BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be mësimi 29 f. 181-f. 185 par. 2
  • Cilësia e zërit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Cilësia e zërit
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Material i ngjashëm
  • Fjalët e thëna qartë
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Muskujt—Kryevepra projekti
    Zgjohuni!—1999
  • Leksion për operën
    Zgjohuni!—2008
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be mësimi 29 f. 181-f. 185 par. 2

MËSIMI 29

Cilësia e zërit

Çfarë duhet të bësh?

Përmirësoje zërin, jo duke imituar dikë tjetër, por duke marrë frymë siç duhet dhe duke shtendosur muskujt.

Pse ka rëndësi?

Cilësia e mirë e zërit i ndihmon të tjerët që të ndihen rehat dhe të të dëgjojnë me kënaqësi. Cilësia e dobët e zërit e pengon komunikimin dhe mund të shqetësojë si oratorin, ashtu edhe auditorin.

NJERËZIT ndikohen shumë jo vetëm nga ajo që thuhet, por edhe nga mënyra se si thuhet. Nëse dikush që po të flet ka zë të këndshëm, të ngrohtë, miqësor dhe të ëmbël, a nuk është e vërtetë që je më i prirur për ta dëgjuar, sesa po ta kishte zërin të ftohtë ose të ashpër?

Zhvillimi i një cilësie të dëshirueshme të zërit nuk është thjesht çështje e mekanizmave të prodhimit të zërit. Mund të përfshijë edhe personalitetin e një njeriu. Gjatë kohës që një njeri përparon në njohuri dhe në zbatimin e së vërtetës biblike, ndryshimet bëhen të dukshme në mënyrën se si flet. Në zërin e tij pasqyrohen cilësi të tilla të perëndishme, si dashuria, gëzimi dhe mirëdashja. (Gal. 5:22, 23) Në qoftë se interesohet me të vërtetë për të tjerët, kjo duket në zërin e tij. Në qoftë se mirënjohja i zë vendin frymës së ankimit kronik, si fjalët e thëna, ashtu edhe toni i zërit e pasqyrojnë këtë. (Vajt. 3:39-42; 1 Tim. 1:12; Jud. 16) Edhe kur nuk e kupton gjuhën që flitet, nuk e ke të vështirë ta bësh dallimin ndërmjet dikujt që të tingëllon arrogant, jotolerues, kritikues, i ashpër dhe dikujt që të tingëllon i përulur, i duruar, i sjellshëm dhe i dashur.

Në disa raste cilësia jo e përshtatshme e zërit mund të jetë pasojë e një sëmundjeje që i ka dëmtuar personit laringun ose mund të jetë një e metë fizike e trashëguar. Këto rrethana mund të jenë kaq të rënda, saqë nuk ndreqen dot plotësisht në këtë sistem. Megjithatë, në përgjithësi vihet re përmirësim kur personi mëson të përdorë siç duhet organet e të folurit.

Në radhë të parë, është e rëndësishme të kuptojmë që karakteristikat e zërit ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Ti nuk duhet të kesh si synim që të fitosh një zë si të dikujt tjetër. Përkundrazi, zhvillo potencialin e zërit tënd, me cilësitë e tij të veçanta. Çfarë mund të të ndihmojë që ta bësh këtë? Ka dy gjëra thelbësore.

Kontrollo siç duhet frymëmarrjen. Që ta përdorësh sa më mirë zërin, të nevojitet një sasi e mjaftueshme ajri dhe një kontroll i mirë i frymëmarrjes. Pa këto dy gjëra, zëri yt mund të jetë i dobët dhe mund të flasësh me hope.

Pjesa më e madhe e mushkërive nuk gjendet në pjesën e sipërme të kraharorit. Kjo zonë duket më e madhe për shkak të kockave të shpatullave. Përkundrazi, mushkëritë janë më të gjera në pjesën që gjendet paksa mbi diafragmë. E ngjitur me brinjët e poshtme, diafragma ndan kraharorin nga zgavra e barkut.

Në rast se mbush vetëm pjesën e sipërme të mushkërive kur merr frymë, shumë shpejt do të mbetesh pa frymë. Zëri yt nuk do të ketë fuqi dhe do të lodhesh lehtë. Për të marrë frymë siç duhet, duhet të qëndrosh ulur ose në këmbë drejt dhe t’i mbash shpatullat prapa. Bëj një përpjekje të vetëdijshme për të mos zgjeruar vetëm pjesën e sipërme të kraharorit kur merr frymë për të folur. Në fillim mbush pjesën e poshtme të mushkërive. Sapo të jetë mbushur kjo pjesë, pjesa e fundit e kafazit të kraharorit do të zgjerohet anash. Në të njëjtën kohë, diafragma do të zhvendoset poshtë, duke shtyrë lehtësisht stomakun dhe zorrët sa të ndiesh presionin e rripit ose të rrobave të tjera në bark. Por mushkëritë nuk janë atje poshtë; janë brenda kafazit të kraharorit. Për të bërë një provë, vendose një dorë në secilën anë të pjesës së poshtme të kafazit të kraharorit. Tani merr frymë thellë. Në qoftë se po merr frymë si duhet, nuk duhet ta kesh futur barkun brenda dhe as duhet t’i kesh ngritur supet lart. Në vend të kësaj, duhet të ndiesh brinjët që zgjerohen dhe zhvendosen paksa lart dhe jashtë.

