MËSIMI 26
Dymbëdhjetë vëzhguesit
Izraelitët ikën nga mali Sinai dhe udhëtuan përgjatë shkretëtirës së Paranit, drejt një vendi të quajtur Kadesh. Atje Jehovai i tha Moisiut: ‘Dërgo 12 burra, një për çdo fis, që të vëzhgojnë Kananin, tokën që do t’u jap izraelitëve.’ Kështu që Moisiu zgjodhi 12 burra dhe u tha: ‘Shkoni në Kanan e zbuloni nëse toka është pjellore. Shihni nëse njerëzit janë të dobët a të fortë, nëse jetojnë në tenda apo në qytete.’ Të dymbëdhjetë vëzhguesit, përfshirë Josiun dhe Kalebin, u nisën për në Kanan.
Pas 40 ditëve, vëzhguesit u kthyen dhe me vete kishin sjellë fiq, shegë dhe rrush. Ata raportuan: ‘Toka është e mirë, por populli është i fortë dhe qytetet kanë mure të larta.’ Pastaj Kalebi tha: ‘Ne mund t’i mposhtim ata. Le të shkojmë menjëherë!’ E dini pse e tha këtë Kalebi? Sepse ai dhe Josiu kishin besim te Jehovai. Por dhjetë vëzhguesit e tjerë thanë: ‘Jo! Njerëzit atje janë shumë të mëdhenj, si gjigantë! Ne dukeshim si karkaleca para tyre.’
Izraelitët u shkurajuan. Ata filluan të ankoheshin dhe t’i thoshin njëritjetrit: ‘Hajde zgjedhim një udhëheqës tjetër e të kthehemi në Egjipt. Pse duhet të shkojmë në këtë vend që të na vrasin?’ Josiu dhe Kalebi thanë: ‘Bindjuni Jehovait dhe mos kini frikë. Jehovai do të na mbrojë.’ Por izraelitët nuk dëgjuan. Madje donin t’i vritnin Josiun dhe Kalebin!
Çfarë bëri Jehovai? Ai i tha Moisiut: ‘Pas gjithë gjërave që kam bërë për izraelitët, ata prapë nuk më binden. Prandaj ata do të rrinë në shkretëtirë për 40 vjet dhe aty do të vdesin. Vetëm fëmijët e tyre dhe Josiu me Kalebin do të jetojnë në tokën që u premtova t’u jepja.’
«Pse keni frikë? Kaq pak besim keni?»—Mateu 8:26