MËSIMI 24
Zgjedhja e fjalëve
FJALËT janë mjete të fuqishme komunikimi. Por që me fjalët tona të arrijmë një qëllim të caktuar, duhet t’i zgjedhim ato me kujdes. Një fjalë që ndoshta është e përshtatshme në një rast, mund të ketë efektin e kundërt në rrethana të tjera. Një shprehje popullore e përdorur pa vend mund të kthehet në «fjalë që shkakton dhembje». Ndoshta këto shprehje mund të përdoren thjesht pa u menduar, duke pasqyruar mungesë konsiderate për të tjerët. Disa shprehje janë me dy kuptime, njëri prej të cilëve është ofendues ose përbuzës. (Prov. 12:18; 15:1) Nga ana tjetër, «fjala e mirë»—një fjalë inkurajuese—ia gëzon zemrën atij të cilit i thuhet. (Prov. 12:25) Gjetja e fjalëve të duhura kërkon përpjekje, madje edhe për një njeri të mençur. Bibla na thotë se Solomoni ishte i vetëdijshëm rreth nevojës për të kërkuar «fjalë të këndshme» dhe «fjalë të sakta të së vërtetës».—Ekl. 12:10.
Në disa gjuhë, kur u drejtohesh atyre që janë më të mëdhenj se ty ose personave me autoritet, përdoren disa shprehje të veçanta, ndërsa kur u drejtohesh bashkëmoshatarëve të tu ose më të vegjëlve përdoren të tjera shprehje. Shpërfillja e këtyre rregullave të mirësjelljes shihet si mungesë edukate. Gjithashtu, shihet si e papërshtatshme të përdorësh për veten tënde shprehje respekti që sipas zakonit të vendit përdoren për të tjerët. Duke folur për nderimin që duhet të tregojmë, Bibla vendos një normë më të lartë sesa ajo që mund të kërkojë ligji ose zakoni i vendit. Ajo i nxit të krishterët që të ‘nderojnë njerëzit e çdo lloji’. (1 Pjet. 2:17) Ata që e zbatojnë me gjithë zemër këtë këshillë, u flasin me respekt njerëzve të të gjitha moshave.
Natyrisht, shumë njerëz që nuk janë të krishterë të vërtetë përdorin një të folur të vrazhdë dhe vulgar. Mund të mendojnë se të folurit e tillë i jep emfazë asaj që thonë. Ose fakti që përdorin këtë të folur mund të jetë thjesht pasqyrim se kanë një fjalor tmerrësisht të varfër. Nëse dikush e kishte zakon të fliste në këtë mënyrë para se të mësonte udhët e Jehovait, mund ta ketë të vështirë ta lërë këtë zakon. Megjithatë është e mundur. Fryma e Perëndisë mund ta ndihmojë një njeri që të ndryshojë mënyrën e të folurit. Sidoqoftë, ky individ duhet të jetë i gatshëm të krijojë një fjalor të mbushur me fjalë të mira—fjalë që u përcjellin të tjerëve atë që është e dobishme, fjalë që ndërtojnë—dhe pastaj t’i përdorë këto rregullisht.—Rom. 12:2; Efes. 4:29; Kolos. 3:8.
Gjuhë që kuptohet me lehtësi. Një kërkesë themelore për një të folur të mirë është që të kuptohet me lehtësi. (1 Kor. 14:9) Në rast se fjalët që përdor nuk kuptohen menjëherë nga auditori, atyre do t’u dukesh sikur po u flet në gjuhë të huaj.
Disa fjalë kanë një kuptim të veçantë mes njerëzve të një profesioni të caktuar. Ato mund të jenë pjesë e fjalorit të tyre të përditshëm. Por në qoftë se i përdor në rrethanat e gabuara, kjo mund ta pengojë aftësinë për të komunikuar. Veç kësaj, edhe sikur të përdorësh fjalorin e përditshëm, po të futesh në hollësira të panevojshme, dëgjuesit e tu mund të shpërqendrohen e të mendojnë për gjëra të tjera.
