Apostazia
Përkufizimi: Apostazia është braktisje ose heqje dorë nga adhurimi dhe shërbimi i Perëndisë, rebelim kundër Perëndisë Jehova. Disa apostatë pohojnë se e njohin dhe i shërbejnë Perëndisë, porse hedhin poshtë mësimet dhe kërkesat që gjenden në Fjalën e tij. Të tjerë pohojnë se i besojnë Biblës, por hedhin poshtë organizatën e Jehovait.
A duhet të presim që brenda organizatës së Jehovait të dalin apostatë?
1 Tim. 4:1: «Shprehja e frymëzuar e thotë shkoqur se në të ardhmen do të ketë periudha kur disa do të bien nga besimi dhe do t’u kushtojnë vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese e mësimeve të demonëve.»
2 Sel. 2:3: «Askush të mos ju joshë në ndonjë mënyrë, sepse ajo [dita e Jehovait] nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë, biri i shkatërrimit.»
Disa shenja identifikuese të apostatëve:
Përpiqen të bëjnë ithtarë për vete, duke shkaktuar sektarizëm
Vep. 20:30: «Nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»
2 Pjet. 2:1, 3: «Do të ketë edhe mes jush mësues të rremë. Pikërisht këta do të futin tinëzisht sekte shkatërruese e do të mohojnë madje edhe pronarin që i bleu. . . . Gjithashtu, nga lakmia do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shtira.»
Ata mund të pohojnë se besojnë te Krishti, por nuk e marrin seriozisht veprën e predikimit dhe të mësimit, që Krishti u caktoi ithtarëve të vet
Luka 6:46: «Pse më thërritni ‘Zotëri, Zotëri!’, por nuk bëni ato që them?»
Mat. 28:19, 20: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»
Mat. 24:14: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»
Ata mund të pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, por s’pranojnë përfaqësuesit e tij, organizatën e tij të dukshme
Jud. 8, 11: «Këta njerëz, duke u dhënë pas ëndrrave, ndotin mishin, shpërfillin autoritetin sundues dhe shajnë të lavdishmit. Mjerë ata, sepse . . . kanë marrë fund në të folurit rebel të Korahut!»
Num. 16:1-3, 11, 19-21: «Korahu . . . u ngrit bashkë me . . . dyqind e pesëdhjetë burra nga bijtë e Izraelit që ishin krerë të asamblesë. . . . Kështu, pra, u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit e u thanë: ‘Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja, po, të gjithë janë të shenjtë, dhe Jehovai është mes tyre. Pse u dashka të dilni ju mbi kongregacionin e Jehovait?’ . . . [Moisiu tha:] ‘Ti dhe tërë njerëzit që ke mbledhur, jeni kundër Jehovait. Pastaj, kush është Aaroni që të murmuritni kundër tij?’ Kur Korahu mblodhi tërë asamblenë kundër tyre në hyrje të tendës së takimit, lavdia e Jehovait iu shfaq tërë asamblesë. Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit: ‘Ndahuni nga kjo asamble, që ta shfaros në çast.’»
Ata jo vetëm që braktisin besimin e vërtetë, por edhe ‘i rrahin’ më pas shokët e tyre të mëparshëm, duke u përpjekur të ndalin veprën e tyre me anë të kritikave publike dhe metodave të tjera; përpjekjet e apostatëve synojnë t’i rrëzojnë të tjerët, jo t’i ndërtojnë
Mat. 24:45-51: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? . . . Por, sikur ai skllav të ishte i lig e të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’ e të fillonte t’i rrihte skllevërit e tjerë dhe të hante e të pinte me pijanecët, zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte, do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe dhe do ta vinte bashkë me hipokritët.»
2 Tim. 2:16-18: «Shmangu nga fjalët boshe, që dhunojnë atë që është e shenjtë, sepse ata do të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt paperëndishmërisë dhe fjala e tyre do të përhapet si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu dhe Fileti. Pikërisht këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë, e po minojnë besimin e disave.»
A duhet t’i pranojnë të krishterët besnikë apostatët, qoftë personalisht, qoftë duke lexuar literaturën e tyre?
2 Gjon. 9, 10: «Kush shkon përtej dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit, nuk ka Perëndi. . . . Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni kurrë në shtëpinë tuaj, as mos e përshëndetni.»
Rom. 16:17, 18: «Tani, o vëllezër, ju nxit të jeni vigjilentë ndaj atyre që shkaktojnë përçarje dhe që bëhen shkak pengese, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Shmangini ata. . . . Me fjalë të sheqerosura e me një të folur miklues joshin zemrat e njerëzve të patëkeq.»
A mund të pësojmë ndonjë dëm serioz, nëse, për të shuar kureshtjen, dëgjojmë mendimet e apostatëve?
Prov. 11:9: «Me gojën e tij apostati e çon në rrënim të afërmin.»
Isa. 32:6: «I pamendi do të thotë vetëm gjëra të pamenda dhe zemra e tij do të thurë të këqija, që të bëjë apostazi dhe të thotë kundër Jehovait gjëra të paudha, që ta lërë bosh shpirtin e të uriturit dhe ta lërë të eturin pa pirë.» (Krahaso Isainë 65:13, 14.)
Sa serioze është apostazia?
2 Pjet. 2:1: «Pikërisht këta do të futin tinëzisht sekte shkatërruese e do të mohojnë madje edhe pronarin që i bleu, duke sjellë mbi veten një shkatërrim të shpejtë.»
Jobi 13:16: «Asnjë apostat nuk del para tij [Perëndisë].»
Hebr. 6:4-6: «Ata që janë ndriçuar një herë e mirë, që kanë shijuar dhuratën qiellore falas, që janë bërë pjesëmarrës të frymës së shenjtë, që kanë shijuar fjalën e shkëlqyer të Perëndisë dhe fuqitë e sistemit që po vjen, por që janë larguar [‘nëse pastaj bëjnë apostazi’, RS], është e pamundur t’i sjellësh prapë në vete që të pendohen, sepse ata vetë e vënë sërish në shtyllë Birin e Perëndisë dhe e turpërojnë publikisht.»