MËSIMI 69
Gabrieli shkon të takojë Marinë
Elizabeta kishte një kushërirë në moshë të re që e quanin Mari. Ajo jetonte në Nazaret, një qytet në Galile. Maria ishte e fejuar me Jozefin, një zdrukthëtar. Kur Elizabeta ishte gjashtëmuajshe shtatzënë, engjëlli Gabriel iu shfaq Marisë. Ai i tha: ‘Mirëdita Mari! Jehovai është shumë i kënaqur me ty.’ Ajo nuk e kuptoi ku e kishte fjalën. Prandaj Gabrieli i tha: ‘Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe emrin duhet t’ia vësh Jezu. Ai do të jetë Mbret dhe Mbretëria e tij do të qëndrojë përgjithmonë.’
Maria iu përgjigj: ‘Por unë jam e virgjër. Si mund të kem fëmijë?’ Gabrieli i tha: ‘Asgjë nuk është e pamundur për Jehovain. Fryma e shenjtë do të vijë te ti, dhe ti do të kesh një djalë. Ndërkohë, edhe kushërira jote e moshuar, Elizabeta, është shtatzënë.’ Pastaj Maria shtoi: ‘Jam skllavja e Jehovait. Le të më ndodhë ashtu siç the.’
Maria shkoi te një qytet kodrinor për të takuar Elizabetën. Kur e përshëndeti, Elizabeta ndjeu se foshnja hovi në bark. E mbushur me frymë të shenjtë, tha: ‘Mari, Jehovai të ka bekuar. Është nder për mua të kem në shtëpi nënën e Mesisë.’ Maria qëndroi me Elizabetën rreth tre muaj dhe pastaj u kthye në Nazaret.
Kur Jozefi mori vesh se Maria ishte shtatzënë, donte ta prishte fejesën. Por një engjëll iu shfaq në ëndërr dhe i tha: ‘Mos ki merak të martohesh me të. Ajo s’ka bërë asgjë të gabuar.’ Kështu Jozefi e mori Marinë për grua dhe e çoi në shtëpi.
«Jehovai bën gjithçka që i pëlqen, në qiell e në tokë.»—Psalmi 135:6