Një orator që mendon për të tjerët, zgjedh fjalë që i kuptojnë edhe ata që kanë një arsimim mjaft të kufizuar. Duke imituar Jehovain, ai tregon kujdes për ‘të përvuajturin’. (Jobi 34:19) Nëse e sheh të domosdoshme që të përdorë një fjalë jo shumë të njohur, oratori duhet ta përdorë atë në shprehje të thjeshta që e bëjnë të qartë kuptimin e fjalës.
Fjalët e thjeshta të zgjedhura mirë i përcjellin idetë me shumë forcë. Fjalitë e shkurtra dhe shprehjet e thjeshta janë të lehta për t’u kuptuar. Ato mund të ndërthuren me disa fjali më të gjata, në mënyrë që fjalimi të mos duket si i copëzuar. Por, për sa u përket mendimeve që ti dëshiron në veçanti të mbahen mend nga auditori, zgjidh fjalë të thjeshta dhe fjali të shkurtra.
Larmi dhe saktësi në të shprehur. Fjalë të mira ka me bollëk. Në vend që të përdorësh të njëjtat shprehje për çdo situatë, përdor një larmi fjalësh. Atëherë fjalimi yt do të jetë edhe interesant, edhe kuptimplotë. Si mund ta zgjerosh fjalorin?
Kur lexon, nënvizo fjalët që nuk i kupton plotësisht dhe kërkoji në fjalor në rast se ke një të tillë në gjuhën tënde. Zgjidh disa prej tyre dhe bëj një përpjekje të ndërgjegjshme për t’i përdorur kur të jetë e përshtatshme. Ki kujdes që t’i shqiptosh saktë dhe t’i përdorësh në një kontekst ku do të kuptohen menjëherë dhe nuk do të shërbejnë thjesht për të tërhequr vëmendjen. Zgjerimi i fjalorit do t’ia shtojë larminë të folurit tënd. Por duhet të jesh i kujdesshëm: kur dikush i shqipton keq ose i përdor keq fjalët, të tjerët mund të mendojnë se ai nuk di për çfarë po flet në të vërtetë.
Qëllimi për të cilin e zgjerojmë fjalorin është që të jemi më shumë informativë, jo t’u bëjmë përshtypje dëgjuesve. Të folurit e ndërlikuar dhe fjalët e gjata në përgjithësi e drejtojnë vëmendjen tek oratori. Dëshira jonë duhet të jetë që të japim informacione të vlefshme dhe t’i bëjmë këto informacione interesante për ata që po dëgjojnë. Kujto proverbin biblik: «Gjuha e të mençurve bën të mirën me njohurinë.» (Prov. 15:2) Përdorimi i fjalëve të mira e të përshtatshme që kuptohen me lehtësi, ndihmon për ta bërë të folurit tonë freskues dhe nxitës, jo të plogët dhe të mërzitshëm.
Ndërsa përpiqesh të pasurosh fjalorin tënd, ki kujdes të përdorësh fjalën e duhur. Dy fjalë mund të kenë kuptime të ngjashme, por paksa të ndryshme nga njëra tjetra dhe mund të përdoren në rrethana të ndryshme. Në qoftë se arrin ta kuptosh këtë, do të jesh në gjendje ta bësh edhe më të qartë të folurit dhe të mos i fyesh dëgjuesit e tu. Dëgjo me kujdes njerëzit që flasin mirë. Disa fjalorë renditin poshtë çdo fjale sinonimet (fjalë me kuptim shumë të afërt) dhe antonimet (fjalë me kuptim të kundërt). Në këtë mënyrë gjen jo vetëm shprehje të larmishme për të njëjtën ide, por edhe ngjyrime të ndryshme të kuptimit të fjalëve. Kjo është shumë e dobishme kur je duke kërkuar fjalën e duhur për një rrethanë të veçantë. Para se ta bësh një fjalë pjesë të fjalorit tënd, sigurohu që ia di kuptimin, di si ta shqiptosh dhe kur ta përdorësh.
