte në luftë. Ushtrive u prinin emblemat e perëndive, të cilat, me sa duket, ishin simbole prej druri ose metali të vëna në shtizë. Rëndësi të madhe kishin edhe oguret, të cilat i shihnin nga shqyrtimi i mëlçive të kafshëve të flijuara, nga fluturimi i zogjve ose nga vendosja e planetëve. Në një libër thuhet: «Misioni i kombit ishte të luftonte dhe priftërinjtë ishin nxitës të palodhur të luftërave. Ata mbaheshin kryesisht me plaçkën e zënë në luftë, nga e cila u jepej një përqindje e caktuar dhe e pandryshueshme para se të merrnin të tjerët, sepse kjo racë plaçkitësish ishte tejet fetare.»—Ancient Cities, nga U. B. Rajti, 1886, f. 25.
Kultura, letërsia dhe ligjet. Asirianët ndërtuan pallate madhështore, muret e brendshme të të cilave ishin të veshura me basorelieve që pasqyronin me mjaft realizëm skena lufte dhe paqeje. Hyrjet ishin të zbukuruara me dema me kokë njeriu e me krahë, të gdhendur në një bllok të vetëm guri gëlqeror, që peshonte deri në 36 tonë. Në vulat e tyre cilindrike ka gdhendje komplekse. (Shih ARKEOLOGJIA.) Metalet e derdhura tregojnë se ata kishin mjaft njohuri për metalurgjinë. Mbretërit asirianë ndërtuan ujësjellës dhe sisteme ujitjeje; bënë kopshte mbretërore botanike dhe zoologjike, me bimë, pemë e kafshë nga vende të shumta. Në përgjithësi, pallatet e tyre tregojnë se kishin një sistem shkarkimi të projektuar me kujdes dhe një higjienë goxha të mirë.
Me interes të veçantë janë bibliotekat e mëdha të ndërtuara nga disa monarkë asirianë, në të cilat gjendeshin dhjetëra mijë pllaka argjile, prizma dhe cilindra me mbishkrime kuneiforme, që përmbajnë ngjarje historike të rëndësishme, të dhëna fetare dhe çështje ligjore e tregtare. Megjithatë, disa ligje të një periudhe të historisë asiriane ilustrojnë sërish ashpërsinë që karakterizonte rëndom kombin. Disa krime ndëshkoheshin me gjymtime. Për shembull, një skllave nuk lejohej të dilte e mbuluar në publik, dhe, po të shkelte këtë urdhëresë, i pritnin veshët. Gratë e martuara nuk kishin asnjë mbrojtje ligjore dhe këtë e dëshmon një ligj që thoshte: «Përveç dënimeve që janë shkruar në pllakë për një grua të martuar, burri mund ta fshikullojë të shoqen, t’i shkulë flokët, t’i këputë e t’i dëmtojë veshët. Ligjërisht ky nuk është krim.»—Everyday Life in Babylonia and Assyria, nga H. U. F. Sagsi, 1965, f. 152.
Historia biblike dhe shekullare. Asiria përmendet për herë të parë në Bibël te Zanafilla 2:14, ku Moisiu thotë se në ditët e tij lumi Hidekel (Tigri), një nga katër degët e lumit që dikur ‘dilte nga Edeni’, ‘shkonte në lindje të Asirisë’.—Zn 2:10.
Vendi e mori emrin nga i biri i Semit, Ashuri. (Zn 10:22) Në fillim, pak pas Përmbytjes, duket se popullohej nga semitët, mirëpo shumë shpejt në vend erdhën edhe të tjerë. Në fakt, nipi i Kamit, Nimrodi, shkoi në Asiri dhe ndërtoi «Ninevinë, Rehobot-Irin, Kalahun dhe Resenin, mes Ninevisë dhe Kalahut, ky është qyteti i madh». (Zn 10:11, 12; krahaso Mi 5:6.) Nuk dihet nëse kjo ndodhi pas ndërtimit të Kullës së Babelit dhe ngatërrimit të gjuhëve (Zn 11:1-9), edhe pse në kapitullin e dhjetë të Zanafillës përmenden tashmë ‘gjuhë’ të ndryshme. (Zn 10:5, 20, 31) Megjithatë, dihet që Ninevia, kryeqyteti i Asirisë, u ndërtua nga Babilonia, dhe kjo mbështetet edhe nga historia shekullare. Më vonë, edhe për fiset që rrodhën nga Ismaeli, i biri i Abrahamit, thuhet se shkuan deri në Asiri, gjatë shtegtimeve të tyre.—Zn 25:18.
