AMFIPOLI
[përreth qytetit].
Qytet në Maqedoni rreth 5 km nga deti Egje dhe nga porti i Ejonit. Pavli kaloi përmes Amfipolit gjatë udhëtimit të dytë misionar. (Ve 17:1) Qyteti mori këtë emër ngaqë ishte ndërtuar mbi një kodër të rrethuar nga tri anë (veri, perëndim dhe jug) nga lumi gjarpërues i Strimonit. Amfipoli shtrihej rreth 50 km në perëndim-jugperëndim të Filipisë. Falë vendndodhjes në rrugën kryesore të famshme romake, Rruga Egnatia, si dhe ngaqë kontrollonte urën mbi lumin Strimon, ishte pikë mjaft e rëndësishme strategjike dhe tregtare. Në fillim u themelua si koloni athinase në shekullin e pestë p.e.s., ndërsa më vonë ra nën sundimin e Maqedonisë. Më pas ra në duart e Romës, e cila e bëri qytet të pavarur dhe kryeqytetin e krahinës së parë maqedonase. Rrënojat ndodhen në të dalë të fshatit të sotëm që njihet me të njëjtin emër Amfipoli.