Pas kësaj, puno me nxjerrjen e frymës. Mos e ço dëm sasinë e ajrit duke e lënë të dalë menjëherë. Nxirre pak nga pak. Mos u përpiq ta mbash nën kontroll duke ngushtuar fytin. Kjo do ta bënte zërin tënd të dukej i sforcuar ose me një ton tejet të lartë. Presioni i muskujve të barkut dhe i atyre ndërmjet brinjëve bën të dalë ajri, kurse diafragma rregullon shpejtësinë e daljes.

Diagramet në faqen 183

Ashtu si një vrapues stërvitet për garën, po ashtu edhe një orator mund të mësojë ta kontrollojë siç duhet frymëmarrjen duke u ushtruar. Rri drejt me shpatullat prapa, merr frymë në mënyrë të tillë që në fillim të mbushet pjesa e poshtme e mushkërive dhe nxirre frymën pak nga pak duke numëruar ngadalë sa më gjatë që të jetë e mundur me një frymëmarrje të vetme. Pastaj ushtrohu të lexosh me zë duke marrë frymë në të njëjtën mënyrë.

Shtendos muskujt. Një gjë tjetër thelbësore për të pasur cilësi të mirë zëri është shtendosja! Është vërtet i habitshëm përmirësimi që mund të bësh duke mësuar të shtendosesh kur flet. Duhet qetësuar mendja dhe trupi, sepse tensioni mendor shkakton tension të muskujve.

Çlirohu nga tensioni mendor duke fituar pikëpamjen e duhur për dëgjuesit e tu. Në qoftë se janë njerëz që i takon në shërbimin në fushë, mos harro që edhe sikur të kesh vetëm pak muaj që e studion Biblën, ti di gjëra të çmuara rreth qëllimit të Jehovait që mund t’ua thuash edhe atyre. Gjithashtu, ti u ke shkuar në shtëpi sepse ata kanë nevojë për ndihmë, pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo. Nga ana tjetër, në rast se po flet në një Sallë Mbretërie, shumica e atyre që janë në auditor janë pjesë e popullit të Jehovait. Ata janë miqtë e tu dhe duan që ti të kesh sukses. Asnjë orator tjetër në botë nuk ka përballë një auditor kaq miqësor dhe të dashur si e kemi ne rregullisht.

Shtendosi muskujt e fytit duke e përqendruar vëmendjen te këta muskuj dhe duke u përpjekur me vetëdije për t’i çlodhur. Mbaj parasysh që kordat zanore dridhen kur ndërmjet tyre kalon ajër. Toni i zërit ndryshon në varësi të tendosjes ose të lëshimit të muskujve të fytit, ashtu si toni i telit të një kitare ose të një violine ndryshon kur ai shtrëngohet ose lirohet. Kur i shtendos kordat zanore, toni ulet. Shtendosja e muskujve të fytit ndihmon, gjithashtu, që të mbahen të hapura kanalet e hundës, dhe kjo do të ketë një ndikim të dukshëm në cilësinë e zërit tënd.

Shtendos gjithë trupin: gjunjët, duart, shpatullat dhe qafën. Kjo do t’i japë zërit tënd rikumbimin e duhur për t’u dëgjuar larg. Rikumbimi arrihet kur i gjithë trupi e ndihmon zërin të kumbojë, por kjo nuk funksionon po të jesh i tensionuar. Toni i zërit, i cili prodhohet në laring, kumbon jo vetëm në kanalet e hundës, por edhe në kafazin e kraharorit, në dhëmbë, në qiellzë dhe në sinuse. Të gjitha këto mund të luajnë një rol në cilësinë e rikumbimit. Në qoftë se vendos një peshë në kutinë kumbuese të një kitare, tingulli do të mbytet; kutia kumbuese duhet të jetë bosh për të krijuar dridhje dhe për të prodhuar rikumbimin e duhur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për skeletin e trupit tonë, i cili mbahet nga muskujt. Me ndihmën e rikumbimit do të jesh në gjendje t’i japësh zërit intonacionin e duhur dhe të shprehësh ngjyrime ndjenjash. Do të jesh në gjendje të dëgjohesh në një auditor të madh pa u sforcuar për të nxjerrë zërin.

SI PRODHOHET ZËRI?

Baza e të gjithë tingujve zanorë është ajri që nxirret nga mushkëritë. Mushkëritë veprojnë si kacekë që e shtyjnë ajrin nëpërmjet trakesë në laring, i cili gjendet në pjesën e mesme të fytit. Në laring, përballë njëri-tjetrit janë dy palosje të vogla muskujsh që quhen korda të zërit. Këto bëjnë punën kryesore për prodhimin e zërit. Këta muskuj të palosur hapen dhe mbyllen për të lejuar ose penguar kalimin e ajrit përmes laringut ose për të mos lejuar kalimin e objekteve të padëshirueshme në mushkëri. Gjatë frymëmarrjes normale nuk krijohen tinguj ndërsa ajri kalon mbi kordat e zërit. Por kur një person dëshiron të flasë, muskujt tendosin kordat e zërit dhe këto dridhen ndërsa ajri që vjen nga mushkëritë detyrohet të kalojë përmes tyre. Kjo prodhon tingullin.