Periudha rreth viteve 1100 dhe 900 p.e.s. (pas sundimit të Tiglath-Pileserit I) ishte një periudhë rënieje për Asirinë. Kjo mendohet se krijoi kushtet e favorshme për zgjerimin e kufijve të Izraelit gjatë sundimit të Davidit (1077-1038 p.e.s.) dhe për zgjerimin e mëtejshëm të ndikimit të tij gjatë sundimit të Solomonit (1037-998 p.e.s.). Natyrisht, ky zgjerim erdhi kryesisht falë mbështetjes së Perëndisë dhe s’kishte të bënte me dobësimin e Asirisë.—2Sa 8, 10; 1Mb 4:21-24.
Ashurnasirpali II dhe Shalmaneseri III. Agresioni asirian nisi të kërcënonte Izraelin gjatë sundimit të Ashurnasirpalit II, i cili njihej për luftërat e tij të egra e mizore, siç është përmendur edhe më parë. Mbishkrimet tregojnë se ai kaloi Eufratin, pushtoi Sirinë Veriore dhe u kërkoi haraç qyteteve të Fenikisë. Pasardhësi i tij, Shalmaneseri III, është mbreti i parë që dokumentoi se pati kontakte të drejtpërdrejta me mbretërinë veriore të Izraelit. Sipas dokumenteve asiriane, Shalmaneseri përparoi deri në Karkar, buzë lumit Orontes, ku, siç pretendon ai, luftoi kundër një koalicioni mbretërish. Megjithatë, fitorja e asaj beteje nuk ishte vendimtare. Në Obeliskun e Zi të Shalmaneserit në Nimrud, Jehu (rr. 904-877 p.e.s.) renditet ndër ata që i paguan haraç. Në të gjendet edhe një basoreliev, ku paraqitet ndoshta një i dërguar i Jehut që i dorëzon haraçin monarkut të Asirisë.—Shih SHALMANESERI nr. 1.
Adad-Nirari III dhe pasardhësit e tij. Pas Shamshi-Adadit V, pasardhësit të Shalmaneserit III, në fronin e Asirisë u ngjit Adad-Nirari III. Mbishkrimet dokumentojnë se ai sulmoi Damaskun dhe mori haraç nga Jehoasi i Samarisë. Ndoshta diku rreth mesit të shekullit të nëntë p.e.s. (rr. 844), profeti Jonai u dërgua të paralajmëronte shkatërrimin e Ninevisë, kryeqytetit të Asirisë. Falë këtij paralajmërimi, gjithë qyteti, duke përfshirë edhe mbretin, u pendua. (Jn 3:2-6) Ka të ngjarë që mbreti i Asirisë në atë kohë të ketë qenë Adad-Nirari III, ndonëse kjo nuk është e sigurt.
Sipas historisë, ndër mbretërit që pasuan Adad-Nirarin III, ishin Shalmaneseri IV, Ashur-Dani III dhe Ashur-Nirari V, të gjithë bij të Adad-Nirarit III. Kjo periudhë karakterizohet nga një zbutje e agresivitetit të Asirisë.
Tiglath-Pileseri III. Mbreti i parë asirian që përmendet me emër në Bibël, është Tiglath-Pileseri III (2Mb 15:29; 16:7, 10), i quajtur edhe «Puli» te 2 Mbretërve 15:19. Te 1 Kronikave 5:26 përdoren të dy emrat dhe për këtë arsye, në të kaluarën, disa i merrnin si dy mbretër të ndryshëm. Megjithatë, në «Listën A të mbretërve babilonas» gjendet emri Pulu, dhe kjo tregon se të dy emrat i përkasin të njëjtit individ. Disa mendojnë se ky mbret fillimisht njihej me emrin Puli dhe, pasi hipi në fronin e Asirisë, u quajt Tiglath-Pileser.
