KAFSHËT
Shpirtra të gjallë që nuk janë njerëz. (Krahaso Nu 31:28.) Fjala hebraike behemáh u referohet krijesave të mëdha katërkëmbëshe, zakonisht kafshëve të buta, por me raste edhe kafshëve të egra. Ajo është përkthyer ‘kafshë të buta’, ‘kafshë’ dhe ‘bagëti’. (Zn 1:26; 9:10; 34:23; Ps 107:38) Fjala hebraike rémes përdoret për të treguar ‘kafshët që lëvizin’ ose ‘rrëshqanorët’, dhe vjen nga rrënja ramás që do të thotë «lëviz; rrëshqas». (Zn 6:20; Ezk 8:10; Zn 1:28, shën., NW) Gjithashtu, termi hebraik haijáh, që fjalë për fjalë do të thotë «krijesë e gjallë», përdoret për t’iu referuar ‘bishave’ ose ‘kafshëve të egra’. (Zn 1:28; 3:14; Is 56:9) Barasvlerësi në greqisht është zoíon (krijesë e gjallë), që po ashtu përkthehet «kafshë».—Zb 4:7; 2Pj 2:12.
Perëndia Jehova i bëri të gjitha kafshët, duke krijuar paraardhësit e parë të çdo familjeje, pasi Shkrimet na sigurojnë se Perëndia i krijoi të gjitha «sipas llojit të vet». (Zn 1:25) Në këtë artikull do të flasim kryesisht për kafshët e tokës.
Perëndia i dha njeriut të përsosur autoritet mbi krijesat e ndryshme të tokës, ndaj ishte më se e përshtatshme që Adami të kishte privilegjin t’u vinte emra. (Zn 1:26; 2:19, 20) Meqë do t’i mbante të nënshtruara kafshët, njeriu do të ishte gjithnjë përgjegjës para Perëndisë për mënyrën si do të kujdesej për to.—Lu 12:48.
Kafshët u krijuan që të kishin frikë e tmerr nga njeriu si krijesë më e lartë. (Zn 9:2, 3) Sipas natyralistëve, kafshët e egra, si leopardi dhe kobra-mbret, zakonisht largohen kur ka njerëz. Mirëpo, sulmojnë kur i ngacmojnë, i plagosin, i zënë në ndonjë cep ose gjenden në befasi. Mendohet se tigrat i hanë njerëzit të detyruar nga rrethanat, si për shembull kur janë në moshë të madhe a të dëmtuar rëndë, e kështu janë tejet të kufizuar të zënë gjah si normalisht, ose kur gjahu është i paktë si pasojë e gjuetisë së njeriut.
Që para Përmbytjes, kafshët vriteshin për veshje dhe për flijime. (Zn 3:21; 4:4) Gjithsesi, vetëm pas Përmbytjes Jehovai e lejoi Noenë dhe familjen e tij të hanin mish, me kusht që t’ia derdhnin gjakun. (Zn 9:3, 4) Ndonëse njeriu mund t’i vriste kafshët për ushqim, nuk u autorizua të vriste më kot nga qejfi i gjuetisë ose për t’u mburrur me aftësitë e veta, siç bëri pa dyshim Nimrodi, i cili u rebelua kundër Perëndisë.—Zn 10:9.
Disa mendojnë se prania e kafshëve në ishuj të izoluar, si në Australi dhe në Zelandën e Re, tregon se jo të gjitha kafshët e tokës që ishin jashtë arkës u zhdukën gjatë Përmbytjes. Por gjetjet e oqeanografëve tregojnë se kontinentet dhe ishujt e sotëm dikur lidheshin mes tyre nga kreshta ose rripa toke. Për shembull, studimet oqeanografike tregojnë se Kreshta Mes-Atlantike mund të ketë kaluar mes për mes oqeanit dhe të ketë qenë mbi sipërfaqen e ujit. Ndoshta ka pasur edhe kreshta të tjera dhe kafshët mund të kenë migruar nëpër to para se këto kreshta të fundoseshin nën oqean. Nga studime të tjera oqeanografike kanë dalë prova se dikur ekzistonte një kontinent i stërmadh në Paqësorin Jugor ku përfshihej Australia dhe shumë ishuj pranë. Po të ketë qenë kështu, me siguri kafshët nuk e kanë pasur të vështirë të migronin në këto vende.
Kafshët e pastra dhe të papastra. Një klasifikim i kafshëve shihet kur Perëndia e udhëzoi Noenë të fuste në arkë shtatë nga çdo lloj kafshe e pastër dhe dy nga çdo lloj kafshe e papastër. (Zn 7:2, 3, 8, 9) Meqë mishi ende nuk lejohej të hahej, dallimi mes kafshëve të pastra e të papastra siç duket bëhej në bazë të asaj që ishte e pranueshme si flijim për Jehovain. Kështu, kur doli nga arka, Noeja e dinte cilat krijesa ishin të pastra e të përshtatshme për t’u paraqitur mbi altar. (Zn 8:20) Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë kufizim për llojin e kafshëve që mund të hanin Noeja dhe familja e tij, siç e tregojnë edhe fjalët e Jehovait: «Çdo kafshë e gjallë që lëviz, do t’ju shërbejë si ushqim.»—Zn 9:3.
