ABELI
1. [Ndoshta: avull; kotësi.] Djali i dytë i Adamit dhe i gruas së tij, Evës, si dhe vëllai më i vogël i Kainit, të parëlindurit të tyre.—Zn 4:2.
Ka të ngjarë që, kur ishte gjallë, Abeli të ketë pasur motra, pasi tregimi thotë se Adamit dhe Evës i lindën bija, ndonëse emrat e tyre nuk janë treguar. (Zn 5:1-4) Kur u rrit, ai u bë çoban dhensh, kurse i vëllai u bë bujk.—Zn 4:2.
Pas një periudhe kohe të pacaktuar, Abeli i bëri Perëndisë Jehova një blatim. Të njëjtën gjë bëri edhe Kaini. Secili solli nga ato që kishte: Abeli solli disa pjella të para të kopesë, kurse Kaini prodhime të tokës. (Zn 4:3, 4) Të dy besonin te Perëndia. Pa dyshim, ata kishin mësuar për Të nga prindërit e tyre dhe duhet ta kenë ditur pse ishin të gjithë jashtë kopshtit të Edenit e për ç’arsye nuk u lejohej më të hynin atje. Blatimet e tyre tregonin se ata e pranonin që ishin larguar nga Perëndia dhe shprehnin dëshirën që të kishin miratimin e tij. Perëndia e miratoi blatimin e Abelit, por jo atë të Kainit. Tregimi nuk thotë se si e shfaqi Perëndia miratimin ose mosmiratimin e tij, megjithatë ai ishte pa dyshim i dukshëm si për Kainin, edhe për Abelin. Arsyeja pse Perëndia miratoi vetëm blatimin e Abelit sqarohet nga shkrimet e mëvonshme. Te Hebrenjve 11:4, apostulli Pavël thotë se Abeli ishte njeriu i parë që tregoi besim, dhe shton se falë besimit, flijimi i Abelit kishte «vlerë më të madhe» se blatimi i Kainit. Nga ana tjetër, 1 Gjonit 3:11, 12 tregon se Kaini kishte një qëndrim të keq në zemër. Këtë e tregoi më vonë kur shpërfilli këshillën dhe paralajmërimin e Perëndisë, si dhe kur vrau me paramendim të vëllanë, Abelin.
Nuk mund të thuhet se Abeli e dinte që më përpara se si do të plotësohej përfundimisht premtimi i Perëndisë për ‘farën’ te Zanafilla 3:15. Megjithatë, ka mjaft të ngjarë që ai të ketë menduar shumë për atë premtim dhe të ketë besuar se duhej derdhur gjak, se dikush duhej ‘të plagosej në thembër’, që njerëzimi të fitonte përsëri përsosmërinë që gëzonin Adami dhe Eva para se të rebeloheshin. (He 11:4) Duke u nisur nga kjo, pjellat e para të kopesë ishin një blatim i përshtatshëm nga ana e Abelit. Kjo pa dyshim bëri që Perëndia ta miratonte. Atij që jep jetë, Abeli i dha si dhuratë jetë, edhe pse ishin veçse kafshë kopeje.—Krahaso Gjo 1:36.
Jezui tha se Abeli ishte martiri dhe viktima e parë e përndjekjes fetare nga vëllai i tij jotolerant, Kaini. Në këtë rast, Jezui tha se Abeli jetoi që nga «themelimi i botës». (Lu 11:48-51) Fjala greke për ‘botë’ është kósmos dhe në këtë shkrim i referohet njerëzimit. Termi ‘themelim’ përkthehet nga fjala greke katabolé dhe fjalë për fjalë do të thotë «hedh [farë]». (He 11:11, Int) Me shprehjen «themelimi i botës» Jezui iu referua në mënyrë të dukshme lindjes së pasardhësve të Adamit dhe të Evës, e si rrjedhojë, lindjes së botës njerëzore. Pavli e përfshin Abelin në ‘renë e dëshmitarëve’ të kohëve të parakrishterimit.—He 11:4; 12:1.
Në ç’kuptim gjaku i Jezuit «flet më mirë se ai i Abelit»?
Falë besimit dhe miratimit hyjnor, për të cilat Shkrimet vazhdojnë të japin dëshmi, mund të thuhet se «edhe pse vdiq, ai [Abeli] ende flet». (He 11:4) Te Hebrenjve 12:24, apostulli Pavël përmendi ‘Jezuin, ndërmjetësin e një besëlidhjeje të re dhe gjakun e spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit’. Gjaku i Abelit, edhe pse i derdhur si martir, nuk bleu ose nuk shpengoi askënd, njësoj si gjaku i gjedhëve që flijoi. Në fakt, gjaku i tij i thërriste Perëndisë që të hakmerrej kundër Kainit që e vrau. Gjaku i Jezuit, që sipas këtij vargu e bëri të vlefshme besëlidhjen e re, flet më mirë se ai i Abelit, në kuptimin që i thërret Perëndisë për mëshirë ndaj të gjithë atyre që kanë besimin e Abelit. Veç kësaj, gjaku i Jezuit është mjeti me të cilin bëhet i mundur shpengimi i tyre.
Meqenëse Seti duket se lindi pak pas vdekjes së Abelit, kur Adami ishte 130 vjeç, ka mundësi që Abeli të ketë qenë afër moshës 100-vjeçare kur u vra.—Zn 4:25; 5:3.
2. [Rrjedhë uji.] Një qytet që quhet edhe Abel-Beth-Makah ose Abeli i Beth-Makahut. Fjala Abel është përdorur edhe si parashtesë në emrat e disa vendeve.—2Sa 20:18; shih ABEL-BETH-MAKAHU.
3. Te 1 Samuelit 6:18, King James Version përmend ‘gurin e madh të Abelit’, kurse shënimi anësor thotë: «Ose, Abeli i madh, që do të thotë mbaj zi.» Megjithatë, në pjesën më të madhe të përkthimeve moderne këtu lexojmë thjesht ‘gur i madh’. (Krahaso BR, Dio, DSF, Kris dhe të tjerë.) Ndërkohë që në këtë varg teksti masoretik në hebraisht përdor fjalën ʼAvél, Septuaginta greke dhe Targumet aramaike e përkthejnë sikur të ishte ʼéven, që do të thotë «gur». Ky përkthim përkon me vargun 14 të po këtij kapitulli. Nuk ka mundësi të jetë fjala për Abelin e Beth-Makahut, pasi ngjarja që gjejmë te 1 Samuelit 6:18 ndodhi afër Beth-Shemeshit në Judë.