Tiglath-Pileseri III hyri në territorin e mbretërisë veriore të Izraelit gjatë mbretërimit të Menahemit (rr. 790-781 p.e.s.). Menahemi i pagoi një mijë talenta argjendi (6.606.000 dollarë) dhe kështu asirianët u tërhoqën. (2Mb 15:19, 20) Sidoqoftë, më vonë, mbreti i Izraelit, Pekahu (rr. 778-759 p.e.s.), u lidh me mbretin e Sirisë, Rezinin, kundër Akazit, mbretit të Judës (761-746 p.e.s.). Ndonëse profecia e Isaisë kishte parathënë dështimin e sigurt të kërcënimit siro-izraelit, falë ndërhyrjes së mbretit të Asirisë (Is 7:1-9, 16, 17; 8:3, 4), Akazi u tregua i pamend dhe zgjodhi t’i jepte një ryshfet Tiglath-Pileserit që të luftonte kundër asaj aleance e të lehtësonte rrezikun që i kanosej Judës. Monarku asirian pranoi dhe pushtoi disa qytete në veri të mbretërisë së Izraelit, si dhe rajonet e Galaadit, Galilesë dhe Neftalit. Tiglath-Pileseri e kishte nisur që herët politikën e shpërnguljes së popullatave të zonave të pushtuara që të pakësonte mundësinë e kryengritjeve të mundshme, kështu që tani i çoi në mërgim disa izraelitë. (1Kr 5:6, 26) Edhe Juda ishte tani në një pozitë të nënshtruar kundrejt Asirisë, prandaj Akazi i Judës shkoi në Damask, që kishte rënë në duart e asirianëve, dhe i bëri nderime Tiglath-Pileserit.—2Mb 15:29; 16:5-10, 18; 2Kr 28:16, 20, 21, krahaso Is 7:17-20.
Shalmaneseri V. Shalmaneseri V zuri vendin e Tiglath-Pileserit III. Hoshea (rr. 758-740 p.e.s.), që kishte uzurpuar fronin e Izraelit, fillimisht ia pagoi haraçin Asirisë. Më vonë, ai komplotoi me Egjiptin që ta çlironte Izraelin nga zgjedha asiriane, prandaj Shalmaneseri nisi një rrethim trevjeçar të qytetit të Samarisë. Së fundi, qyteti ra (740 p.e.s.) dhe Izraeli u çua në mërgim. (2Mb 17:1-6; 18:9-11; Ho 7:11; 8:7-10) Shumica e veprave të referimit thonë se Shalmaneseri vdiq përpara se të përfundonte pushtimin e Samarisë dhe se në kohën kur qyteti ra, mbret ishte Sargoni II.—Megjithatë shih SARGONI; SHALMANESERI nr. 2.
Sargoni II. Dokumentet e Sargonit flasin për shpërnguljen e 27.290 izraelitëve në Eufratin e Sipërm dhe në Medi. Në to përshkruhet edhe fushata e tij në Filisti, gjatë së cilës pushtoi Gathin, Ashdodin dhe Asdudimun. Pikërisht gjatë kësaj fushate, Perëndia e udhëzoi profetin Isaia të paralajmëronte se sa gjë e kotë ishte të kërkoje mbrojtje tek Egjipti ose Etiopia kundër agresionit asirian. (Is 20:1-6) Ndoshta gjatë mbretërimit të Sargonit u dërguan për herë të parë njerëz nga Babilonia e Siria që të popullonin sërish Samarinë. Më vonë, mbreti asirian ktheu nga mërgimi një prift izraelit që t’u mësonte ‘fenë e Perëndisë së vendit’.—2Mb 17:24-28; shih SAMARIA nr. 2; SAMARITANËT.