Prandaj, me ligjin që Perëndia u dha izraelitëve u bë një ndarje e re kur disa kafshë u klasifikuan si të pastra e të përshtatshme për t’u ngrënë dhe të tjera si të papastra e që nuk duheshin ngrënë. Në Shkrime specifikohet: «Të gjitha krijesat dythundrake e me thundër të çarë dhe që ripërtypen. Këto kafshë, pra mund t’i hani.» (Le 11:3) Në vargje të tjera thuhet përsëri: «Mos hani asnjë gjë të pështirë të çfarëdo lloji. Ja kafshët që mund të hani: demi, delja, dhia, dreri, gazela, kaprolli, dhia e egër, antilopa, delja e egër dhe dhia e alpeve; gjithashtu, të gjitha kafshët dythundrake, pra që mes dy thundrave kanë një të çarë, dhe që ripërtypen.»—Lp 14:3-6.
Ata që ishin nën besëlidhjen e Ligjit nuk duhej t’i hanin kafshët që nuk kishin njërën ose të dyja veçoritë e lartpërmendura. Ndër kafshët e ndaluara ishin lepuri i shkëmbinjve, lepuri, derri dhe deveja. Gjithashtu, ndaloheshin krijesat që «ecin mbi katër putra», ku pa dyshim përfshiheshin krijesa, si luani, ariu dhe ujku.—Le 11:4-8, 26, 27; Lp 14:7, 8.
Këto kufizime vlenin vetëm për ata që ishin nën Ligjin e Moisiut, pasi Levitiku 11:8 thotë: «Ato kafshë janë të papastra për ju», domethënë për izraelitët. Me shfuqizimin e Ligjit në bazë të vdekjes flijuese të Krishtit Jezu, u hoqën edhe kufizimet, dhe njerëzit mund të hanin përsëri çdo lloj kafshe, ashtu siç iu tha Noesë pas Përmbytjes.—Kl 2:13-17; Zn 9:3, 4.
Meqë kufizimi për ushqimet e papastra ishte hequr bashkë me pjesën tjetër të Ligjit, mund të ngrihet pyetja pse Pjetri, rreth tre vjet e gjysmë më vonë, ende nuk kishte ngrënë ndonjë kafshë «të papastër». (Ve 10:10-15) Duhet të mbajmë parasysh se heqja e Ligjit solli ndryshime të mëdha në jetën e dishepujve të Krishtit, prandaj me të drejtë u është dashur njëfarë kohe të kuptonin gjithçka që përfshihej.
Përdorimi i figurshëm. Shkrimtarët e Biblës kanë përdorur dhe kanë përmendur tërthorazi veçoritë e jashtëzakonshme të kafshëve si simbol të cilësive dhe të fuqive të ndryshme politike. Ndonjëherë, veçoritë e kafshëve mund të portretizojnë cilësi të shkëlqyera, si hyjnore, edhe njerëzore. (Ezk 1:10, 11; Zb 4:6, 7) Në raste të tjera, kafshët mund të simbolizojnë fuqi sunduese si bishat, të cilat shtypin e dërrmojnë popuj.—Dn 7:2-7; 8:5-8, 20, 21; Zb 13:1-17. shih BISHAT SIMBOLIKE.
Trajtimi i duhur i kafshëve. Sipas Ligjit të Moisiut, ndër kafshët e përshtatshme që mund të flijoheshin për adhurim ishin gjedhët, delet e dhitë. Këto duhej të ishin të shëndetshme dhe nuk pranohej asnjë kafshë e tredhur. (Le 22:23-25) Ndalohej përdorimi i gjakut të kafshëve për ushqim ose për ndonjë qëllim tjetër, përveç flijimit. (Le 17:13, 14) Ndalohej rreptësisht adhurimi i çfarëdo shëmbëlltyre të kafshëve a të krijesave të tjera.—Da 20:4, 5.
Në Bibël thuhet vazhdimisht se krijesat më të ulëta duhen trajtuar me mëshirë dhe në mënyrën e duhur. Në fakt, Jehovai e përshkruan veten si Ai që kujdeset me dashuri për jetën dhe nevojat e tyre. (Pr 12:10; Ps 145:15, 16) Në Ligjin e Moisiut urdhërohej të tregohej kujdesi i duhur për kafshët shtëpiake. Kur dikush gjente një kafshë shtëpiake që kishte humbur, duhej t’ia kthente të zotit; nëse kafsha ishte rrëzuar nga ndonjë ngarkesë, duhej ta ndihmonte. (Da 23:4, 5) Kur përdoreshin për punë, kafshët duheshin trajtuar me dhembshuri. (Lp 22:10; 25:4) Ashtu si njerëzit, edhe ato duhej të pushonin në sabat. (Da 20:10; 23:12; Lp 5:14) Kafshët e rrezikshme duheshin mbajtur nën kontroll ose duheshin vrarë. (Zn 9:5; Da 21:28, 29) Ndalohej kryqëzimi mes llojeve.—Le 19:19.
Njerëzit që i frikësohen Perëndisë i shohin kafshët si dhuratë bujare nga Perëndia për mirëqenien e tyre. Ato i kanë shërbyer njeriut si kafshë barre, si burim ushqimi e veshjeje, për të ruajtur kushtet higjieno-sanitare dhe si ndihmë në veprimtaritë jetësore të lërimit e të korrjes. Shumëllojshmëria e tyre në forma e në ngjyra të kënaq syrin; zakonet e instinktet e tyre kanë ofruar dhe ende ofrojnë mundësi të pafundme kërkimesh rreth veprave të mrekullueshme të Perëndisë. Ndonëse kafshët ngordhin, siç edhe njerëzit vdesin, ato nuk kanë shpresën e ringjalljes.—2Pj 2:12; shih edhe kafshët, zogjtë, insektet dhe zvarranikët sipas emrave përkatës; gjithashtu ZOGJTË; PESHQIT; INSEKTET.