MËSIMI 42
Jonatani trim dhe besnik
Jonatani, djali i madh i mbretit Saul, ishte një luftëtar trim. Davidi e përshkroi si më të shpejtë se shqiponja dhe më të fortë se luani. Një ditë, Jonatani pa disa filistinë mbi një kodër. Ai i tha shërbëtorit që i mbante armët: ‘Do t’i sulmojmë vetëm nëse Jehovai na jep një shenjë. Nëse filistinët na thonë të ngjitemi, atëherë e dimë se duhet t’i sulmojmë.’ Filistinët bërtitën: ‘Ngjituni dhe luftoni me ne!’ Kështu dy burrat u ngjitën në kodër dhe mundën 20 ushtarë.
Jonatani ishte djali i madh i Saulit dhe i binte që të bëhej mbret pas tij. Por Jonatani e dinte se Jehovai kishte zgjedhur Davidin si mbretin e ardhshëm të Izraelit, e prapëseprapë nuk u bë xheloz. Jonatani dhe Davidi u bënë shokë të ngushtë. Ata premtuan se do ta mbronin dhe do ta mbështetnin njëri-tjetrin. Jonatani i dha Davidit në shenjë miqësie petkun, shpatën, harkun dhe rripin e vet.
Kur Davidi ishte arratisur për shkak të Saulit, Jonatani shkoi tek ai dhe i tha: ‘Ji i fortë dhe guximtar. Jehovai të ka zgjedhur ty të jesh mbret. Edhe babai im e di këtë.’ A do të doje të kishe një shok të mirë si Jonatani?
Më shumë se një herë Jonatani rrezikoi jetën për të ndihmuar shokun. Ai e dinte se i ati donte ta vriste Davidin, prandaj i tha: ‘Do të mëkatoje po ta vrisje Davidin, pasi ai s’ka bërë asgjë të keqe.’ Sauli u tërbua me Jonatanin. Disa vjet më vonë, Sauli dhe Jonatani vdiqën të dy në betejë.
Pas vdekjes së Jonatanit, Davidi kërkoi djalin e tij, Mefiboshetin. Kur e gjeti, i tha: ‘Ngaqë e kisha shumë shok babanë tënd, do të kujdesem për ty gjatë gjithë jetës. Do të jetosh në pallatin tim dhe do të hash në tryezën time.’ Davidi nuk e harroi kurrë shokun e tij, Jonatanin.
«Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet.»—Gjoni 15:12, 13