Senakeribi. Senakeribi, i biri i Sargonit II, e sulmoi mbretërinë e Judës gjatë vitit të 14-të të mbretërimit të Hezekisë (732 p.e.s.). (2Mb 18:13; Is 36:1) Hezekia ishte rebeluar kundër zgjedhës asiriane që rëndonte mbi popullin për shkak të veprimeve të Akazit, atit të tij. (2Mb 18:7) Senakeribi u kundërpërgjigj, duke vërshuar nëpër Judë, ku thuhet se pushtoi 46 qytete (krahaso Is 36:1, 2), dhe më pas, nga fushimi i tij në Lakish, i kërkoi Hezekisë një haraç prej 30 talentash ari (rr. 11.560.000 dollarë) dhe 300 argjendi (rr. 1.982.000 dollarë). (2Mb 18:14-16; 2Kr 32:1; krahaso Is 8:5-8.) Ndonëse kjo shumë u pagua, Senakeribi dërgoi zëdhënësit e tij për të kërkuar dorëzimin pa kushte të Jerusalemit. (2Mb 18:17–19:34; 2Kr 32:2-20) Më pas, Jehovai vrau brenda një nate 185.000 ushtarë të tij, dhe kjo e detyroi mbretin mburravec asirian të tërhiqej e të kthehej në Ninevi. (2Mb 19:35, 36) Atje u vra nga dy bij të tij dhe në fron hipi Esar-Hadoni, një nga bijtë e tjerë. (2Mb 19:37; 2Kr 32:21, 22; Is 37:36-38) Edhe këto ngjarje, përveç shkatërrimit të trupave asiriane, janë të regjistruara në një prizëm të Senakeribit dhe në një tjetër të Esar-Hadonit.—FIGURAT, vëll. 1, f. 957 në botimin anglisht.
Esar-Hadoni. Gjatë mbretërimit të Manaseut (716-662 p.e.s.), Jehovai lejoi që krerët e ushtrisë asiriane ta kapnin rob këtë mbret të Judës dhe ta çonin në Babiloni (që në atë kohë ishte nën kontrollin e Asirisë). (2Kr 33:11) Disa mendojnë se kjo mund të ketë ndodhur gjatë fushatës fitimtare të Esar-Hadonit kundër Egjiptit. Sidoqoftë, Menasi (Manaseu) i Judës përmendet në mbishkrime ndër ata që i paguanin haraç Esar-Hadonit. Më vonë, Manaseu u rivendos në mbretërinë e tij në Jerusalem. (2Kr 33:10-13) Nga shkrimi i Ezdrës 4:2 duket se shpërngulja e njerëzve nga mbretëria veriore e Izraelit dhe anasjelltas, vazhdonte edhe në ditët e Esar-Hadonit, dhe kjo do të shpjegonte periudhën prej «gjashtëdhjetë e pesë vjetësh» në profecinë e Isaisë 7:8.—Shih AKAZI nr. 1; ESAR-HADONI.
Ashurbanipali. Para se të vdiste, Esar-Hadoni e kishte zgjedhur të birin, Ashurbanipalin, si princin trashëgimtar të Asirisë, kurse djalin tjetër, Shamash-Shum-U-Kinin, si princin trashëgimtar të Babilonisë. Më vonë, Shamash-Shum-U-Kini ngriti krye kundër të vëllait dhe Ashurbanipali e shtypi kryengritjen dhe plaçkiti qytetin e Babilonisë.
Gjatë mbretërimit të Ashurbanipalit, perandoria njohu shtrirjen e saj më të madhe. Ai shtypi një kryengritje në Egjipt dhe grabiti qytetin e Tebës (No-Amonin). Në atë kohë, kufijtë e Perandorisë Asiriane përfshinin viset e Elamit, një pjesë të Medisë deri në Ararat, kurse në perëndim shtriheshin deri në Kiliki të Azisë së Vogël, zbritnin nga Siria dhe Izraeli (pa përfshirë Jerusalemin), deri poshtë në Egjipt, Arabi dhe Babiloni. Me sa duket, ai është «i madhi dhe i nderuari Asenapar» që përmendet tek Ezdra 4:10.—Shih ASENAPARI.
