Ja një model—Asafi
Asafi po kalon një periudhë të vështirë. Gjithkund sheh njerëz që shkelin ligjet e Perëndisë dhe në dukje ia hedhin pa u lagur. Kjo e bën Asafin të thotë me vete: «A ia vlen të përpiqesh t’i pëlqesh Perëndisë?» Ai thotë: «Më kot, pra, e kam pastruar zemrën e i laj duart në pafajësi.» Por, pasi e mendon mirë, Asafi ndërron mendje. Ai e kupton se gëzimi i të ligjve zgjat pak. Cili është përfundimi i Asafit? «Veç teje, s’kam tjetër kënaqësi mbi dhé»,—i thotë ai Jehovait në këngë.—Psalmi 73:3, 13, 16, 25, 27.
Mbase ndonjëherë edhe ti ke vënë në dyshim nëse ia vlen të jetosh sipas normave të Perëndisë. Por bëj si Asafi dhe mos shiko vetëm atë që duket. Shiko se ku kanë përfunduar ata që nuk u janë bindur ligjeve të Jehovait. A kanë vërtet paqe? A kanë gjetur ndonjë mënyrë për të qenë të lumtur që besnikët e Perëndisë nuk e kanë gjetur? Pasi ta kesh menduar mirë, pa dyshim që do të doje të përsëritje fjalët e Asafit: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.»—Psalmi 73:28.