Fjalët që janë specifike paraqesin një tablo më të qartë sesa ato që janë të përgjithshme. Një orator mund të thotë: «Në atë kohë, shumë njerëz u sëmurën.» Ose mund të thotë: «Pas Luftës I Botërore, brenda pak muajsh vdiqën rreth 21.000.000 njerëz nga gripi spanjoll.» Sa ndryshe është kur oratori e tregon qartë se çfarë nënkupton me shprehjet «në atë kohë», «shumë njerëz» dhe «u sëmurën»! Për t’u shprehur në këtë mënyrë duhet të dish të dhënat që lidhen me argumentin tënd dhe t’i zgjedhësh me kujdes fjalët.
Përdorimi i fjalës së duhur mund të të ndihmojë edhe që të arrish drejt e në thelb pa u sorollatur me shumë fjalë. Fjalët e shumta kanë prirjen t’i errësojnë mendimet. Thjeshtësia ua bën më të lehtë të tjerëve t’i kuptojnë dhe t’i mbajnë mend faktet e rëndësishme. Ajo ndihmon për të përcjellë njohuri të saktë. Në mësimdhënien e Jezu Krishtit binte në sy thjeshtësia e gjuhës. Mëso prej tij. (Shih shembujt që gjenden te Mateu 5:3-12 dhe te Marku 10:17-21.) Ushtrohu duke u shprehur në mënyrë të përmbledhur me fjalë të zgjedhura mirë.
Fjalë që shprehin forcë, ndjenjë dhe gjallëri. Ndërsa zgjeron fjalorin, mendo jo vetëm për fjalë të reja, por edhe për fjalë që kanë karakteristika të veçanta. Shqyrto, për shembull, folje që shprehin forcë, mbiemra që përcjellin gjallëri dhe shprehje që tregojnë ngrohtësi, mirëdashje ose nxitje.
Bibla është plot me shembuj fjalësh të tilla domethënëse. Nëpërmjet profetit Amos, Jehovai nxiti: «Kërkoni atë që është e mirë dhe jo atë që është e keqe . . . Urreni atë që është e keqe, duajeni atë që është e mirë.» (Amo. 5:14, 15) Profeti Samuel i shpalli mbretit Saul: «Sot Jehovai ka shkëputur prej teje sundimin mbretëror të Izraelit.» (1 Sam. 15:28) Kur i foli Ezekielit, Jehovai përdori një gjuhë që vështirë se mund të harrohet, duke thënë: «Të gjithë ata të shtëpisë së Izraelit janë kokëshkëmb dhe zemërgur.» (Ezek. 3:7) Duke theksuar se sa e rëndë ishte keqbërja e Izraelit, Jehovai pyeti: «A do ta grabitë njeriu tokësor Perëndinë? Por ju po më grabitni.» (Mal. 3:8) Duke përshkruar një sprovë besimi në Babiloni, Danieli raportoi në mënyrë të gjallë se «Nabukodonosori u mbush me tërbim», sepse Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk e adhuruan shëmbëlltyrën e tij, kështu që urdhëroi t’i lidhnin e t’i hidhnin «në furrën e zjarrtë përvëluese». Për të na ndihmuar që të kuptojmë se sa e fortë ishte nxehtësia, Danieli raportoi se mbreti i urdhëroi njerëzit e tij që «ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë nga sa nxehej zakonisht», kaq shumë saqë kur iu afruan furrës, njerëzit e mbretit vdiqën. (Dan. 3:19-22) Duke u folur njerëzve në Jerusalem disa ditë para se të vdiste, Jezui tha me shumë ndjenjë: «Sa herë desha t’i mbledh së bashku fëmijët e tu, ashtu siç i mbledh klloçka së bashku zogjtë e saj nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj ju është braktisur.»—Mat. 23:37, 38.
Fjalët e zgjedhura mirë mund të krijojnë përfytyrime të gjalla te dëgjuesit e tu. Nëse përdor fjalë që u bëjnë thirrje shqisave, dëgjuesit e tu do t’i «shohin» dhe do t’i «prekin» gjërat për të cilat flet, do t’i «shijojnë» dhe do t’i «nuhatin» ushqimet që përmend, si edhe do t’i «dëgjojnë» tingujt që përshkruan e personazhet që citon. Auditorin do ta bëjë për vete ajo që thua, sepse ti e ndihmon që t’i përjetojë ato së bashku me ty.