Rënia e perandorisë. Kronika Babilonase B.M. (British Museum) 21901 thotë për rënien e Ninevisë, kryeqytetit të Asirisë, pas një rrethimi të forcave aleate të Nabopolasarit, mbretit të Babilonisë, dhe Siaksaresit të Medisë, gjatë vitit të 14-të të mbretërimit të Nabopolasarit (632 p.e.s.): «Qytetin [e kthyen] në kodra me rrënoja e pir[gje (me mbeturina)].» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 305; kllapat katrore e të rrumbullakëta janë të tyret.) Kështu, Perandoria e egër Asiriane pati një fund poshtërues.—Is 10:12, 24-26; 23:13; 30:30-33; 31:8, 9; Na 3:1-19; So 2:13.
Po e njëjta kronikë thotë se në vitin e 14-të të sundimit të Nabopolasarit (632 p.e.s.), Ashur-Ubaliti II u orvat ta vazhdonte sundimin asirian nga Harani, të cilin e bëri kryeqytet. Kjo kronikë tregon në lidhje me vitin e 17-të të Nabopolasarit (629 p.e.s.): «Në muajin duʼuzu, Ashur-Ubaliti, mbreti i Asirisë, (dhe) një [ushtri] e madhe e E[gji]ptit, [që kish ardhur në ndihmë të tij] kaluan lumin (Eufrat) dhe [marshuan] për të pushtuar Harranin.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 305; kllapat katrore e të rrumbullakëta janë të tyret.) Faktikisht, Ashur-Ubaliti po përpiqej ta ripushtonte pasi e kishin dëbuar. Ky dokument përputhet me tregimin e 2 Mbretërve 23:29 ku flitet për aktivitetin e faraonit Neko, që solli si pasojë vdekjen e Josisë, mbretit të Judës (rr. 629 p.e.s.). Në këtë shkrim thuhet se «faraoni Neko, mbreti i Egjiptit, u ngjit për te mbreti i Asirisë pranë lumit Eufrat», me sa duket për ta ndihmuar. «Mbreti i Asirisë», tek i cili shkoi Nekoja, fare mirë mund të ketë qenë Ashur-Ubaliti II. Fushata e tyre kundër Haranit dështoi. Perandoria Asiriane kishte marrë fund.
Titulli «mbreti i Asirisë» u përdor për mbretin pers (Dar Histaspisi) që sundoi në Asiri gjatë kohës kur në Jerusalem po rindërtohej tempulli (përfunduar më 515 p.e.s.).—Ezd 6:22.
Asiria në profeci. Asiria shfaqet në profecinë e thënë nga Balaami rreth vitit 1473 p.e.s. (Nu 24:24) Gjithashtu, përmendet shumë herë në profecitë e Isaisë, Jeremisë, Ezekielit, Mikesë, Naumit, Sofonisë dhe Zakarisë, kurse paralajmërimi se Asiria do të dërrmonte mbretërinë veriore të Izraelit përshkon gjithë profecinë e Hozesë. Mbështetja te këto kombe pagane e Izraelit dhe Judës apostate, të cilët, si «një pëllumb mendjelehtë», shpesh luhateshin herë nga Egjipti e herë nga Asiria, dënohet vazhdimisht. (Jr 2:18, 36; Va 5:6; Ezk 16:26, 28; 23:5-12; Ho 7:11) Pasojat shkatërrimtare të këtij qëndrimi përshkruhen me ngjyra të gjalla. (Ezk 23:22-27) Është profetizuar edhe poshtërimi i asirianëve dhe rikthimi në atdhe i të mërguarve izraelitë. (Is 11:11-16; 14:25; Jr 50:17, 18; Ezk 32:22; Za 10:10, 11) Po ashtu, është parathënë edhe koha kur mes Asirisë dhe Egjiptit do të kishte marrëdhënie paqësore, dhe se, bashkë me Izraelin, do të kishin pëlqimin e Perëndisë dhe do të ishin «një bekim në mes të tokës».—Is 19:23-25.
[Figura në botimin e shtypur]
Gdhendje nga pallati verior në Ninevi. Mbreti dhe mbretëresha po festojnë në kopsht; në pemën përballë harpistit është koka e prerë e një mbreti të mundur
[Figura në botimin e shtypur]
Karroca asiriane me emblema fetare në betejë
[Figura në botimin e shtypur]
Reliev në mur në Nimrud. Ushtarë asirianë po marrin perënditë e qytetit të mundur