MËSIMI 37
Jehovai flet me Samuelin
Kryeprifti Eli kishte dy djem, të cilët shërbenin si priftërinj në tabernakull. Njërin e quanin Hofni, kurse tjetrin Finehas. Ata nuk u bindeshin ligjeve të Jehovait dhe e trajtonin shumë keq popullin. Kur izraelitët sillnin flijime për Jehovain, Hofni dhe Finehasi merrnin për vete pjesën më të mirë të mishit. Eliu e kishte marrë vesh si silleshin djemtë, por nuk bënte asgjë për t’i ndalur. A do të lejonte Jehovai që gjërat të vazhdonin kështu?
Edhe pse Samueli ishte shumë më i ri sesa Hofni dhe Finehasi, ai nuk ndiqte shembullin e tyre. Jehovai ishte i kënaqur me Samuelin. Një natë, ndërsa po flinte, Samueli dëgjoi një zë që po e thërriste me emër. Ai u çua, vrapoi tek Eliu dhe i tha: ‘Këtu jam!’ Por Eliu i tha: ‘Nuk të thirra unë. Kthehu të flesh.’ Samueli vajti prapë në shtrat. Pastaj e dëgjoi edhe një herë tjetër zërin. Kur Samueli e dëgjoi zërin për herë të tretë, Eliu e kuptoi që Samuelin po e thërriste Jehovai. Ai i tha Samuelit që, po ta dëgjonte edhe një herë zërin, duhej të thoshte: ‘Fol Jehova. Shërbëtori yt po të dëgjon.’
Samueli shkoi prapë të shtrihej. Më pas, dëgjoi: ‘Samuel! Samuel!’ Ai u përgjigj: ‘Fol, sepse shërbëtori yt po të dëgjon.’ Jehovai i tha: ‘Thuaji Eliut se unë do ta ndëshkoj atë dhe familjen e tij. Ai e di që djemtë e tij po bëjnë gjëra të këqija në tabernakullin tim dhe prapë nuk bën asgjë.’ Të nesërmen në mëngjes, Samueli hapi dyert e tabernakullit si gjithmonë. Ai kishte frikë t’i tregonte kryepriftit se çfarë i kishte thënë Jehovai. Por Eliu e thirri dhe e pyeti: ‘Biri im, çfarë të tha Jehovai? Më thuaj gjithçka.’ Kështu Samueli i tregoi Eliut çdo gjë.
Ndërsa Samueli rritej, Jehovai vazhdoi të ishte miku i tij. Të gjithë izraelitët, nga njëri skaj i vendit në tjetrin, e dinin se Jehovai e kishte zgjedhur Samuelin si profet dhe gjykatës.
«Kujtoje, pra, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate.»—Eklisiastiu 12:1