Sa më të tendosura të jenë kordat e zërit, aq më shpejt dridhen dhe aq më i lartë është toni i tingullit që prodhohet. Nga ana tjetër, sa më të shtendosura të jenë kordat, aq më i ulët është toni. Pasi del nga laringu, vala e zërit hyn në pjesën e sipërme të fytit, e cila quhet faring. Pastaj kalon në gojë dhe në kanalet e hundës. Këtu, tonit bazë i shtohen tone të tjera të padallueshme të cilat e modifikojnë dhe e përforcojnë. Qiellza, gjuha, dhëmbët, buzët dhe nofullat bashkëpunojnë për t’i përpunuar valët dridhëse të zërit dhe për t’i nxjerrë në formë fjalësh të kuptueshme.

Zëri i njeriut është një mrekulli, i pakrahasueshëm me asnjë instrument të bërë nga njeriu për sa u përket përdorimeve të shumta që ka. Ai ka aftësinë për të shprehur ndjenja dhe emocione që shkojnë nga dashuria e butë dhe e këndshme deri tek urrejtja e ashpër dhe e dhunshme. Kur zhvillohet dhe stërvitet mirë, zëri mund të arrijë të përfshijë deri në tri oktava dhe mund të prodhojë jo vetëm tinguj të bukur muzikorë, por edhe mënyra të foluri që të prekin zemrën.

KAPËRCIMI I PROBLEMEVE SPECIFIKE

Zë i dobët. Një zë i butë nuk është detyrimisht i dobët. Nëse është i pasur me tone të ndryshme të këndshme, të tjerët mund ta dëgjojnë me kënaqësi. Por për të qenë i efektshëm, zëri duhet të ketë volum të mjaftueshëm.

Për të përmirësuar aftësinë e zërit për t’u dëgjuar larg, duhet të përmirësosh rikumbimin e tij. Kjo do të thotë të mësosh të shtendosësh gjithë trupin në mënyrën që përshkruhet në këtë mësim. Shtendosja e vetëdijshme e trupit dhe ushtrimi për të kënduar me buzët e mbyllura mund të të ndihmojë. Buzët duhet të takohen shumë lehtë, jo të jenë të shtrënguara fort pas njëra-tjetrës. Ndërsa këndon me buzët mbyllur, ndieji dridhjet e zërit në kokë dhe në kraharor.

Ndonjëherë zëri duket i dobët ose sikur del me zor, sepse personi nuk ndihet mirë ose nuk ka fjetur mjaftueshëm. Natyrisht, në qoftë se kjo gjendje përmirësohet, edhe zëri do të përmirësohet.

Zë me ton shumë të lartë. Rritja e tensionit në kordat e zërit e ngre edhe tonin. Zëri që tingëllon i tensionuar i bën edhe dëgjuesit të ndihen të tensionuar. Toni mund të ulet duke i shtendosur muskujt e fytit për ta ulur tensionin në kordat e zërit. Bëje këtë në mënyrë të vetëdijshme, duke e provuar në të folurit e përditshëm. Edhe frymëmarrja e thellë ndihmon.

Zë hundor. Nganjëherë ky problem shkaktohet nga ndonjë pengesë në hundë, por zakonisht nuk është kështu. Shpesh duke i tendosur muskujt e fytit dhe të gojës, një person mbyll kanalet e hundës dhe ajri nuk ka mundësi të kalojë lirshëm. Kjo sjell si pasojë një zë hundor. Për ta shmangur këtë, është e nevojshme të shtendosesh.

Zë i thellë e i ashpër. Një zë i tillë nuk krijon atmosferën për një shkëmbim miqësor idesh. Ai mund t’i vërë të tjerët në pozita mbrojtëse.

Në disa raste, një faktor kryesor është nevoja për përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar personalitetin. (Kolos. 3:8, 12) Pasi të jetë bërë kjo gjë, mund të jetë e dobishme të zbatohen metodat për të përmirësuar zërin. Shtendos fytin dhe nofullat. Kjo do ta bëjë zërin më të këndshëm dhe do të parandalojë shtrembërimin e tij duke e detyruar të dalë ndërmjet dhëmbëve.

SI TË PËRMIRËSOHESH?

  • Kultivo cilësitë e personalitetit të krishterë.

  • Ushtrohu që të marrësh frymë siç duhet, duke mbushur pjesën e poshtme të mushkërive.

  • Kur flet, shtendosi muskujt​—fytin, qafën, shpatullat, të gjithë trupin.

USHTRIME: (1) Gjatë një jave, për disa minuta çdo ditë provo të marrësh frymë në mënyrë të tillë që të mbushësh pjesën e poshtme të mushkërive. (2) Për një javë, të paktën një herë në ditë përpiqu në mënyrë të vetëdijshme të shtendosësh muskujt e fytit kur flet.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo