KAPITULLI 20
A dëshiron të jesh gjithnjë i pari?
A NJEH ndonjë që dëshiron të jetë gjithnjë i pari? . . . Ndoshta ai i shtyn të tjerët që të dalë i pari në radhë. A ke parë një gjë të tillë? . . . Mësuesi i Madh pa edhe të rritur që donin të ishin të parët ose të zinin vendet më të rëndësishme. Ajo që pa nuk i pëlqeu. Le të shohim çfarë ndodhi.
A ke parë njerëz që përpiqen të jenë të parët?
Bibla na thotë se Jezuin e ftuan në një gosti të madhe në shtëpinë e një fariseu, që ishte udhëheqës fetar i rëndësishëm. Pasi mbërriti atje, Jezui filloi të shihte mysafirët e tjerë që hynin dhe zgjidhnin vendet më të mira për t’u ulur. Prandaj u tregoi një histori atyre që ishin ftuar. Dëshiron ta dëgjosh? . . .
Jezui tha: ‘Kur të fton dikush në dasmë, mos shko të zësh vendin më të mirë ose më të rëndësishëm.’ Përse e tha Jezui këtë, e di? . . . Ai shpjegoi se mund të jetë ftuar dikush më i rëndësishëm. Prandaj, siç mund ta shohësh në figurë, ai që po bën dasmën vjen e i thotë këtij tjetrit: ‘Lëshoja vendin këtij njeriu, kurse ti shko ulu atje.’ Si do të ndihej i ftuari pas kësaj? . . . Do të ndihej i turpëruar, sepse të gjithë të ftuarit e tjerë do ta shihnin që po e çonin të ulej te një vend jo aq i rëndësishëm.
Jezui po tregonte se nuk është e drejtë të duam vendin më të mirë. Prandaj tha: ‘Kur të ftojnë në një dasmë, shko e ulu në vendin e fundit. Atëherë, ai që të ka ftuar mund të vijë dhe të të thotë: «Mik, shko ulu më lart.» Atëherë do të ndihesh i nderuar para gjithë të ftuarve, kur të shkosh të ulesh në një vend më të mirë.’—Luka 14:1, 7-11.
Çfarë mësimi po jepte Jezui kur tregoi për ata që zinin vendet më të mira ose vendet e para?
A e kuptove çfarë donte të theksonte Jezui me këtë tregim? . . . Le të bëjmë një shembull për të parë nëse e kuptove. Ta zëmë se po hipën në një autobus plot me njerëz. A duhet të nxitosh që të zësh një vend për t’u ulur dhe të lësh në këmbë një njeri më të rritur? . . . A do t’i pëlqente Jezuit po të veproje kështu? . . .
Dikush mund të thotë se për Jezuin s’ka shumë rëndësi se çfarë bëjmë ne. Por, a e beson ti këtë? . . . Kur Jezui ishte në gostinë e madhe te shtëpia e fariseut, ai i pa njerëzit tek po zinin vendet. Si mendon, a është po kaq i interesuar për atë që bëjmë ne sot? . . . Tani që Jezui është në qiell, patjetër që e ka më të lehtë të na shohë.
Kur dikush dëshiron të jetë i pari, kjo mund të sjellë probleme. Shpesh lind një grindje dhe njerëzit zemërohen. Nganjëherë kjo ndodh kur fëmijët shkojnë së bashku për të bërë një shëtitje me autobus. Sapo hapen dyert e autobusit, fëmijët turren për të qenë të parët. Duan karriget më të mira, ato që janë nga dritarja. Çfarë mund të ndodhë më pas? . . . Po, ata mund të zemërohen me njëri-tjetrin.
Të duash të jesh i pari mund të sjellë shumë probleme. Kjo dëshirë solli probleme edhe te apostujt e Jezuit. Siç e mësuam në kapitullin e gjashtë të këtij libri, ata debatuan mes tyre se kush ishte më i madhi. Çfarë bëri Jezui atëherë? . . . Po, u foli që të mos vepronin kështu. Por më vonë ata debatuan prapë. Le të shohim se si filloi kjo.
