ASHKENAZI
1. I pari në radhë nga tre bijtë e Gomerit, birit të Jafetit.—Zn 10:3; 1Kr 1:6.
Në shkrimet judaike të mesjetës (madje edhe në ato të epokave të mëvonshme) termi «Ashkenaz» përdorej për popujt teutonë, e sidomos për Gjermaninë. Në fakt, edhe sot e kësaj dite, hebrenjtë nga vendet gjermanike quhen ashkenazimë, ndryshe nga hebrenjtë e Spanjës dhe të Portugalisë që quhen sefardimë.
2. Te Jeremia 51:27 përmendet një mbretëri e Ashkenazit si aleate me mbretëritë e Araratit dhe të Minit kundër Babilonisë në kohën e rënies së saj (539 p.e.s.). Meqë Ararati mendohet se gjendej në zonën e liqenit Van, dhe Mini (i quajtur «Manai» në mbishkrimet asiriane) në juglindje të liqenit Van, ka të ngjarë që mbretëria e Ashkenazit të ndodhej në afërsi të atyre zonave, mbase diku më në veri, në rajonin mes Detit të Zi dhe detit Kaspik.
Sipas arkeologëve, emri Ashkenaz është Ashguzai në gjuhën asiriane, një term që përdorej me sa duket për skithasit e lashtë të rajonit të Detit të Zi dhe të detit Kaspik. Disa pllaka me shkrim kuneiform dëshmojnë për një aleancë mes atij fisi dhe Manait (Minit) në një kryengritje kundër Asirisë në shekullin e 7-të p.e.s.