Fjalët që i shprehin idetë në mënyrë të gjallë mund t’i bëjnë njerëzit të qeshin ose të qajnë. Ato mund të ngjallin shpresë, duke e mbushur një person të shkurajuar me dëshirën për të jetuar dhe duke ndezur brenda tij dashurinë për Krijuesin. Përreth botës njerëzit janë ndikuar thellësisht nga shpresa që japin fjalët në pjesë të tilla të Biblës, si Psalmi 37:10, 11, 34; Gjoni 3:16 dhe Zbulesa 21:4, 5.
Duke lexuar Biblën dhe botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ do të vëresh një larmi të madhe fjalësh dhe shprehjesh. (Mat. 24:45) Mos u mjafto vetëm duke i lexuar e pastaj t’i harrosh. Zgjidh ato që të pëlqejnë dhe bëji pjesë të fjalorit tënd të përditshëm.
Fol në përputhje me rregullat e gramatikës. Disa njerëz e kuptojnë që të folurit e tyre mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me rregullat e gramatikës. Por, çfarë mund të bëjnë për këtë?
Në qoftë se je ende në shkollë, përfito nga rasti për ta përvetësuar mirë gramatikën dhe zgjedhjen e kujdesshme të fjalëve. Në rast se nuk je i sigurt për arsyen pse ekziston njëfarë rregulle gramatikore, pyet mësuesin. Mos u mjafto duke mësuar vetëm sa për të marrë një notë. Ti ke motive që nxënësit e tjerë mund të mos i kenë. Dëshiron të jesh një shërbëtor i efektshëm i lajmit të mirë.
Po sikur të jesh në moshë më të madhe dhe të të duhet të flasësh një gjuhë tjetër nga ajo me të cilën je rritur? Ose ndoshta mund të mos kesh pasur mundësi të merrje shumë arsim në gjuhën tënde. Mos u shkurajo. Në vend të kësaj, bëj përpjekje të sinqerta për t’u përmirësuar dhe bëje këtë për hir të lajmit të mirë. Pjesën më të madhe të asaj që dimë për gramatikën e mësojmë duke dëgjuar të tjerët kur flasin. Prandaj, dëgjo me kujdes kur mbajnë fjalime oratorët me përvojë. Kur lexon Biblën dhe botimet e bazuara në Bibël, kushtoji vëmendje ndërtimit të fjalisë, fjalëve që janë përdorur bashkë dhe kontekstit në të cilin janë përdorur. Modeloje të folurit në bazë të këtyre shembujve të mirë.
Personazhe të botës së spektaklit dhe këngëtarë të famshëm mund të përdorin mënyra të shprehuri që bien ndesh me rregullat gramatikore. Njerëzit kanë prirjen t’i imitojnë këta personazhe. Shpërndarësit e drogës dhe njerëz të tjerë që bëjnë një jetë kriminelësh ose imorale, shpesh kanë fjalorin e tyre, sipas të cilit fjalët kanë kuptime krejt të ndryshme nga kuptimi i zakonshëm. Nuk është e mençur që të krishterët të imitojnë ndonjë nga këta njerëz. Bërja e kësaj do të na identifikonte me këto elemente të botës dhe me mënyrën e tyre të të jetuarit.—Gjoni 17:16.
Bëje zakon të përdorësh çdo ditë një fjalor të mirë. Nëse lejon që të folurit të bëhet i shkujdesur në bisedat e përditshme, mos prit të jesh në gjendje të flasësh mirë në raste të veçanta. Por në rast se përdor të folur cilësor në rrethanat e zakonshme të jetës, do të jetë më e lehtë dhe më e natyrshme ta bësh këtë kur të jesh në podium ose kur t’u japësh dëshmi të tjerëve për të vërtetën.