Apostujt, bashkë me të tjerë, po shkojnë për herë të fundit me Jezuin në qytetin e Jerusalemit. Jezui u ka folur për Mbretërinë e tij, kështu që Jakovi dhe Gjoni kanë menduar për këtë mundësi që të sundojnë si mbretër me të. Madje kanë folur për këtë gjë edhe me nënën e tyre, Salomën. (Mateu 27:56; Marku 15:40) Prandaj, rrugës për në Jerusalem, Saloma i afrohet Jezuit, përkulet para tij dhe i kërkon diçka.
«Çfarë do?»—e pyet Jezui. Ajo përgjigjet se dëshiron që Jezui t’i lërë bijtë e saj të ulen pranë tij në Mbretërinë e tij, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë. Si mendon ti, si ndihen dhjetë apostujt e tjerë kur marrin vesh çfarë ka kërkuar nëna e Jakovit dhe e Gjonit, e shtyrë nga këta të dy? . . .
Çfarë po i kërkon Saloma Jezuit dhe ç’ndodh më pas?
Po, ata zemërohen shumë me Jakovin dhe me Gjonin. Prandaj Jezui u jep të gjithë apostujve të tij disa këshilla të mira. Jezui u thotë se sundimtarëve të kombeve u pëlqen të jenë të fuqishëm dhe të rëndësishëm. Ata duan të kenë një pozitë të lartë, ku të gjithë t’u binden atyre. Por Jezui u thotë dishepujve të tij se ata nuk duhet të jenë kështu. Jo, Jezui thotë: «Kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush, duhet të jetë skllavi juaj.» Mendo pak për këtë!—Mateu 20:20-28.
Çfarë pune bën një skllav, si thua? . . . Ai u shërben të tjerëve, pa pritur që të tjerët t’i shërbejnë atij. Zë vendin e fundit, jo të parin. Vepron si ai që është më pak i rëndësishëm, jo sikur të jetë më i rëndësishëm se të tjerët. E mos harro, Jezui tha se ai që dëshiron të jetë i pari duhet të veprojë si një skllav për të tjerët.
Çfarë mendon se do të thotë kjo për ne? . . . A do të zihej një skllav me pronarin e tij se kush do të zërë vendin më të mirë? Ose a do të zihej se kush do të hajë bukë i pari? Si mendon? . . . Jezui shpjegoi se skllavi lë që pronari i tij të jetë gjithnjë i pari.—Luka 17:7-10.
Prandaj, në vend që të përpiqemi të jemi të parët, çfarë duhet të bëjmë? . . . Po, duhet të veprojmë si skllevër për të tjerët. Kjo do të thotë të lëmë që të jenë ata të parët. Do të thotë t’i shohim të tjerët si më të rëndësishëm se ne. A të vijnë në mendje disa mënyra se si mund të mendosh në radhë të parë për të tjerët? . . . Pse të mos kthehesh te faqet 40 dhe 41 e të shohësh prapë disa mënyra se si mund të mendosh më parë për të tjerët, duke u shërbyer atyre.
Ndoshta të kujtohet që Mësuesi i Madh mendoi më parë për të tjerët, duke u shërbyer atyre. Madje mbrëmjen e fundit që kaloi me apostujt e tij, u ul dhe u lau këmbët. Nëse edhe ne mendojmë së pari për të tjerët, duke u shërbyer atyre, do t’i pëlqejmë Mësuesit të Madh dhe Atit të tij, Perëndisë Jehova.
Le të lexojmë disa shkrime të tjera nga Bibla, që na nxitin të lëmë që të jenë të tjerët të parët: Luka 9:48; Romakëve 12:3 dhe Filipianëve 2:3, 4.